BallinaAktualitetSpitali i Sarandës me mungesa të mjekëve specialistë

Spitali i Sarandës me mungesa të mjekëve specialistë

Poliklinika e Specialiteteve në Spitalin Bashkiak të Sarandës ka mungesa sa i takon specialistëve. Spitali i qytetit që ofron shërbim për mijëra pacientë edhe të bashkive përreth dikur ka qenë i kompletuar me specialistë. Problemi, i shfaqur gradualisht vitet e fundit ka bërë që qytetarët e Sarandës të marrin disa shërbime në spitalet rajonale si në Gjirokastër dhe Vlorë.

Cilat specialitete mungojnë

Poliklinika ka mungesë të mjekut gastrohepatolog (për diagnozat e stomakut dhe mëlcisë).

Ky vend ka mbetur vakant prej kohësh. Pacientët me probleme të tilla detyrohen të shkojnë për konsultë në spitalin e Gjirokastrës, Vlorës apo edhe Tiranës.

Në fillim të vitit 2019, një mjeke gastrohepatologe erdhi në spitalin e Sarandës por nuk dihet pse nuk qëndroi për të vijuar punën.

Specialiteti tjetër me mungesa, është mjeku hematolog (për diagnozat dhe problemet e gjakut). Spitali nuk ka një mjek të përhershëm hematolog, por situata është “zgjidhur” duke sjellë një mjek nga Gjirokastra i cili vjen një herë në javë, vetëm të martave me orar të përcaktuar.

Një paciente nga Saranda, e cila priste për mjekun hematolog një ditë të hëne i tha Faktoje se nuk e dinte që doktori vinte vetëm të martave dhe se kjo është kosto për të.

Faktoje pyeti zyrtarisht Ministrinë e Shëndetësisë për këto mungesa, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi ende nuk ka një përgjigje.

Ndërkaq, në portalin “Mjekë për Shqipërinë” janë të hapura tre vende vakante në Spitalin e Sarandës, për mjek anestezist-reanimator, pediatër dhe obstetër-gjinekolog.

Edhe më parë është raportuar se në Sarandë mungesa e mjekëve specialistë, ka detyruar drejtuesit e këtij spitali që të mbajnë ende në punë mjekët që kanë dalë në pension, një situatë që e gjejmë edhe në spitale të tjera rajonale dhe jo vetëm.

LEXO EDHE: (https://faktoje.al/barra-e-shendetesise-ne-kurriz-te-mjekeve-pensioniste/)

LEXO EDHE: https://faktoje.al/ne-fshatrat-e-korces-infermieret-sherbejne-edhe-si-mjeke-brezi-i-pensionisteve-rikthehet-ne-sherbim/)

Spitali i Sarandës ofron shërbim për afro 140 mijë banorë të Sarandës, Konispolit, Finiqit, Delvinës dhe Himarës teksa në sezonin veror për disa mijëra qyetetarë më shumë.

Në Spitalin bashkiak të Sarandës nisi një transformim infrastrukturor me ndërtimin e maternitetit të ri në vitin 2018, për të vijuar me rikonstruksionin dhe shtesën për shërbimet e kirurgjisë dhe patologjisë. Një investim prej 381 milionë lekë nga buxheti i shtetit.

Megjithatë, dukshëm mungesa e disa mjekëve specialistë e bën më pak eficient punën e spitalit dhe kjo është përkthyer në një shërbim të cunguar për qytetarët.

COVID-19 përkeqëson situatën

Përpos mungesës së mjekëve specialistë të përmendur më sipër, infektimi me covid-19 i disa mjekëve që punojnë në spitalin e Sarandës, e ka përkeqësuar situatën.

Disa mjekë si alergologu apo pavioni i kirurgjisë kanë qenë të mbyllur prej disa ditësh.

Megjithatë, sipas informacioneve të Faktoje, Urgjenca e Spitalit të Sarandës “Petro Nako” vazhdon normalisht punën duke pritur një fluks jo të vogël pacientësh çdo ditë, përfshirë edhe të prekurit me covid, sfidë kjo më vete sa i takon spitaleve bashkiakë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img