BallinaFaktometerE Pavërtetë“Loja e kungulleshës” me shifrat e testeve serologjike për Covid-19

“Loja e kungulleshës” me shifrat e testeve serologjike për Covid-19

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, në një intervistë për emisionin “Open” njoftoi se deri në 29 qershor ishin kryer më shumë se 8 mijë teste serologjike tek stafi mjekësor. Testet serologjike targetojnë kategoritë më të ekspozuara ndaj prekjes nga Covid, si mjekët, policët etj. Të mërkurën e 8 korrikut, ISHP njoftoi se që nga nisja e procesit ishin kryer 4010 teste serologjike, pra gjysma e asaj që dha ministrja një javë më parë. Gjatë verifikimit për shifrat që nuk përputheshin, “Faktoje” konstatoi përdorimin e dy standardeve për shpjegimin e testeve, çka në vend që të sqarojë e çorodit më shumë audiencën duke e lënë ende të paqartë situatën.


Kemi filluar testimin e serologjisë për mjekët. Janë bërë më shumë se 8 mijë analiza serologjike, deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu më 29 qershor.

Të mërkurën në 8 korrik, Instituti I Shëndetit Publik (në varësi të MSH) raportoi të dhënat lidhur me testimet totale, të cilat për herë të parë, u publikuan të ndara në dy kategori, testime molekulare dhe serologjike, ku këto të fundit rezultojnë 4,010.

Ministria e Shëndetësisë, gjatë përditësimit të situatës si pasojë e pandemisë “Covid-19”, të mërkurën në 8 korrik, raportoi të dhënat lidhur me testimet totale, që për herë të parë, u dhanë të ndara në testime molekulare dhe serologjike, ku këto të fundit rezultojnë 4,010.


Të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, 08.07.2020

Nga një krahasim i të dhënave bie në sy se shifra e publikuar dje nga ISHP është sa gjysma e asaj që deklaroi Manastirliu, në 29 qershor, ndërsa logjikisht kjo shifër duhej të vinte duke u rritur me kalimin e ditëve. “Faktoje” pyeti në Ministrinë e Shëndetësisë për shifrat që nuk përputheshin.

Nga Ministria e Shëndetësisë na u komunikua se deri më 8 korrik 2020, në laboratorin e mikrobiologjisë në ISHP ishin testuar në fakt 4010 individë, me shpjegimin se secili i është  nënshtruar dy testeve të ndryshme, (Testet kërkojnë dy lloje të antitrupave: imunoglobulin M (IgM dhe G (IgG), pra 4010 individë X 2 = 8020 teste sipas shpjegimit të MSH.

Nga ky sqarim, duhet të marrim të mirëqenë se kur ministrja deklaroi për mbi 8,000 teste të kryera duhet të kuptonim rreth 4,000 individë. Duke ndjekur të njëjtën logjikë, kuptojmë se nëse deri në 29 qershor ishin kryer 8000 testime (rreth 4,000 individë), nga ajo ditë deri në 8 korrik numri i testeve serologjike nuk ka ndryshuar, por gjithnjë nëse raportimit zyrtar të ISHP për 4,010 teste serologjike i referohemi tashmë si individë!

“Faktoje” ngre dy pyetje:

  1. Janë dhënë gabim shifrat nga ministrja në datë 29 qershor apo nga ISHP në 8 korrik?
  2. Po të dhënave që ISHP jep në 8 korrik për 4010 teste serologjike si duhet t’u referohemi, si 2005 individë (4010 : 2)?

“Faktoje” pyeti mjekë specialistë, që kërkuan të mos identifikohen, të cilët na sqaruan se 4010 teste serologjike tregon numrin e individëve të testuar dhe se koncepti nuk ndryshon edhe pse analiza përfshin dy elemente. Ndaj shpjegimi i MSH se 8,000 testet serologjike të artikuluara nga Manastirlu nënkuptojnë 4000 individë, nuk qëndron.

Ndërkohë ne morëm në shqyrtim të dhënat e raportuara nga ISHP për harkun kohor të 24 orëve, nga 7-8 korrik.

Më datë 07.07.2020, ISHP raporton për 29,669 testime totale.

Një ditë më pas, më 08.07.2020, ISHP raporton për 30,696 testime totale.

Pra, numri i testeve anti covid të kryera në 24 orë është 1,027.  Në po të njëjtin komunikim, ISHP raporton se “gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 397 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, ( teste molukulare)”.


Të dhënat të përpunuara, bazuar te raportimet e M.SH.

Pra, nëse në një ditë janë kryer 630 teste serologjike (individë), edhe sikur nga data 29 qershor e deri në 7 korrik të mos ishte kryer asnjë test serologjik, deklarata e ministres Manastirliu rezulton e pavërtetë.

*Prova po të marrim të mirëqenë deklaratën e ministres:

Deri në 29 qershor-Manastirliu:  Mbi 8000 teste serologjike

Në 24 orë (7-8 korrik)-ISHP                630 të testuar


Rezultati                                              7370 të testuar

*Referuar raportimit të ISHP se deri më 8 korrik, në total janë 4010 teste serologjike (individë), nëse do i zbrisnim edhe 630 testet  individë) të kryera (7-8 korrik), do ishin më pak nga shifra prej më shumë se 8 mijë testesh serologjike që Manastirliu deklaroi në 29 qershor.

Gjatë përditësimit të datës 9 korrik, “Faktoje” konstatoi se ISHP nuk e bëri më raportimin e testimeve të detajuara sipas kategorive (molekulare, serologjike), por i përmblodhi në një shifër të përbashkët.


Screenshot nga përditësimi i Ministrisë së Shëndetësisë, 09.07.2020

“Faktoje” pyeti edhe shefen e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico lidhur me testimet e kryera në vend, por deri në momentitn e publikimit të këtij artikulli nuk patëm një përgjigje.

Shqipëria nisi testimin testimin serologjik në një laborator të ri në Institutin e Shëndetit Publik më 21 prill. Rreth 18 mijë individë që i përkasin personelit shëndetësor, policia dhe “grupet e rrezikuara” si më të ekspozuarit ndaj prekjes nga “Covid-19” parashikoheshin t’i nështroheshin këtij testi.

*Foto kryesore është marrë nga rrjeti social “Facebook” i ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img