BallinaPertejPaditë në gjykata, dredhia e të pushtetshmëve për të penguar të vërtetën

Paditë në gjykata, dredhia e të pushtetshmëve për të penguar të vërtetën

ELISA GJERANI

Paditë nga ana e kompanive, individëve ose institucioneve shtetërore ndaj gazetarëve për shpifje, cënim nderi dhe dinjiteti kanë pësuar një rritje viteve të fundit. Sipas ekpertëve të medias dhe atyre ligjorë, fenomeni i SLAPP (Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) po synon intimidimin e gazetarëve. Si po ndikojnë këto padi ndaj përpjekjeve për gazetari cilësore, teksa gazetarit ndonjëherë të zhveshur edhe nga mbrojtja e redaksisë, i duhet të paraqitet në dyert e gjykatave dhe të përballet me ‘të pushtetshmit’?

Në 2016-n, rrjeti i gazetarisë investigative BIRN realizoi 3 artikuj investigues lidhur me gjyqtarin Gjin Gjoni dhe bashkëshorten e tij. Artikujt sollën si pasojë, paditjen e kësaj media nga ana e gjyqtarit. Në atë kohë, BIRN bëri të ditur se i qëndronte shkrimeve të publikuara dhe se ishte  i gatshëm të përballet në gjykatë me të gjitha pretendimet, duke e konsideruar padinë civile të ngritur nga gjyqtari si të pabazë.

 Më 17 shtator 2020, BIRN realizoi një tjetër investigim, “Kush është biznesmeni në hije i monopolit të inceneratorëve”, që provokoi ngritjen e një padie nga Mirel Mërtiri. Sipas shkrimit të publikuar, Mirel Mërtiri është biznesmeni i cili qëndron në hije të monopolit të inceneratorëve duke shfrytëzuar lidhje e tij të afërta me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dyja krahët e politikës. Pas publikimit të artikullit, biznesmeni Mirel Mërtiri, paditi në Gjykatën e Tiranës rrjetin investigativ BIRN Albania. Në kërkesë-padi, Mërtiri kërkon fshirjen e shkrimit “Politika pas plehrave: Kush është biznesmeni në hije i monopolit të inceneratorëve” dhe pretendon se raportimi për lidhjet e tij me koncesionet e trajtimit të mbetjeve urbane i ka shkaktuar ‘një dëm shumë të rëndë moral dhe ekzistencial’.

“Në të dy rastet, BIRN ka vlerësuar se paditë nuk kanë bazë, nuk adresojnë asnjë fakt të vetëm të gabuar në shkrimet tona dhe si të tilla, besojmë se janë ngritur me qëllimin për heshtur, apo intimiduar jo vetëm ne si gazetarë, por gazetarinë cilësore në tërësi. Padi të tilla SLAPP (Padi Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike) janë tashmë një shqetësim konstant mbi lirinë e shprehjes dhe të medias në botë dhe përdoren më së shumti nga individë të pushtetshëm, të pasur, apo korporata me synimin e shtyrjes së kritikëve drejt heshtjes. Padia e ngritur nga ish-gjyqtari Gjin Gjoni u pushua nga Gjykata e Tiranës, pas mungesave të përsëritura në gjyq nga ana e avokatëve të tij. Ndërkohë, padia e ngritur nga Mërtiri është ende në fazën fillestare në gjykatë, ndonëse ka kaluar tashmë një vit”- tha Aleksandra Bogdani, kryeredaktore e BIRN dhe njëkohësisht bashkëautore e këtyre artikujve me karakter investigues.

Ajo rrëfen gjithashtu, për Faktoje, se si ndikuan këto padi në jetën e saj profesonale.

“Asnjë gazetar, apo media nuk mund të jetë i lumtur kur paditet, pasi procese të tilla janë shpërqendruese dhe kushtojnë kohë, energji dhe burime shtesë financiare, që shumica e gazetarëve në Shqipëri nuk e ka luksin që t’i përballojë. Në anën tjetër, do të duhet të përballesh me ritmin prej breshke të sistemit gjyqësor apo me mungesën e një jurisprudence të konsoliduar mbi çështjet e medias në Shqipëri. Personalisht, por edhe si organizatë, i kemi përjetuar si pjesë të pashmangshme të punës sonë dhe me qetësinë se shkrimet në fjalë i kanë shërbyer interesit më të lartë publik dhe përmbushin të standardet më të mira profesionale dhe etike”- shton ajo për Faktoje.

SLAPP ose akronimi për Strategic Litigation Against Public Participation, (Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) është fenomeni ku individë me pushtet, apo një kompani synon të shtyjë “kritikët”, në këtë rast gazetarët, drejt heshtjes përmës ngritjes së padive, ndjekja e të cilave shpesh ka kosto të lartë, ndërsa vetë procesi gjyqsor, nxit frikë dhe pasiguri.

