BallinaPertejKush përgjigjet për refugjatët e paligjshëm nga Lindja e Mesme në Tiranë?

Kush përgjigjet për refugjatët e paligjshëm nga Lindja e Mesme në Tiranë?

Dhjetëra refugjatë nga Lindja e Mesme mbetën të bllokuar në Shqipëri si pasojë e pandemisë “Covid-19”. Ata i sheh duke fjetur në stacionet e transportit urban apo duke kërkuar lëmoshë nëpër rrugë. “Faktoje” bisedoi me një çift të ardhur nga një zonë lufte në Siri, që në pamundësi për t’u trajtuar me azil, enden dhe flenë rrugëve të Tiranës. Autoritetet nuk japin një përgjigje sesa persona të tillë janë në Shqipëri dhe kush i kontrollon.


Erdhëm para gjashtë ditësh. Ishim në Greqi. Duam të qëndrojmë në Shqipëri, – i tregoi “Faktojes” 29-vjeçari Mazhar Shama, i cili ishte larguar si pasojë e luftës dhe gjendjes së vështirë ekonomike nga Siria.

I riu shoqërohej nga bashkëshortja, Mashar dhe ndërsa përpiqej të fshihte fytyrën pas duarve, shtoi se prej gjashtë ditësh flinte te sheshi “Nënë Tereza”.

Mazhar dhe Mashar Shama, çifti nga Siria në kërkim të një vendstrehimi

Që kur kemi ardhur nga Greqia, para gjashtë ditësh, flejmë këtu. Bashkëshortja është shtatzënë, – tha 29-vjeçari Mazhar Shama teksa automjete të Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kalonin aty pranë.

I riu sirian shtoi gjithashtu se ishte pa dokumenta, dhe si i tillë, ai nuk mund të trajtohej “denjësisht”.

Por rasti i Mazharit nuk është i vetmi.

Ndërsa ora 17:30  shënon nisjen e shtetrrethimit për shkak të pandemisë “Covid-19”, Abazi, 24 vjeçari nga Afganistani, qëndon në rrugën e Durrësit në kërkim të të hollave.

Më fal vëlla. Jam nga Afganistani, quhem Abaz. Një grup të rinjsh më sulmuan dhe duhet të shkoj te një klinikë private për të kryer grafinë e këmbës. Kam 350 euro, por më duhen edhe 150 të tjera, – foli ashtu nxitimthi në gjuhën angleze Abazi teksa në fytyrë i dalloheshin qartë hematomat e shkaktuara si pasojë e goditjeve.

Të tjerë refugjatë të bllokuar në Shqipëri i gjen edhe nëpër tregje apo duke u endur nëpër rrugë.

Të premten e 24 prill, dy të rinj, me një pankartë ku shkruhej “Ndihmë”, dhe duke tymosur duhan qëndronin përbri godinës së Kuvendit.

Foto ilustruese

Agjencia Europiane për Kufirin dhe Rojen Detare, FRONTEX,  e cila patrullon dhe kufijtë e Ballkanit Perëndimor raportoi se gjatë muajit mars 2020 u regjistruan 1100 gjurmime të kalimeve të paligjshme të kufirit në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor, duke shënuar një rënie me 45 % krahasuar me muajin paraardhës, e cila besohet se ka ardhur për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19.

FROTEX nga ana tjetër thekson se në tre muajt e parë të vitit, numri i kalimeve të paligjshme kufitare u dyfishua në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në më shumë se 5700 emigrantë . Qytetarë nga Siria dhe Afganistanit përbënin shumicën e emigrantëve të zbuluar në këtë rajon gjatë kësaj periudhe.

Refugjatët e paligjshëm në Ballkanin Perëndimor gjatë muajit mars 2020, FRONTEX

Më herët organizata të ndryshme për migracionin kishin kërkuar rishikimin e kushteve dhe kapaciteteve nga Qeveria e Shqipërisë për sa i përket përballimit të flukseve migratore.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, IOM në “Strategjinë Kombëtare për Migracionin dhe Plani i Veprimit 2019–2022” kërkoi rritjen e kapaciteteve pritëse migratore.

Rritja e numrit të refugjatëve dhe të imigrantëve ka nxitur nevojën për rritjen e kapacitetit të pritjes së azilkërkuesve dhe migrantëve në Tiranë dhe në kufij. Kapaciteti i përgjithshëm pritës në vend është 400 dhe deri tani ka qenë i mjaftueshëm duke pasur parasysh natyrën e përkohshme të lëvizjes, por do të ishte i pamjaftueshëm nëse rritet numri i personave që qëndrojnë në vend. Nuk ka streha të specializuara për gratë dhe fëmijët në rrezik, ndërkohë që referimet në qendrat rezidenciale të kujdesit të menaxhuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale kanë rezultuar të vështira për shtetasit e huaj,- thuhet në raportin e IOM.

Emigrantët me të cilët arritëm të bisedonim na treguan se policia i sheh, por nuk reagon. “Faktoje” u përpoq të kontaktojë edhe me Drejtorinë e Përgjitshme të Kufirit si dhe Policinë e Shtetit, nga të cilat kërkoi sesi po veprohet me këta emigrantë të cilët janë jashtë kontrollit. Deri në publikimin e këtij artikulli “Faktoje”nuk arriti të merrte një përgjigje ezauruese, por vetëm deklarime se po punohet mbi situatën.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img