BallinaPertej‘Pandemia e dhunës’, gratë shqiptare u zunë në kurthin e abuzimit dhe varfërisë

‘Pandemia e dhunës’, gratë shqiptare u zunë në kurthin e abuzimit dhe varfërisë

IVANA DERVISHI

Fenomeni i dhunës në familje trefishoi numrin e thirrjeve për ndihmë nga gratë e dhunuara, gjatë periudhës së pandemisë, sipas organizatave për të drejtat e njeriut në Shqipëri. Mbyllja e institucioneve për shkak të kufizimeve nga pandemia shtoi edhe më shumë vështirësinë që viktimat e dhunës të merrnin ndihmën e nevojshme dhe urdhërin e mbrojtjes. Ndërkohë rritja e papunësisë dhe varfërisë ndikoi në përkeqësimin e këtij fenomeni. Në këto kushte, ekspertët sugjerojnë një reagim institucional dhe shoqëror me qëllim fuqizimin e grave të dhunuara, të cilat e kanë të domosdoshme daljen nga situata të tilla.


“Dhunën gjithmonë e kam përjetuar për hir të fëmijëve, për hir të dashurisë, prej 16 vitesh!” – me këto fjalë e hap rrëfimin e saj për kalvarin e dhimbshëm të dhunës në familje të ushtruar nga bashkëshorti, Eglantina, një grua në të 40-at që i përket komunitetit rom në Elbasan.

“Bashkëshorti im s’ka qenë asnjëherë afër meje dhe afër fëmijëve”- tregon e prekur gruaja, ndërsa thotë se ka shkuar disa herë në polici dhe tashmë është pajisur me urdhër një-vjeçar mbrojtjeje.

Eglantina

Historia e Eglantinës është vetëm një nga shumë të tjera që gjatë periudhës së pandemisë e rënduan edhe më shumë plagën e dhunës në familje që shoqëria shqiptare e vuan prej vitesh.

Organizatat e të drejtave të njeriut ngritën alarmin se masat kufizuese trefishuan numrin e thirrjeve për ndihmë nga gratë dhe vajzat që u zunë në kurthin e dhunës me bashkëshortët apo familjarët e tyre.

Shtëpia e Eglantinës

Eglantina tregon se ky cikël dhune i akumuluar ndër vite është kuptuar vonë  nga fëmijët e saj.

“Më thanë: Mami ai nuk na pyeti për Vit të Ri nëse kemi apo jo bukë, babë është ai? Aty u preka. Më thanë pse nuk e ke lënë më herët, pse e ke duruar. Por unë gjithmonë me idenë që të mos shkatërroj familjen, ja ku erdhi koha për t’u shkatërru. Nuk i duroj dot më asgjë! Bukë jo, shtëpi jo, kujdes për fëmijët jo, kujdes për gruan jo. S’do, mos i bëj dhunë  gruas, ik!”- shprehet 43-vjeçarja.

Shtëpia e Eglantinës

Më të varfrit u goditën më shumë

Ervis Çota, drejtor i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome në Elbasan, me fokus mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të minoriteteve rome dhe egjiptiane, si dhe familjeve të varfra thotë se 2020 rezultoi një sfidë e madhe për të gjithë shoqërinë shqiptare, por më të goditurat ishin familjet më të varfra, përfshirë familjet rome dhe egjiptiane.

Ervis Çota

“Kjo ndikoi sigurisht dhe tek mbarëvajtja e marrëdhënieve familjare mes bashkëshortëve, sepse gjendja e vështirë ekonomike, nga njëra anë sëmundjet e familjarëve, detyrimet karshi shtetit si faturat e energjisë elektrike, uji – të gjitha këto ndikuan në përkeqësimin e marrëdhënieve midis bashkëshortëve. Dihet që një familje ku mungon mirëqenia, problemet dhe zënkat janë të pranishme më së shumti.”- shprehet Çota.

Eglantina, nëna e dhunuar e dy fëmijëve që e ka provuar këtë në kurrizin e saj iu drejtua kësaj organizate për ndihmë.

“Bazuar tek raportimet tona me komunitetin shihet një shtim i numrit të rasteve të problematikave mes bashkëshortëve dhe ato në familje. Kuptohet që vështirësia ekonomike është mëse e arsyeshme që t’i shkaktojë këto problematika.”- deklaroi drejtori i LRER.

Çota tregon se nga paketat ndihmuese të qeverisë, në shumë raste mbetën jashtë familjet e varfra që nuk trajtoheshin nga skema e ndihmës sociale. Kjo bëri të domosdoshëm mobilizimin komunitar në Elbasan për të vënë në funksion një fond emergjence të bashkisë për ndihma ushqimore ndaj 500 familjeve rome dhe egjiptiane.