Kompania e ndërtimit Edil al-it në vitin 2017 paditi për shpifje dhe cënim imazhi, gazetarin Artan Rama për një shkrim të botuar në rrjetin social “Facebook” mbi tenderin e rikonstruksionit të Teatrit te Operas dhe Baletit. Ndërkohë që Gjykata e Tiranës e shpalli të pafajshëm.

“Ishte një humbje për kompaninë e ndërtimit. Kompania pretendoi se ishte dëmtuar reputacioni i saj, por gjykata i rrëzoi këto pretendime dhe gjykata veproi drejt”- tha Rama për Faktojen.

I njëjti gazetar është paditur në 2020-ën nga kompania “Albtek Energy”, për prishje imazhi, në një artikull i cili zbardhte prapaskenat e një kontrate të dytë për inceneratorin e Elbasanit.

Për këtë çështje gazetari Rama shprehet:

“Kompanitë nuk dëshirojnë të publikojnë aktivitetin e tyre, përveç se kur kërkojnë që të promovohen. Por kur aktiviteti i tyre bëhet pjesë e kritikave publike, ata kërkojnë ndëshkimin e gazetarëve. Një mënyrë është ngritja e padive, të cilat i ngarkojnë gazetarët me detyrime financiare. Ka raste (jo pak) kur kompanitë i shpërblejnë gazetarët të cilët, i shërbejnë interesave financiare të kompanive dhe jo interesit publik”.

Padi për të frenuar gazetarinë cilësore?

Në lidhje me paditë ndaj gazetarëve, të cilat vitet e fundit po rriten ndjeshëm, gazetari Artan Rama thotë:

S“Asgjë nuk është e sigurt, kur paraqitesh përpara një gjykate. Në Shqipëri je dy herë më shumë i rrezikuar kur përballesh me padi të tilla prej bizneseve, të cilat për shkak të fuqisë financiare, joshin më me lehtësi sistemin. Kësisoj, askush nuk dëshiron të përballet me rreziqe kaq të mundshme edhe nëse ka raportuar në mënyrë korrekte”.

Për Aleksandra Bogdanin, problemi lind kur garancitë ligjore shfrytëzohen qëllimisht për të ushtruar trysni, për të mbyllur gojën, apo për të censuruar faktet dhe të vërtetat e hidhura.

“Fatkeqësisht, padi të tilla janë shtuar në vitet e fundit dhe i vendosin shpeshherë gazetarët nën një trysni të dyfishtë, jo vetëm nga paditësit, por edhe nga pronarët e mediave ku ata punojnë. Si pasojë, shumica e çështjeve të rëndësishme zhduken nga ekranet apo faqet online –ose më keq, nisin të pasqyrohen si ‘suksese të paimagjinueshme’. Fenomene të tilla mund të shmangen vetëm përmes fuqizimit të gazetarëve dhe institucioneve mediatike në përgjithësi”- përfundon Aleksandra Bogdani nga BIRN.

 

Hermetizimi i informacionit dhe presioni

Format e presionit ose përpjekjet për të frenuar punën e një gazetari, apo media, janë nga më të ndryshmet. Në përpjekje për ç’hermetizim të informacionit në kuadër të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka paditur Komisionerin për të Drejtën e Informimit, pasi ky i fundit e detyroi që të japë informacionin e kërkuar nga Faktoje.

Viola Keta, kryeredaktore e Faktojes u shpreh se dërgimi i kërkesave për informacion nga gazetarët e kësaj redaksie, ka rezultuar të jetë një mënyrë shumë efikase për të informuar me vërtetësi publikun dhe nga ana tjetër për të qenë i mbrojtur nga pretendimet, apo presioni institucional, sidomos kur ‘hyjnë në lojë’ çështje të ndjeshme.

“Sigurisht, kjo nuk ka për t’i dhënë fund kontestimeve e mbase edhe padive, por shanset janë shumë të pakta që gazetarët të përfundojnë dyerve të gjykatave, nëse janë të mirëinformuar dhe të përgatitur për të dhënë argumentat” – u shpreh ajo.

Probleme me mungesën e transparencës dhe me hermetizimin e informacionit, raporton edhe gazetari Geri Emiri, i cili teksa punonte për një shkrim për Portën Vendore, hasi nërefuzimin e institucioneve lokale në Durrës.

 “Në vitin 2019 në kuadër të një shkrimi për median Porta Vendore i dërgova një Kërkesë për Informacion Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës dhe ky autoritet publik pas një serie videosh dhe shkrimesh investigative vendosi të mos më jepte përgjigje zyrtare duke pretenduar për ‘dezinformim dhe dashakeqësi’. Ky autoritet publik përveçse shkeli detyrimet që burojnë nga Ligji për të Drejtën e Informimit mori rolin e gjykatës, duke dalë në përfundime teksa ishte në konflikt interesi, si palë e përfshirë në shkrim. Pas referimit të rastit tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit, ai arsyetoi se qëndrimi i mbajtur nga ujësjellësi bie ndesh me qëllimin e ligjit, i cili është garantimi i njohjes së publikut me informacion dhe u gjobit me 150 mijë lekë të reja për mos dhënie informacioni”- tha Emiri për Faktoje.

