BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKlikimet nxisin vdekjen e rreme të personave të njohur 

Klikimet nxisin vdekjen e rreme të personave të njohur 

Një mënyrë mashtrimi për të mbledhur shikime dhe klikime në rrjetet sociale është përhapja e lajmeve të rreme për vdekjen e njerëzve të njohur nga publiku. Faktoje ka evidentuar se kjo metodë ka filluar të ushtrohet edhe në rrjetin social TikTok, duke i sjellë të paktën njërës prej llogarive që po e përdor mbi 24 mijë ndjekës dhe 400 mijë pëlqime.

Videot që përmbajnë lajmet e rreme mbi vdekjen e personazheve të njohur nga publiku shqipfolës, si Fane Rugova, Mentor Kurtishi apo Sabri Fejzullahu, kanë marrë qindra mijëra shikime në TikTok. Në Shqipëri ndërkohë, është zgjedhur nga ky profil që të shpërndahet lajmi i rremë i vdekjes së nënës së Luiz Ejllit apo edhe prekja e tij nga kanceri në mëlçi, për të cilin sipas postimit, mjekët i japin vetëm disa muaj jetë. Të gjitha këto njoftime të rënda janë përgënjështruar ditët e fundit nga vetë personazhet e zgjedhura për të tërhequr klikime nga ky profil. 

Vlen të përmendet se në platformën Tik Tok, numri i shikimeve mund të përkthehet në përfitime monetare, me anë të TikTok Creator Fund. Ky është një fond i krijuar nga TikTok, me anë të të cilit kompania paguan krijuesit që plotësojnë disa kritere, duke përfshirë një minimum prej 10 mijë ndjekësish. Këto llogari paguhen në varësi të sasisë së shikimeve dhe ndërveprimeve që marrin videot e tyre.

Kështu, publikimi dhe përhapja e lajmeve të rreme të dizenjuara për të tërhequr vëmendjen dhe provokuar kureshtjen e publikut tashmë kanë pas edhe incentivë monetare, një arsye më shumë për lexuesin të presë me skepticizëm lajme të tilla.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img