BallinaPertej1 Maji i Shqipërisë, papunësi e pabarazi të ardhurash në 30 vite tranzicion

1 Maji i Shqipërisë, papunësi e pabarazi të ardhurash në 30 vite tranzicion

Shqipëria klasifikohet si një ndër vendet me shkallën më të lartë të papunësisë, informalitetit dhe me një hendek të lartë pabarazie në të ardhura. Vendi ku 70% e familjeve që jetojnë me të ardhura nga emigracioni, përballet edhe me pasojat globale të pandemisë. Në këtë 1 Maj, papunësia shfaqet si një plagë e hapur prej vitesh, që situata e pandemisë po e thellon. “Faktoje” sjell një pamje të situatës në Shqipëri dhe pozicionin e saj në rajon, bazuar në shifrat zyrtare.


Sipas INSTAT, shkalla e papunësisë në Shqipëri për vitin 2019 arriti në nivelin 11,5 për qind. E thënë ndryshe, 160.000 llogariten si të papunë.

Papunësia në Shqipëri, INSTAT

…por 117 mijë të tjerë nuk gjejnë punë prej më shumë se një viti.

Pavarësisht se shkalla e papunësisë është në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, në Shqipëri ka rregullisht rreth 117 mijë njerëz që nuk arrijnë të gjejnë punë prej më shumë se një viti. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga 173 mijë të papunë që regjistroheshin për vitin 2018 në Shqipëri, rreth 68% ishin të papunë afatgjatë. Kjo shifër i referohet vetëm punëkërkuesve aktivë, pa përfshirë këtu të papunët e dekurajuar ose ata që thjesht nuk kanë dëshirë të punojnë.

671 mijë shqiptarë janë të kërcënuar nga varfëria.

Papunësia nuk është i vetmi problem në Shqipëri. Sipas INSTAT, shqiptarët janë “seriozisht të rrezikuar” për të qenë të varfër. Sipas të dhënave të INSTAT, rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është 23,4% shifër kjo më e larta në gjithë vendet e Bashkimit Europian, ndërsa në Ballkanin Perëndimor renditemi pas Serbisë.

Rreziku për të qenë i varfër, INSTAT

Rreziku për të qenë i varfër sipas INSTAT.

Rreth 43 mijë familje jetojnë vetëm me paratë e emigrantëve. Rreth 43 mijë familje shqiptare kanë remitancat si të vetmin burim jetese. Një vrojtim i Bankës së Shqipërisë për financat dhe konsumin e familjeve shqiptare gjatë këtij viti evidenton edhe njëherë varësinë e lartë të Shqipërisë ndaj remitancave. Afërsisht 23% e gjithë familjeve marrin dërgesa nga jashtë, ndërsa 6% e familjeve nuk kanë burim tjetër veç tyre. Për rreth 60% të familjeve, të ardhurat nga remitancat janë më pak se 1200 euro në vit ose 100 euro në muaj. Ndërkohë, familjet që marrin remitanca i shpenzojnë rreth 69% të të ardhurave mujore për ushqim.

Shoqëria shqiptare, “hendek” në nivelin e të ardhurave.

Një tjetër problematikë që shoqëron tranzicionin 30-vjeçar në Shqipëri është pabarazia në të ardhura, e cila është e nivelet më të larta në Europë. Shkalla e pabarazisë në të ardhura në Shqipëri për vitin 2018 sipas ideksit Gini ishte 35,4 për qind, ndërsa vendet e BE-së e kanë në nivelin 31 për qind. Në Rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të Eurostat dhe Bankës Botërore, nivelin më të ulët të pabarazisë në rajon e ka Kosova, me 29%, Maqedonia e Veriut, me 31.9%, Bosnje Hercegovina 32.7%, Serbia dhe Mali i Zi janë në intervalin 35%-36%, duke qenë në nivele të përafërta me Shqipërinë. Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria ka nivelin më të lartë të pabarazisë në të ardhura.

Pabarazia në të ardhura, foto ilustruese

Pandemia “Covid-19” pritet të krijojë papunësi dhe varfëri.

Banka e Shqipërisë jep edhe një vlerësim të përgjithshëm të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë “Covid-19”.

Kjo situatë do të ndikojë edhe mbi punëmarrësit dhe në tërësi mbi të ardhurat e familjeve, pasi rënia e aktivitetit të ndërmarrjeve mund të sjellë reduktim të të ardhurave apo ndërprerje të pagës. Në një efekt zinxhir dhe për aq sa nuk kompensohet nga kursimet e familjeve dhe masat shtetërore mbrojtëse, kjo edhe më tej mund të ndikojë në dobësimin e konsumit të tyre dhe në vijim, edhe në vështirësi për të përmbushur detyrimet financiare, thuhet në raportin e BSH.

Eksperti i ekonomisë, Sherif Bundo në një intervistë për Ora News në 30 prill tha se papunësia dhe varfëria e pritshme si pasojë e pandemisë, duhet të nxisë qeverinë për një platformë.

Ekonomia shqiptare do të goditet nga humbja e vendeve të punës, nga rënie e PBB-së, por është e pritshme dhe nuk duhet përjetuar si alarm. Disa produkte, sidomos ato të shportës do të kenë inflacion, sipas llogaritjeve tona diku te 5-8%. Efektet negative vërtetë do të jenë të ndjeshme, por nuk kemi pse ta përjetojmë si panik. Njerëzit kanë ulur konsumin, po ashtu kanë ulur shpenzimet e veshjeve, për restorante, për udhëtime apo ato të luksit. Këto pasoja duhet të tërheqin vëmendjen e qeverisë, por të hartohet një platformë, u shpreh Bundo.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img