BallinaFaktometerE PavërtetëPasaktësitë e Erion Veliajt për taksën e përkohshme të arsimit

Pasaktësitë e Erion Veliajt për taksën e përkohshme të arsimit

ANXHELA RUÇI

Në një intervistë për Real Story, Erion Veliaj dha një sërë deklaratash për “taksën e përkohshme të arsimit”, gjë që nxiti “Faktoje” të verifikojë shifrat. Në të paktën 2 raste brenda kësaj deklarate, konstatuam se Veliaj ka dhënë shifra që bien ndesh me faktet.

——————————————————————————————————————————————————–

Që prej muajit shkurt 2016 në faturat tatimore të ujit për abonentët familjare në Tiranë  është shtuar “taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore”. Kjo taksë është parashikuar të zgjasë 7 vite dhe do të aplikohet deri në vitin 2022. Të ardhurat e grumbulluara prej saj janë parashikur të përdoren për rikonstruksionin apo ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve.

I ftuar në emisionin Real Story, kryetari i Bashkisë Tiranë, gjatë debatit me ish kanditatin tjetër për Bashkisë Tiranë Arben Skënderi, për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, lëshoi një sërë deklaratash për “taksën e përkohshme të arsimit”.

Nga taska e përkohshme e arsimit, nga abonentët familjarë mblidhen rreth 2 milionë(euro/dollarë) ose më pak se 2 milionë në vit, që në fakt nuk janë shumë. Janë 250 mijë familjarë që paguajnë ujë. Taksa paguhet tek uji dhe është 1 dollar. Në momentin që gjysma janë o pensionistë o persona me aftësi të kufizuar, o me ndihmë ekonomike o janë me ujë pusi ose janë zona fshatare as 2 milionë nuk bëhen.”

“Faktoje” ka verifikuar një për një këtë deklaratë të Veliajt dhe na rezulton se aty ka disa të pavërteta.

Nga abonentët familjarë, vetëm vitin e parë që kjo taksë është vendosur janë mbledhur rreth 1.1 milionë euro që në fakt është më pak se 2 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 dhe vitin 2018, shifra e dhënë nga Erion Veliaj është tejkaluar.

Viti 2016 2017 2018 8 muaj/2019
Shuma  1.1 mln euro 2.1 mln euro 2.3 mln euro 1.4 mln euro

Të dhënat nga Bashkia Tiranë janë dhënë në lekë, ndërsa në tabelën e mësipërme janë konvertuar në euro, për të bërë krahasimin me shifrat e dhëna nga E.Veliaj.

Së dyti Veliaj deklaroi se janë 250 mijë abonentë familjarë që paguajnë ujë dhe gjysma e tyre nuk e paguajnë taksën, siç janë: pensionistët, veteranët, të sëmurët tetra/paraplegjikë, personat me aftësi të kufizuar.

Ujësjellës Kanalizime Tiranë nëpërmjet të dhënave që na ka vënë në dispozicion konfirmoi se abonentët familjarë nuk e kanë arritur asnjëherë në këto 4 vite shifrën prej 250 mijë. Shifra më e lartë nga viti 2016 e deri më sot, është ajo e vitit të fundit me gjithsej 212 mijë abonentë familjarë që paguajnë ujë, pra një diferecë prej të paktën 40 mijë abonentë më pak nga jo që deklaron kryetari i bashkisë.

             Të dhëna të vëna në dispozicion nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë

Vetë Bashkia e Tiranës konfirmoi të kundërtën e deklaratës së Veliajt se gjysma e ujë-paguesëve janë të përjashtuar nga taksat. Të përjashtuarit nga taksat në rastin më të mirë e kalojnë fare pak shifrën e 5 mijë abonentëve.

Nëse llogarisim numrin e familjeve që paguajnë taksa dhe atyrë që janë përjashtuar, këta të fundit nuk i afrohen në asnjë vit gjysmës së shifrës totale të paguesve. Pra në deklaratën e tij, Veliaj i ka shumëfishuar nga 11-24 herë numrin e abonentëve familjarë të përjashtuarve nga taksa.

Viti Nr. I familjeve paguese të taksës Nr. I familjeve të përjashtuara
2016 108.812 4.400
2017 106.316 4.174
2018 123.123 5.227
2019 124.131 2.515

Të dhëna të vëna në dispozicion nga Bashkia Tiranë për numrin e abonentëve familjarë që paguajnë taksën e përkohshme të arsimit dhe ata të përjashtuar nga kjo taksë.

E pavërteta e fundit e kryetarit të Bashkisë Tiranë është masa në lekë e taksës. Në deklaratën e tij kryebashkiaku tha se taksa është 1 dollarë/euro, konvertuar në lekë kjo shifër shkon në 110-130 lekë maksimumi. Në fakt abonentët familjarë paguajnë çdo muaj në faturën e ujit 150 lekë për taksën e përkohshme të arsimit, e cila sipas kontratës së nënshkruar midis UKT dhe Bashkisë Tiranë do të aplikohet deri në vitin 2022.

Gjithsej nga taksa e përkohshme e arsimit janë mbledhur 7.3 milionë euro. Në relacionin e Bashkisë Tiranë për vitin 2016, kohë kur kjo taksë filloi të mblidhej, thuhet se qëllimi parësor është heqja përfundimisht e mësimit me dy turne. Por objektivi nuk është përmbushur pasi ende në Bashkinë Tiranë janë disa shkolla të cilat punojnë me dy turne.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img