BallinaPertejPikëpyetjet mbi lirinë e medias në Shqipëri

Pikëpyetjet mbi lirinë e medias në Shqipëri

Liria e medias është përkeqësuar, sipas raporteve të Reporterë pa Kufij dhe Këshillit të Europës, që bëjnë përgjegjëse edhe qeverinë. Por situata duket edhe më shqetësuese, me largimet nga puna të gazetarëve në kohën e pandemisë “Covid-19”, ndërsa kërcënimi i censurës dhe autocensurës bëhet gjithnjë e më i pranishëm. Kreu i Unionit i Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa dhe Koloreto Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias ndanë me “Faktojen” opinionet e tyre.


Ligjet “kontraverse” mbi median online si dhe fyerjet e sulmet nga politikanët po përkeqësojnë lirinë e medias në Shqipëri. Këshilli i Europës dhe Reporterët pa Kufij raportuan se gjatë vitit 2019 u rrit dhuna dhe intimidimi ndaj raportuesve të lajmit. Organizmat kombëtarë e ndërkombëtarë po bëjnë përherë e më shumë thirrje për të mbështetur aktivitetin e mediave, ndërsa në vend “të bërit gazetari”, po bëhet gjithnjë e më sfidues.

Raporti për vitin 2019 mbi lirinë e medias, publikuar nga Këshilli i Evropës

Nën titullin “Sulmet kundër medias në Europë nuk duhet të bëhen normale”, raporti i Këshillit të Europës vëren se ka pasur 11 ngjarje shqetësuese të raportuara në platformë gjatë vitit 2019 nga Shqipëria. Ndryshimet në ligjin nr. 9918 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe Nr. 97/2013 “Për median audio vizive në Republikën e Shqipërisë”, të njohur gjerësisht edhe si “Paketa Anti-Shpifje” kanë ndikuar në përkeqësimin e lirisë së medias në Shqipëri, thuhet në raport.

Ky problem u pasqyrua edhe në raportin e “Reporterët pa kufij”.

“Ligji “Anti-Shpifje” për median online, kufizimi i qasjes së gazetarëve në informacion, ndalimi i gazetarëve dhe aktivistëve dhe mbyllja e emisioneve kritike me qeverinë”, renditen ndër arsyet se pse Shqipëria humbi dy vende në Indeksin e Lirisë së Medias në botë të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij për vitin 2019.

Raporti i Reporter pa Kufij mbi lirinë e medias në Shqipëri

Reporterë pa Kufij” vë në dukje edhe mungesën e ndërshkueshmërisë për dhunuesit e
gazetarëve. “Ndërkohë, autoritetet e vendit, i cili ka aspirata të bëhet anëtar i Bashkimit
Europian, kanë dështuar të zbardhin dhe dënojnë sulme fizike dhe kërcënimet serioze ndaj
gazetarëve, theksohet në raport.

Si ka “kontribuar” politika në lirinë e medias në Shqipëri?

Promovimi i lirisë së shprehjes dhe të medias janë prioritetet tona urgjente, deklaronte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit në OSBE më 6 shkurt 2020. “Rrahësit e shantazhuesit e deridjeshëm të gazetave, gazetarëve e mediave që flasin në emër të lirisë së tyre…do vijë dita e gjykimit,” akuzonte Rama opozitën në vend, më 4 maj 2019 Ditën Ndërkombëtare të lirisë së medias.

Pse po përkeqësohet liria e medias në Shqipëri?

Ligji “Anti-Shpifje” dhe narrativa ofensive e kryeministrit Edi Rama, janë dy ndër arsyet kryesore të përkeqësimit të indeksit të lirisë së medias në Shqipëri për kreun e Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali.

Unë prisja që të ishte dhe më poshtë në fakt. Kjo për shkak të tentativave ngulmuese të qeverisë për të ndryshuar ligjin e AMA-s në mënyrë që të kontrollojë median, kryesisht online. Edhe agresiviteti verbal i Kryeministrit ndaj gazetarëve ka vite që vjen në ngjitje dhe kjo qasje nuk është as europiane, as demokratike. Detyrimisht, ndikon në rënien e indeksit të perceptimit të lirisë së medias, i tha “Faktojes” kryetari KSHM-së, Cukali.

Edhe për kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa ligji “Anti-Shpifje” dhe narrativa ofensive e kryeministrit Rama kanë ndikuar në përkeqësimin e lirisë së medias.

Ndër sfidat e shumta, nisma e ashtuquajtur “rregulluese” e cila në thelb shpërfill “vetërregullimin” e mediave si dhe konflikti verbal i kryeministrit me mediat duke i etiketuar si “kazan” mbeten një shqetësim, i tha “Faktojes” kryetari i UGSH-së, Aleksandër Çipa.

Për kryetarin e KSHM-së. Koloreto Cukali censura dhe autocensura mbeten shqetësuese.

Që në momentin që deri dhe mjekët duhet të marrin leje në majë të piramidës qeveritare për të dhënë një intervistë, kjo praktikisht është censurë dhe me pandeminë ka njohur rritje. Me pretekstin e mbrojtjes së publikut” qytetarët po privohen nga informacioni i plotë, i saktë dhe i pavarur. Matja e vetëcensurës është në vetvete e vështirë. Vetëcensura krijohet së pari nga presioni i pronarëve dhe interesave të tyre. Gazetarët nuk janë të lirë të bëjnë punën e tyre, sepse ka një perceptim nga ana e pronarëve që media ka si funksion së pari mbrojten e interesit të tyre. Pa sindikata, e shpesh dhe pa kontrata të rregullta, gazetarët pengohen të bëjnë punën e tyre dhe këtu ndizet çelësi i vetëcensurës, thekson Cukali.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img