BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëShijak/Institucionet shifra të ndryshme për numrin e pallateve që do të ndërtohen për të pastrehët

Shijak/Institucionet shifra të ndryshme për numrin e pallateve që do të ndërtohen për të pastrehët

Ina Allkanjari

Ndërtimi i tre pallateve për të pastrehët ka qenë një prej premtimeve të dhëna nga kreu i Bashkisë Shijak, Elton Arbana në Janar të vitit 2021. Bashkia Shijak pretendon se 3 pallate për të pastrehët do të ndërtohen me financim nga Enti Kombëtar i Banesave, ndërsa ky i fundit shprehet se do të ndërtojë vetëm një ndërtesë 6-katëshe në truallin e vënë në dispozicion nga Bashkia Shijak.

————-

“Lajmi i mirë është se në Shijak do të ndërtojmë 3 pallate për të pastrehë” – deklaroi në 29 Janar 2021, Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Postimi i kreut të Bashkisë Shijak, datë 29 Janar 2021

Në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 118 datë 21.12.2020 njoftohet se është miratuar përdorimi i pasurisë truall me sipërfaqe 3320 m2 ku do të ndërtohet objekti i banimit, me qëllim ndërtimin e godinave të banimit për strehim social. Ndërsa theksohet se investimi për ndërtimin e këtij objekti do të bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave. 

Vendimi i Këshillit Bashkiak datë 21.12.2020

Më tej në datë 07.05.2021 në vendimin nr 26 të Këshillit Bashkiak, specifikohet se do të ndërtohen 3 objekte shumëfamiljare (pallate) për të pastrehët, me sipërfaqë 8400 m2.

Vendimi i këshillit bashkiak nr 26 datë 07.05.2021, ndërtimi i 3 pallateve për të pastrehët

Në datë 17 gusht 2021 “Faktoje” ju drejua me një kërkesë për Informacion Bashkisë Shijak, lidhur me numrin e pallateve që do të ndërtohen për të pastrehët, me ecurinë e këtij procesi dhe se sa buxhet është alokuar për ndërtimin e tyre.

Kërkesa për informacion drejtuar Bashkisë Shijak

 Në përgjigjen e saj të ardhur në redaksinë e Faktoje më datë 30.08.2021 Bashkia Shijak shkruan: “Do të ndërtohen tre pallate për të pastrehët në Bashkinë Shijak dhe financimi për ndërtimin e tyre do të bëhet nga Enti Kombëtar i Banesave”.

Përgjigja e Bashkisë Shijak, 30 gusht 2021

Sipas kreut të Bashkisë së Shijakut Elton Arbana, ndërtimi do të bëhet në një truall me sipërfaqe rreth 3000 m2, i cili ndodhet mes policisë dhe spitalit, me certifikatë pronësie nga bashkia.

“Ne mendojmë t’i ndërtojmë pallatet në një hapësirë boshe që është tokë e Bashkisë së Shijakut me certifikatë pronësie dhe ndodhet mes policisë dhe spitalit. Janë rreth 3000 metra dhe, aty është propozuar që të ndërtohen pallate, ose banesa kolektive për të pasterehët, të cilat nuk do të ndërtohen nga bashkia e Shijakut, sepse e ka të pamundur që me buxhetin që ne kemi të realizojmë diçka të tillë, por do të bëhet me fondet e qeverisë dhe nga Ministria e linjës që do të merret me këtë pjesë”, u shpreh Arbana për Faktoje.

Google map, zona ku do të ndërtohen pallatet për të pastrehët Shijak

Aktualisht, sipas kreut të bashkisë së Shijakut janë rreth 11 familje, që kanë statusin e pastrehë dhe kanë që prej vitit 2017 që trajtohen me bonus, si të pastrehë.

Pas përgjigjes së Bashkisë Shijak, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Entit Kombëtar të Banesave si njësi zbatuese dhe financuese e këtij projekti, ku ndër të tjera e pyesim:

Kërkesa për Informacion drejtuar EKB datë 23.09.2021

Në përgjigjen për “Faktoje”, Enti Kombëtar i Banesave shkruan se do të ndërtojë 1 banesë 6 kate me një katë nën tokë në truallin e vënë në dispozicion nga Bashkia Shijak, pasuria me Nr.20/4 të ZK 3369. Fondi i miratuar për këtë investim është 100,000,000 lekë me TVSH duke përfshirë çdo shpenzim të nevojshëm për këtë qëllim.

Përgjigja e Entit Kombëtar të Banesave datë 28.09.2021

 Në lidhje me datën e përfundimit të objektit ku do të akomodohen 25 familje, sipas Entit Kombëtar të Banesave, pritet të përfundojë rreth mesit të vitit 2023. Në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, më shtator 2021 është hapur dhe procedura e tenderit.

Tenderi i shpallur në sistemin elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik

Në krahasimin e dy përgjigjeve nga dy institucionet, vihet re se numri i pallateve që pritet të ndërtohet për të pastrehët në Shijak, nuk është i njëjtë. Nisur nga të dhënat e siguruara nga Faktoje, premtimin e kreut të Bashkisë Shijak, për 3 pallate për të pastrehët e kategorizojmë si gjysmë të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img