Nga ana tjetër, të dhënat e siguruara nga Gjykata e Rrethit Elbasan tregojnë se gjatë vitit 2020, u kërkuan 244 urdhra mbrojtjeje, prej të cilave 54 u pranuan. Statistikat e kësaj gjykate lidhur me rastet e shyrtuara të dhunës në familje, tregojnë se viktimat kryesore janë gratë e martuara të moshës 26-45 vjeçare.

Policia e Shtetit ofroi gjithashtu të dhëna në rang kombëtar mbi këtë fenomen.

“Gjatë vitit 2020, janë evidentuar dhe trajtuar gjithsej 4701 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare, ku janë trajtuar me kërkesë–padi Për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes/Urdhrit të Mbrojtjes, 2816 raste të dhunës në familje.” – bën të ditur policia.

Viti që lamë pas pati një rritje të shifrave, krahasuar me 2019, kur sipas policisë pati 4629 raste të dhunës dhe krimeve të tjera të ndodhura në marrëdhëniet familjare dhe u hartuan 2836 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje.

Papunësi dhe dhunë brenda shtëpisë

Zbrazja e shpejtë e portofolëve të familjeve shqiptare, i mbushi shtëpitë me një tension mbytës që nxori në pah brishtësinë e marrëdhënieve në çift dhe varësinë nga ekonomia ditore.

Instituti i Statistikave përllogariti se gjatë pandemisë humbën vendin e punës rreth 50 mijë shqiptarë. Goditja më e rëndë ka ardhur 6-mujorin e parë të vitit 2020, ndërsa në pjesën e dytë të vitit që lamë pas, nisi ulja e të papunëve, por me ritëm shumë të ngadaltë. Norma e punësimit të grave, krahasuar me vitin 2019 pësoi një rënie me 0.5% ndërsa tek meshkujt ajo u rrit me 0.2%.

Tek komuniteti rom, riintegrimi në tregun e punës është gjithashtu një sfidë madhore pohon Çota.

Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësimit tregojnë se vetëm 1.6 për qind e punëkërkuesve rom dhe egjiptian mundën të përfitonin nga programet e nxitjes së punësimit. Numri total i punëkërkuesve romë dhe egjiptian është 8.9 për qind.

Klara* (*Emri është ndryshuar me kërkesë të të intervistuarës për të ruajtur anonimatin e viktimave të dhunës në familje) një e re nga Tirana, e cila synonte që të krijonte një familje të re me të fejuarin e saj prej dy vitesh, i pa ëndrrat dhe dashurinë t’i thërrmoheshin çdo ditë përpara syve.

Klara

“…Pas një jave apo dy filluam të mendonim për faturat që vazhdonin të rriteshin” – tregon Klara, duke shtuar se ajo kishte humbur vendin e punës prej shkurtimeve që kompanitë bënë gjatë pandemisë, ndërsa partnerit të saj iu pezullua pa afat puna në një palestër.

“Po ashtu dhe mamaja e tij u shkëput nga puna, ishim katër persona në shtëpi – vetëm me një pension të sigurt të vjehrrit, por ishte e pamundur të jetonim ashtu.”- thotë e reja.

“E gjithë ajo kohë që po kalonim ishte duke diskutuar probleme dhe të gjitha problemet kishin në thelb ekonominë. Ajo lloj pasigurie ishte mbytëse, në çift, në raportin që kishim me njëri-tjetrin, në raport me familjarët, tani jam e bindur që ishte shkaku kryesor [i ndarjes]. Më pas zënkat degjeneruan dhe në përplasje me zë të lartë e deri diku edhe fizike.” – rrëfen Klara.

23-vjeçarja thotë se vendosi të ndahej nga i fejuari dhe t’i kërkojë ndihmë familjes së saj për t’u rikthyer shtëpinë e prindërve.

Klara tashmë i është kthyer normalitetit, larg marrëdhënies toksike në çift dhe jep këtë mesazh për gratë dhe vajzat e tjera që përballen me të njëjtën sfidë.

“Sa më shpejt del nga kjo situatë aq më e lumtur ndihesh, por për të kaluar në këtë fazë kur fiton vetëbesimin dhe i kthehesh një jete më të mirë, do të vuash. Paragjykimet e familjes së pari, të shoqërisë, dhe zakonisht faji bie mbi vajzat “e ke stresuar mjaftueshëm” apo “e ke lodhur”, “e ke mërzitur”. Të gjitha këto sjellje shumohen përgjatë ditëve, por në fund kur arrin ta kalosh e kupton që duhet ta kishe bërë dhe më përpara”- thotë e reja.

Por për shumë gra të tjera, dhuna brenda mureve të shtëpisë vijon dhe periudha e pandemisë e bëri më të vështirë denoncimin.

Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ALO 116-117, një organizatë jo fitimprurëse që operon në Shqipëri prej vitit 1996 dhe që i vjen në ndihmë viktimave të dhunës në familje, raporton se regjistroi një trefishim telefonatash për ndihmë gjatë karantinës, krahasuar me vitin 2019.

“Bumi i telefonatave ka qenë në periudhën mars, prill, qershor dhe maj. Pastaj filluan të shkojnë drejtë normalizimit, por në fund të 2020 ne kemi marrë një numër që ishte gati dyfishi i telefonatave të 2019. Kemi 5400 telefona në 2020 krahasuar me rreth 2600 telefonata që kemi pasur në 2019” – raporton Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ALO 116-117.

Urdhrat e mbrojtjes

Të dhënat e Gjykatës së Tiranës tregojnë se për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2020 u regjistruan 151 kërkesa për urdhra-mbrojtjeje dhe 833 kërkesa për urdhra mbrojtje të menjëhershëm, ku në total u pranuan 499.

Një vit më parë (2019), u kërkuan në total 989 kërkesa për urdhra mbrojtje/urdhra të menjëhershëm dhe u pranuan 458 prej tyre.

Procedura ligjore kërkon që pas denoncimit nga gratë në institucione, këto të fundit depozitojnë kërkesë-padinë, brenda 24 orëve – nëse kemi të bëjmë me të mitur, ose 48 orëve për të rriturit. Gjykata bën shqyrtimin e çështjes dhe jep një vendim për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Nëse i drejtohen komisariatit të policisë, komisariati u lëshon grave të dhunuara urdhrin paraprak të mbrojtjes, i cili ka fuqi si vendimi i gjykatës, por vetëm për ato pak orë kur palët të ftohen që të dëgjohen në gjykatë.

Pasi pala paditëse merr urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, kalohet në vërtetimin e tij përmes provave, për të faktuar pretendimet e palës. Ky urdhër lëshohet me afat maksimal 1-vjeçar me të drejtë përsëritjeje.

Gratë kanë mundësi në të njëjtën kohë të bëjnë kallëzim penal ndaj dhunuesve të tyre.

Kërkesat për ndihmë

Pedagogia e gazetarisë dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, njëkohësisht drejtuese e Linjës Alo 116-117, Iris Luarasi shprehet:

“Gjatë periudhës së karantinës, viktima ishte e detyruar të jetonte për 24 orë në ditë për 7 ditë të javës, në të njëjtin ambient me dhunuesin dhe sigurisht që kjo e ulte efektivitetin e një telefonate drejt policisë. Por nga ana tjetër e bënte më të domosdoshme një telefonatë drejt një organizate jo fitimprurëse. Mundësia ishte shumë më e vogël, rreziku shumë më i madh, frika shumë e madhe, sepse dhunuesi nuk largohet për asnjë moment nga shtëpia për shkak të detyrimit që shkakton pandemia.”- sqaron znj. Luarasi.

Iris Luarasi

Një raport i zhdrejtë i telefonatave ndaj policisë dhe organizatave ndihmuese u vu re dhe nga rastet që po paraqisnin vende të tjera si Çekia, Mali i Zi apo Franca, sipas Luarasit, njëkohësisht zëvendëspresidente e parë e grupimit të pavarur të ekspertëve Grevio që monitoron zbatimin e Konventës së Stambollit, kundër dhunës ndaj grave.

Juristja e organizatës së grave në Shkodër “Gruaja tek Gruaja”, Sindi Kola tha se gjatë periudhës së pandemisë, duke nisur nga muaji mars, pranë kësaj organizate ka pasur dyfishim të rasteve të raportuara të dhunës në familje krahasimisht me shifrat e regjistruara një vit më parë.

“Ka qenë e vështirë mbledhja e provave, komunikimi online, pasi ne si organizatë jemi mësuar që me gratë të kemi takime të drejtpërdrejta që të prekim nga afër problematikat e tyre. Pranë organizatës sonë një vit më parë (2019) ka pasur 322 raste të denoncimit të dhunës në familje për të marrë shërbimin, ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë numri i denoncimeve ka qenë afërsisht 700”-tha juristja.

Sindi Kola

Të dhënat e Gjykatës së Shkodrës tregojnë se për vitin 2020 pati 210 kërkesa për urdhra mbrojtje nga të cilat u pranuan 125, një shifër disi më e lartë se viti pararendës (174), por që nuk i afrohet raportimit për dyfishim siç denoncojnë organizatat.

Numri i dhunuesve që ndiqen penalisht, raportohet të jetë shumë herë më i ulët, pasi ata janë kryesisht bashkëshortët me të cilat viktimat ndajnë përgjegjësitë familjare.

“Duke qenë se bëhet nga persona të afërt të familjes, bashkëshortët, për rrjedhojë gratë shpesh herë stepen për të bërë kallëzim penal.”- sqaroi Kola.

