Pasiguria që prodhoi konflikti Rusi-Ukrainë në tregjet botërore, detyroi qeverinë shqiptare që për herë të parë t’i shtonte skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë edhe 1.2 miliardë lekë si subvencion për kultivuesit e grurit. Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca deklaroi se qasja e fermerëve ndaj skemës që u çel në 1 shtator është ‘fantastike’, ndërkohë që këta të fundit ankohen se procesi po zvarritet. Edhe ekspertët e bujqësisë mendojnë se skema ‘çalon’ për shkak të burokracive.

Esmeralda Topi

“Të dashur fermerë: Qasja juaj ndaj thirrjes së skemës mbështetëse të grurit, në 24 orët e para, ka qenë fantastike, duke kaluar parashikimet tona! 740 fermerë kanë aplikuar nga veriu në jug, për një sipërfaqe prodhimi prej 6,550 hektarë, me një angazhim të buxhetit të vënë në dispozicion që në ditën e parë të thirrjes, prej 20%.” – shkruante në rrjetin social Facebook, ministrja e Bujqësisë Frida Krifca 24 orë pas çeljes së thirrjes kombëtare të mbështetjes që qeveria po jep për grurin.

Screenshot nga profili në Facebook i ministers Frida Krifca

Por deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe që kishte ndjekur nga afër procesin e aplikimeve në Drejtorinë e Bujqësisë Lushnje ndante një panoramë krejt ndryshe në rrjete sociale.

“DITA 1 PËR “GRURIN”. DREJTORIA E BUJQËSISË NË LUSHNJE, SHIHENI-ORA 10.50, KORRIDORET BOSH, PA BUJQ! Nga ora 8.00 deri tani janë veç 20 aplikime për vetëm 35 HEKTARË! JEMI KEQ! EJANI APLIKONI! MERRNI NJË KARTË IDENTITETI DHE HAJDENI DEKLARONI SIPËRFAQEN QË DO MBILLNI”- shkruante në reagimin e tij Braçe, shoqëruar me një thirrje ndaj zyrtarëve përgjegjës për të hequr barrierat ndaj fermerëve.

“E dyta është thirrje për KOKOBOSHËT E ZYRAVE TË TIRANËS: HIQNI BARRIERAT, HIQINI TANI!”

Screentshot nga profili në Facebook i deputetit Erion Braçe

Po përse interesi i fermerëve është i ulët për mbështetjen që qeveria po jep për kultivimin e grurit? Faktoje kontaktoi me disa prej tyre në Korçë dhe Fier, dy nga qarqet që kanë sipërfaqet më të mëdha të mbjella me grurë në Shqipëri.

Xhentil Avdyli nga Kolonja së bashku me familjen ka në pronësi 6 hektarë tokë, nga të cilat duan të mbjellin me grurë 2 hektarë. Ndonëse ka aplikuar që ditën e parë, ai ka pak besim se do të jetë një nga përfituesit e skemës për shkak të dokumentacionit që kërkohet në fazën e dytë.

“Në një fazë tjetër do të na kërkohen dokumentet e pronësisë së tokës dhe faturat e farës së grurit dhe plehrave kimike. Këto të fundit penalizojnë çdo fermer. Kemi 30 vjet që mbjellim grurë me farën që përdorim çdo vit. Dhe në momentin që do të kërkohen dokumentat për t’i skanuar dhe ngarkuar në sistem fermerit i mungojnë faturat e farës dhe plehrave kimike dhe nuk do të shpallet fitues. Në këtë mes i fituar del vetëm ai oligarku që sjell farën nga jashtë. Se fermeri nuk fiton asgjë.”- sqaron fermeri.

Edhe Robert Selimi nga Semani i ri, Fier është pesimist. Ai ka aplikuar për 5 hektarë, por thotë se eksperiencat e mëparshme me skemat mbështetëse e kanë bërë të jetë skeptik.

“Po nuk hoqën këto burokracitë do na mbetet aplikimi kot. Se për aplikimin nuk patëm vështirësi. Unë i kam marrë tokat me qira dhe i kam të gjitha dokumentat në rregull, edhe kontratën e qirasë. Por ata s’ti japin. Unë kisha 20 hektarë për naftën dhe deri në 10 hektarë më dhanë.”- thekson Roberti për Faktoje.

