BallinaPremtimeSa do të shkojë deri në 25 prill, fatura financiare për realizimin e programit të PD?

Sa do të shkojë deri në 25 prill, fatura financiare për realizimin e programit të PD?

Partia Demokratike nisi prezantimin e programit ekonomik në fund të muajit janar, i cili u pasua me paraqitjen e programeve në shëndetësi, arsim e turizëm. Gjatë kësaj kohe, hartuesit kanë artikuluar shifra të ndryshme për koston financiare të realizimit të tyre, duke ngritur shumë pyetje në opinionin publik. Faktoje i dërgoi PD-së 24 kërkesa lidhur me këtë program, por ende nuk kemi marrë përgjigje. Ekspertë të fushës sugjerojnë që PD të bëjë transparencë për burimin financiar për çdo premtim të artikuluar.


Fillimi i parakohshëm i fushatës zgjedhore ka vënë në lëvizje partitë politike të cilat po shpalosin programet e tyre para elektoratit.

Partia Demokratike, në 28 janar 2021 prezantoi programin ekonomik. Ai u pasua në vijim me programin për shëndetësinë, arsimin dhe turizimin.

Gjatë diskursit publik, tema kryesore që ngjalli kureshtje, ishte kostoja financiare për realizimin e këtij programi.

Faktoje me t’u njohur me programin në fjalë gjatë prezantimeve publike, i dërgoi 24 kërkesa zyrtare për informacion PD-së, ku ndër të tjera kemi kërkuar llogaritjen e faturës financiare për secilin premtim të deklaruar si dhe burimin financiar.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Faktoje nuk ka marrë asnjë përgjigje për kërkesat e dërguara.

Gjatë kësaj periudhe, ka pasur deklarata të njëpasnjëshme publike nga hartuesit e programit, për faturën totale finaciare të premtimeve elektorale.

Florion Mima, një ndër hartuesit e programit ekonomik të PD duke folur në ABC News, datë 28 Janar 2021, u shpreh:

“Dhe gjithë këto masa që ju keni nxjerrë këtu i kushtojneë buxhetit të shtetit 500 mln euro, në minus. 250 mln euro është parashikimi, do të vijë nga prerja e duarve të korrupsionit dhe 250 të tjera do të jenë plus nga rritja ekonomike e vendit.

E gjithë fatura e shpenzimeve të ristrukturuara, po themi për rritjen e pagave të mjekëve, rritjen e financimit të bujqësisë, e kështu me rradhë, është e gjitha gati 250 milion Euro.

Në datë 29 janar, Dorian Teliti, një tjetër hartues i programit, u shpreh në A2CNN :

Fatura e programit,e angazhimeve tona buxhetore, është më e ulët se sa 400 milionë euro, 370-380 milionë.”

Po në datë 29 Janar 2021, në një intervistë për Report TV, JoridaTabaku u shpreh:

Të gjitha premtimet kushtojnë rreth 450 milion Euro”.

Në datë 29 Janar 2021, në një intervistë për E-Zone në Vizion Plus, i pyetur për koston e programit të PD, Florion Mima u shpreh:

“Është në dy krahë këndvështrimi për të parë efektet, sa para do të mungojnë nga ulja e taksave, e sigurimeve, e akcizave, etj, nga heqja e një pjese të taksave ekzistuese dhe sa para do të kërkojnë programet shtesë që janë në kahun e shpenzimeve, për bujqësinë, pensionet, arsimin, shëndetësinë. Ne vlerësojmë që jemi diku tek 500 milionë dollarë.

I ftuar në emisionin Log, në ABC News, në datë 1 shkurt 2021, Teliti u shpreh:

“Momentin që neve do të ulim taksat dhe përmirësojmë klimën e biznesit, do të gjenerohet rritje ekonomike, do gjenerohet dhe formalizim. Kështu që ajo që do bëhet nga ulja e barrës fiskale, ne besojmë sipas modelit ekonomik dhe parashikimit statistikor që kemi kryer, që të ekuibrojnë deri diku njëra-tjetrën. Problemi është tek angazhimet. Tek angazhimet tona sot, pra si ‘baby bonusi’, strehimi për 20 mijë çiftet, angazhimet në arsim dhe shëndetësi, në bujqësi 100 milion euro subvencionet, e kështu me rradhë, shkojnë në vlerën maksimale 370-380 milionë euro. Po flasim vitin e parë.

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, më datë 4 shkurt deklaroi se fatura buxhetore e programit të PD shkon 450-500 milionë euro.

Konkretisht të gjitha angazhimet që ka marrë  Partia Demokratike shkojnë në një faturë afro 450-500 milionë euro, në varësi edhe të impaktit që do të ketë të disa treguesve dhe zbatimit të tyre.”-shprehet Tabaku, një nga hartueset e programit politik gjatë emisionit “Çim Peka Live” , ku ishte e ftuar se bashku me zotin Florion Mima.

Në emisionin “Real Story”, në datë 11 shkurt 2021, Dorian Teliti u shpreh:

Pjesa e angazhimeve në shpenzime shkon diçka tek 400 milion euro”.

Ai shtoi:

“Pjesa e taksave, ulja e sigurimeve, ulja e tatimit dhe të gjitha me rradhë shkojnë tek 300 milionë euro.”

Për pjesën ndikimit në taksa ai u shpreh se kjo do kompensohet.

Ulja që ne kemi bërë e taksave, është vetëm 8% e të ardhurve të buxhetit të shtetit në totalin e saj dhe është mëse e rekuperueshme po e po patjetër me reformat që ne do të ndërmarrim dhe me çlirimin ekonomisë.

Pjesa e shpenzime shkon 400 milion Euro, 400 milionë euro vitin e parë, ka kosto 460 milion euro vitin e dytë, ka kosto 520 milion euro vitin e tretë dhe ka kosto pothuajse më pak se 600 milion euro vitin e katërt.”- tha Teliti.

Çfarë thonë ekspertët për ‘faturat’ e programit të PD?

Nisur nga deklaratat e mësipërme, që paraqesin një mospërputhje shifrash, Faktoje kërkoi një opinion nga ekspertë të fushës së financave, se sa reale janë këto kosto.

“Moskoherenca e faturës financiare në kohë, në çfarë përfshihet në kosto, ndërmjet  hartuesve të programit, rrit skepticizmin në publik  dhe e bën programin lehtësisht të sulmueshëm.”- thonë ekspertët për Faktoje.

“Që të bëhet e besueshme,Partia Demokratike, duhet që për çdo premtim, të tregojë faturën financiare si dhe burimin nga do dalin paratë për realizimin e secilit prej tyre.”-sugjerojnë ata.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img