ANXHELA RUÇI
Në mesin e muajit prill, kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e zgjeruar për bizneset, të cilët planifikohen të përfitojnë një pagesë prej 40 mijë lekësh brenda këtij muaji. Kjo pagesë ende nuk është marrë nga të gjithë përfituesit dhe shpërndarja do vijojë përtej prillit. “Faktoje” kontaktoi me 3 kategori bizensesh, që e kanë marrë këtë pagë, që nuk e kanë marrë ende dhe që janë në fazën e ankimimit.
Postimi i kryeministrit Edi Rama, më 14 prill 2020
Përfaqësuesi i rrjetit të hotelerisë dhe agjencisë turistike “Regina Group” në Vlorë, Vasil Bedinaj tha për “Faktoje” se ka aplikuar për 100 individë të punësuar për të marrë pagesën prej 40 mijë lekësh, por është ende në pritje. Ai i tha Faktojes se deri tani në llogaritë e punonjësve nuk ka kaluar shuma e premtuar, por aplikimi është aprovuar.
Bedinaj kërkon që mbështetja të jetë më e madhe, pasi turizmi është dëmtuar rëndë nga kjo situatë dhe pa ndihmën e pushtetit lokal dhe atij qëndror, bizneset rrezikojnë të mos “ngrenë më kokë”.
Në rrjetin e “Regina Group” në kulmin e sezonit turistik punësohen rreth 500 persona, por sivjet me shumë mundësi do të mbeten të papunë dhe nëse situata vazhdon kështu rreth 50% e rrjetit të hotelerisë mund të falimentojë. Pavarësisht ofertave që ky rrjet ka publikuar për muajt e verës, rezervimet janë shumë të pakta.
Një nga hotelet e “Regina Group”, Vlorë
Flori Uka, përfaqësues i agroturizmit” Uka Farm” tha se sipas sistemit të aplikimit 18 punonjësit e tij nuk përfitojnë nga kjo paketë, pasi pas urdhrit të mbylljes së restoranteve, ai ka çregjistruar punonjësit, në pamundësi për ti paguar gjatë kësaj kohe që aktiviteti ishte mbyllur. Për këtë shqetësim ka bërë ankesë në Drejtorinë e Përgjithsme të Tatimeve. Para se të shfaqej pandemia, Uka na tregon se gjatë fundjavave, kur kishte fluks klientëve, ai mbante deri në 25 punëtorë.
Të gjitha rezervimet e bëra që nga marsi deri në muajin gusht janë anuluar dhe vetëm restoranti parashikon se ka humbur rreth 20-25 mijë vizitorë për këto muaj, për shkak të situatës që ka krijuar koronavirusi.
Agroturizmi “Uka Farm”
I vetmi aktivitet që nuk është ndalur në këtë agrobiznes është prodhimi i verës, i cili është kthyer në burimin e vetëm të të ardhurave.
Shpresa se pagesa ka filluar të lëvrohet, vjen nga agjencia turistike “Top Albania Gude”, të cilët na njoftuan se kanë një javë që kanë marrë pagën prej 40 mijë lekësh. Më herët “Faktoje” publikoi një artikull ku kjo agjenci tregoi për humbjet e mëdha që ka pasur për shkak të pandemisë nga COVID-19.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj tha në emisionin “Open” se deri të mërkurën (29 prill) kanë aplikuar për të përfituar nga paketa e zgjerua 94.549 të punësuar dhe po deri në këtë datë kanë marrë pagën e 73.447 aplikantë. Procesi për aplikim dhe derdhjen e pagës sipas Ibrahimjat do të vazhdojnë dhe 10 ditë të tjera pas afatit fillestar, pasi ka shumë përfitues të paketës së zgjeruar që ende nuk kanë aplikuar.
Paketa e zgjerura me shumë prej 40 mijë lekësh që është planifikuar të shpërndahet në 176 mijë të punësuar, do të jepet vetëm një herë, ndryshe nga “paga e luftës”, e cila do të vazhdojë të shpërndahet për disa muaj të tjerë.
Këto pagesa janë një formë për mbijetesën e përfituesve, gjë që e ka theksuar edhe kryeministri. Por a mjafton kjo pagesë për rimëkëmbjen e bisneseve, në një kohë kur masat po lehtësohen javë pas jave dhe kemi një hapje graduale?
Besnik Vathi, anëtar i shoqatës së turoperatorëve tha për “Faktoje” se për momentin nuk mund të ketë një skenar të qartë për hapjen e turizmit. Në kohën e pandemisë, sektori i turizmit është nën presion pasi argëtimi dhe pushimet vetvetiu do kufizohen nga individët.
“E vetmja masë që mund të merret për turizmin është të shpëtohen bizneset nga falimentimi dhe njerëzit nga papunësia dhe këtë mund ta sjellë vetëm zgjatja e ndihmës ekonomike nga qeveria. Ajo duhet të mendojë për punonjësit derisa ky aktivitet të fillojë punë , por kjo nuk do të thotë që normaliteti fillon kur hiqen kufizimet”- shprehet Besnik Vatha.
Në fund të muajit maj, kur zakonisht çelet sezoni turistik, Ministria e Mjedisit planifikon të publikojë një plan sesi do të operohet me turizmin gjatë muajve të verës, në situatën e Covid-19.
Nga vëzhgimi që “Faktoje” bëri për deklaratën e kryeministrit Rama se 176 mijë familje do të marrin pagesën prej 40 mijë lekësh brenda muajit prill, rezulton se paga ka filluar të shpërndahet por jo të gjithë punonjësit kanë arritur ta kenë këtë pagë brenda kohës që Rama kishte përcaktuar.