Policia e Shtetit referoi në prokurori 1505 raste të dhunës në familje gjatë vitit 2020, ose 164 raste më shumë se viti paraardhës.

Aksesi në drejtësi

“Aksesi i grave të dhunuara në institucione ka qenë i vështirë, duke pasur parasysh se institucionet i kanë mbyllur dyert e tyre gjatë kësaj periudhe”-pohon juristja Kola.

10 mars, pas shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 dhe mbylljes së institucioneve shtetërore, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të pezullojë veprimtarinë dhe shërbimet gjyqësore në të gjitha gjykatat e Republikës së Shqipërisë, pezullim që u shty me afate dy-javore deri më 22 prill.

27 prill puna në të gjitha gjykatat rinisi, duke ndjekur kufizimet e rrepta që synonin parandalimin e përhapjes së pandemisë. Prioriteti kryesor i veprimtarisë së gjykatave u cilësua vazhdimësia e çështjeve me natyrë ngutshme, ndërsa aksesi i publikut në ambientet e gjykatës u kufizua, duke i dhënë përparësi vetëm individëve që kishin urgjenca. Pjesa tjetër e aksesit në shërbime u mundësua përmes shërbimit telefonik dhe elektronik, për të shmangur grumbullimet.

Liria – një rrugë e vështirë

Ndërsa fëmijët e mitur të Eglantinës në Elbasan shohin me shpresë nga e ëma për të thyer zinxhirin e dhunës, Ledina, një e re nga Shkodra vendosi ta ndalojë pasionin e saj, muzikën dhe të vërë një palë kufje shërbimi klienti me një synim të qartë: pavarësinë ekonomike nga normat patriarkale.

Ledina

Vajza 23-vjeçare tregon se ëndrra e saj më e madhe është ta shohë të ëmëm pa presionin e vazhdueshëm që ushtrohet nga të gjitha anët brenda dhe jashtë familjes.

“Nënës i them jeto për veten, jo për komshinjtë, kushërinjtë, apo babin tim, sepse kur jeton për veten ke me jetu për mua.”- shprehet Ledina.

“Ajo ka kaluar kaq shumë vite në një shtypje të tillë saqë nuk e di çfarë është të jetosh për veten. Qëllimi im është që në të ardhmen të mund t’i siguroja këtë liri.”- shton ajo.

Nëna e Ledinës kujdeset vazhdimisht të marrë lejen e të atit edhe për gjërat më të vogla të përditshmërisë, që nga blerja e rrobave apo sendeve të tjera.

Vajza nga Shkodra tregon se pandemia i pezulloi studimet e larta në muzikë në Tiranë, ndërsa kohën në vendlindje po e përdor për të ndihmuar ekonomikisht familjen dhe për të fuqizuar veten, ndonëse në shtëpi, në punë situata është shumë e tensionuar.

Ajo punon në një kompani shërbimi klienti – call center – si shumë të bashkëmoshatarë të tjerë në Shqipëri të detyruar nga nevojat financiare.

Në pritje të rikthimit të koncerteve, muzika më e lumtur për Ledinën do të ishte tingulli i buzëqeshjes së pashqetësuar të mamasë…

“Kam mësuar shumë prej saj, që të mos i bëj ato gjëra vetë, jam mësuar t’i jap forcë, jam bërë në një farë mënyre ‘nëna e saj’ vetëm duke u përpjekur ta nxjerr nga ajo gjendje. Ajo ka një mënyrë të çrregullt të perceptimit të gjërave prej nënshtrimit prej mbi 30 vitesh.”- përmbyll rrëfimin vajza nga Shkodra.

Organizata e Grave në të njëjtin qytet thotë se problemi më i shpeshtë që aktivistët hasin me gratë që kërkojnë ndihmë, lidhet me mbulimin e shpenzimeve gjyqësore të divorcit nga ana e palës paditëse – grave.

“Gratë kanë shumë vështirësi në pagimin e tarifave gjyqësore, sepse kur ka të bëjë me fëmijë duhen paguar edhe ekspertët që kanë tarifa relativisht të larta. Kjo e bën një grua në vështirësi ekonomike të stepet dhe të ndalojë procedurat prej këtyre vështirësive”- thotë juristja Kola.

Një tjetër pengesë që hasin gratë, sipas saj  lidhet me mungesën e ambienteve për të jetuar. Grave u duhet të mendojnë gjatë nëse mund të përballojnë mbajtjen e vetes, fëmijës, pagesat e jetesës dhe jo rrallë herë kjo çon në vazhdimësi të bashkëjetesës me dhunuesin.

*Artikulli nuk shpreh domosdoshmërisht qëndrimin e “Faktoje”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img