BallinaFaktometerPa kategoriMos i prisni ende biletat! Gjermania nuk ka hapur dyert për emigrantët nën 35 vjeç

Mos i prisni ende biletat! Gjermania nuk ka hapur dyert për emigrantët nën 35 vjeç

“Gjermania hap dyert për emigrantët: Kush është nën 35 vjeç të vijë të punojë” shpall JOQ Albania, duke ngritur shpresat e shumë shqiptarëve që e konsiderojnë shtetin europian si një rrugëdalje nga jetesa e vështirë në atdhe. Gjermania është nga destinacionet më të preferuara për emigrantët shqiptarë. Fatkeqësisht, sipas verifikimit të “Faktoje”, të rinjtë që frymëzohen nga ky titull duhet të presin përpara se të nisen drejt vendit europian me ta lexuar.

Patris Pustina

Postimi i JOQ Albania në Instagram

Fillimisht, siç shtjellohet dhe në vetë tekstin që shoqëron foton e postuar, ‘hapja e dyerve’ në fjalë është, deri tani, vetëm një plan. Një plan të cilin Ministri gjerman i Punës Hubertus Heil e përmendi në një intervistë me gazetën Bild am Sonntag. 

Si pjesë e përpjekjes së qeverisë gjermane për të luftuar mungesën e forcës punëtore në vend, Heil tha se do të propozohej një ligj modern emigracioni në vjeshtë. Pra, një projektligj konkret nuk është prezantuar ende në publik. Para se të arrijë ketë ndikim të prekshëm në realitet, ky propozim do t’i nënshtrohet një procesi diskutimi dhe negociimi brenda qeverisë dhe legjislativit gjerman.

Heil tregoi gjithashtu për idenë e një “kartë mundësie” e cila do të jepet në bazë të një sistemi pikësh. Qartësisht, ekzistenca e këtij sistemi vlerësimi automatikisht tregon se shteti gjerman nuk ka në plan të hapë dyert për çdo të ri nën 35 vjeç, pa dallim.

Duke qenë se, me politikat e tanishme të shtetit gjerman, shumicës së punëtorëve që nuk kanë nënshtetësi të BE u duhet një ofertë pune që të zhvendosen në Gjermani, prezantimi i kësaj karte mendohet se do të lehtësojë procesin e gjetjes së punës për ta. Detyrimisht, mund të supozohet se, nëse dikush nuk arrin të gjejë punë brenda një afati të panjohur, do t’i duhet të largohet sërish nga Gjermania.

Duke konsultuar lajmin në agjencinë Euronews, mund të konstatohet se mosha është vetëm një nga 4 kriteret e rëndësishme për marrjen e kësaj karte për emigrimin ne Gjermani, më specifikisht

  1. Një diplomë apo certifikatë trajnimi profesional e njohur nga shteti gjerman
  2. Tre vite eksperiencë profesionale
  3. Njohuri të gjuhës gjermane ose qëndrim i mëparshëm në Gjermani
  4. Mosha më e vogël se 35 vjeç

Krahas plotësimit të këtyre kritereve, aplikantët duhet të jenë në gjendje të provojnë se do të mund të sigurojnë jetesën në Gjermani, një kusht që detyrimisht do të përjashtojë nga kjo mundësi aplikantët nga vendet dhe shtresat e varfra.

Heil citohet gjithashtu nga Deutsche Welle në shqip ku tha: “Vit për vit ne do të përcaktojmë në bazë të nevojës sonë një kontigjent të caktuar, se sa vetë do ta marrin kartën e shanseve në Gjermani.” Pra, numri i personave që do të pranohen në Gjermani në kuadër të kësaj reforme të planifikuar të emigracionit do të jetë i limituar në varësi të nevojave të ekonomisë gjermane. 

Titulli sensacionalist i përdorur nga JOQ fsheh informacion kyç për të tërhequr shikime dhe klikime. Në një klimë emigracioni në të cilën shqiptarët kryesojnë listat e të dëbuarve nga Gjermania, një dizinformim i tillë, megjithëse mund të duket i padëmshëm në pamje të parë, mund të ketë pasoja të vërteta në jetën e emigrantëve, dhe shqiptarëve që synojnë emigrimin.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img