Dhjetra tonelata me mbetje janë depozituar sërisht në zonën e Manzës, duke rrezikuar shëndetin e banorëve, dhe duke ndotur mjedisin. Kreu i qeverise Edi Rama në qershor të këtij vitit premtoi se mbetjet e Durrësit do të depozitoheshin në Sharrë megjithatë gjatë ditëve të fundit në Manzë janë depozituar dhe djegur sasi të tjera me mbetje, për të cilat bashkia bën përgjegjëse IKMT-në.
Pas protestave të njëpasnjëshmë të banorëve të Manzës, mbetje të tjera urbane janë shkarkuar dhe djegur në Manzë. Ditët e fundit disa banorë u ankuan dhe bënë publik rastin.
Në fillim të qershorit kryeministri Edi Rama tha se: “Këto ditë që flasim po kryhet një proces finalizmi dhe negocimi me Bashkinë e Durrësit dhe agjencinë shtetërore dhe shumë shpejt brenda javës do kemi një marrëveshje, për të bërë lëvizjen e të gjitha mbetjve në Durrës drejt landfillit të Sharrës”.
Pas ankesave të qytetarëve, Faktoje shkoi për të parë situatën dhe disa vatra tymi janë ende aktive.
Ndër të tjera, mbetje të reja urbane janë sjellë në këtë vend-grumbullim ditët e fundit.
Banorët kanë vendosur këto ditë edhe disa blloqe betoni për të ndaluar mjetet që sjellin mbeturina aty.
Faktoje pyeti zyrtarisht Bashkinë e Durrësit nëse vijojnë të hedhin mbetjet në këtë vend-grumbullim por ky institucion mohoi në mënyrë kategorike që kjo të ketë ndodhur nga ndërmarrja e tyre e pastrimit, duke ngarkuar me përgjegjësi IKMT-në i cili është institucioni që duhet të kontrolloje territorin dhe të ndalojë shkelje të tilla.
Por ndërsa pushteti vendor tërhiqet dhe ngarkon më përgjegjësi një tjetër insitucion shtetëror, banorët tregojnë se si po helmohen çdo ditë nga djegia e mbeturinave që hidhen pranë shtëpive të tyre.
Jeta pranë plehrave
Osman Taka, banori 64 vjeçar nga Manza thotë për Faktoje se plehrat janë shumë problem për zonën.
“Sa kam ardh’ ktu prej 24 vitesh i maj men kshu pehnat. Tallen me ne, njer i ndezin njer i fikin masanej patën fillu prapë të sjellin të tjera po ka nja 3 ditë që skanë sjellë mo”, thotë ai.
Nilke Lasku, 76 vjeçe nga Manza thotë se hedhja dhe djegia e mbeturinave u ka shkaktuar shumë probleme.
“Vij ktu e shof djalin, se vetë rri ma poshtë, ktu të myt era, po dhe atje te unë nihet era. Ktu ashtë si me jetu në ferr”, thotë ajo.
Nëna Nilka dhe Osmani kanë jetuar prej vitesh me mbetjet pranë dhe duket sikur nuk u bën më përshtypje.
Teksa u kryqëzohen rrugët fare pranë plehrave, ndezin një cigare dhe thonë se nuk kanë frikë fare nga virusi.
“S’na ze koronavirusi ne jo, se i kena viruset në derë e janë ma t’fortë se ky i rivi”, thotë Osmani duke iu referuar plehrave.