Edhe pse, Safe Jounalist Reports për vitin 2021 raportoi se ka një ulje të kërcënimeve ndaj gazetarëve, krahasuar me vitin 2020 , të dhënat për Shqipërinë mbeten shqetësuese.

Screenshot faqja Safe Journlist Reports, që përditëson në mënyrë periodike të dhënat

“Mendoj se raportet e rregullta të organizmave ndërkombëtare, me fokus lirinë e mediave, e ilustrojnë më së miri situatën, ndaj do ishte e tepërt të shtoja argumenta të tjerë. Megjithatë, nëse do t’i kthenim sytë nga vetja, si komunitet gazetarësh, do pranoja se kemi nevojë të shtrijmë njohuritë ligjore bazë deri te gazetarët më të rinj, me qëllim rritjen e cilësisë së informimit dhe ruajtën e dinjitetit”- tha Viola Keta, kryeredaktore e Faktojes.

Një rast presioni i institucioneve shteterore ndaj misionit gazetarëve për informim dhe transparencë është dhe rasti ku Presidenca refuzoi hapur zbatimin e vendimit të Gjykatës Administrative, e cila vendosi në favor të Faktojes duke e detyruar institucionin e Presidentit të Republikës të vërë në dispozicion faturat e shpenzimeve të titullarit në udhëtimet jashtë vendit për periudhën janar 2018-qershor 2019.

Ekspertët e shqetësuar për statusin e gazetarit

Ekspertja e medias Brunilda Bakshevani tha se vitet e fundit ka pasur një numër në rritje të fenomenit të ngritjes së padive tanimë, jo vetëm ndaj gazetarëve, por edhe ndaj OJF-ve.

“Paditë për shpifje, më herët kanë qenë praktikë më e shpeshtë e politikaneve dhe zyrtarëve ndaj njëri-tjetrit. Por së fundmi, kemi një rritje të rasteve të padive ndaj gazetarëve dhe mediave, duke shënuar psh. në fund të vitit të kaluar të paktën tre padi kundër tre gazetareve të ndryshëm. Një prej padive është ngritur madje nga një institucion qeveritar (Ministria e Mbrojtjes) ndaj një gazetareje (Juli Ristani). Proceset gjyqësore janë ende në zhvillim e sipër, ende pa një vendim final”, -tha Bakshevani.

Sipas Bakshevanit, qëllimi i padive ndaj gazetareve për shpifje e cënim reputacioni kanë synim kryesor intimidimin, lodhjen dhe frikësimin e gazetarëve.

“Padyshim që një ndikim në vetë censurimin e medias dhe gazetarëve këto procese e kanë. Ndoshta për gazetarët që ju keni përmendur, paditë nuk kanë për të cënuar profesionalizmin e tyre në të ardhmen, por për të tjerë gazetarë, me pozita më pak të sigurta financiare e profesionale, kërcënimi me një padi që mund t’i penalizojë me gjoba të konsiderueshme dhe mund t’i stepë, duke ndihmuar vetëcensurimin e gazetarëve, apo censurimin e tyre nga mediat ku janë të punësuar” -tha ajo për Faktojen.

Juristja Irena Dule, nga Qendra “Res Publica” tregon se ka një trend rritës të fenomenit të padive SLAPP, ose padive të ngritura me qëllim intimidimin e gazetarëve.

“Për këtë duhet t’i drejtohemi statistikave të gjykatave dhe ato tregojnë një trend rritës, në një periudhe afatgjatë, por fenomeni më shqetësues është fakti se këto padi po përdoren nga politikanë, përfshirë kryeministrin dhe biznese të fuqishme të cilët e kanë të lehtë të angazhojnë burime njerëzore dhe financiare për këto lloj padish”- argumenton ajo për Faktojen zonja Dule.

“Qendra Res Publica, përmes avokatëve të saj për momentin po ndjek 6 raste të tilla, ku nuk ka ende një rezultat final. Procesi vlerësohet përgjithësisht i mirë, por ka raste kur gjyqtarët ndihen nën presion deri në pikën ku mund të vihet në dyshim objektiviteti i çështjes”- thotë e shqetësuar avokatja.

“Një gazetar duke harxhuar kohë energji, para, për të përballuar proceset gjyqësore, nuk do të ketë eficencë në profesio. Vetëcensura, natyrshëm zë vend edhe te gazetarët e tjerë potencialë për t’u paditur, pasi rritet nevoja për të bërë ‘kujdes’ në raportim. Dikush prej gazetarëve mund të ndihet edhe i frikësuar, apo i kërcënuar, qoftë edhe në financat e veta. Në rastet e ndjekura nga Qendra kjo e fundit nuk është konfirmuar, pasi gazetarët kanë qenë vërtet kurajozë dhe padi të kësaj natyre vetëm sa u kanë shtuar revoltën, por të gjitha të tjerat janë raportuar si problem”- përfundon juristja Irena Dule.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img