Ndërsa Evelina Fezollari nga Pendavinji i Korçës thotë se ka aplikuar për 6 hektarë tokë që do të mbjellë me grurë. Por edhe ajo sikurse të tjerët druhet nga faza e dytë e aplikimit.

“Na kërkohet edhe një dokument për ne që kemi toka me qira që duhet të jetë i firmosur nga të dyja palët. Ne vitin që kaloi kemi pasur probleme sepse ata që na kanë dhënë tokën me qira kishin aplikuar për naftën dhe ne s’morëm as gjysmën e asaj që na takonte. Me aplikimin që kemi bërë duhet të marrim 1 milionë e 800 mijë, por mbetet për t’u parë se si do të shkojë këtë herë.”- thotë Evelina për Faktoje.

Faktoje verifikoi se çfarë dokumentacioni i nevojitet fermerëve për të qënë në listën e përfituesve të skemës së grurit. Referuar udhëzimit të ministrisë së Bujqësisë dhe ministrisë së financave, faza e dytë e mbështetjes për kultivimin e grurit kërkon këto dokumenta;

  • Certifikatë pronësie, hartë treguese dhe kartelë e pasurisë së paluajtshme
  • Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)
  • Kontratë qiraje ose dokument të ligjshëm të nënshkruar mes palëve
  • Faturë për blerjen e farës së grurit dhe plehrave kimike
  • Fotokopje ose vërtetim të dokumentit të bankës për numrin e llogarisë aktive

Udhëzim nr. 14 datë (01.08.2022) për kriteret, procedurat, dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Për kryetarin e Shoqatës së Fermerëve Eduard Sharka janë pikërisht këto kritere të cilat penalizojnë fermerët.

“Skema çalon në kriterin mbi një hektar dhe në burokracitë e dokumentave që kanë lidhje me pronësinë e parcelave. Vetëm një skicë Bashkia e Lushnjes e kishte 4000 lekë, por Këshilli e rrëzoi dhe tani do jepet falas, po bashkitë e tjera? 70% e pronarëve të tokave janë në emigracion, si do e marrësh konfirmimin për përdorim ?!”- thekson Sharka për Faktoje.

Ervin Resuli, ekspert në çështjet e bujqësisë thotë se skema e grurit është e ngjashme me atë të naftës, me ndryshimin e vetëm që pjesa e dokumentave për kultivimin e grurit është shtyrë për në fazën e dytë, ndërkohë që për naftën nevojiteshin që në fazën fillestare të aplikimit.

“Ndoshta kanë dashur që ta bëjnë më të lehtë aplikimin dhe të kenë sa më shumë fermerë në fazën e parë. Problemet do të nisin tek plotësimi i dokumentacionit. Dhe problemi tjetër dhe më kryesori është që s’ka para. Nxit fermerët, por nuk i mbështet, pra janë fitues por jo përfitues. Ti i plotëson të gjitha kriteret por s’ka mjaftueshëm fonde dhe nuk përfiton.”- thotë Resuli duke sjellë si shembull Kosovën që mbështetjen për grurin e ka 474 euro për hektarë këtë vit.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria dhe Mali i Zi japin thuajse të njëjtën vlerë si mbështetje për kultivimin e grurit, ndërkohë që lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Serbinw. Në rajon, mbështetjen më të lartë për grurin e jep Kosova.

Vlera e subvencionit të grurit për sipërfaqe
Kosovë 474  EURO/HA
Shqipëri  255 EURO/HA
Mali i Zi  250 EURO/HA
Maqedoni e Veriut  200 EURO/HA
Serbi    68 EURO/HA

Shqipëria kultivon rreth 54 mijë hektarë me grurë. Referuar të dhënave zyrtare, Fieri është qarku me sipërfaqen më të madhe të grurit me rreth 27%. Më pas vjen Korça me rreth 22% dhe qarku i tretë është Elbasani me rreth 16%.

Kosto mesatare e prodhimit të grurit llogaritet rreth 212 mijë lekë për hektarë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave fermerët shqiptarë prodhojnë mesatarisht 233 mijë ton grurë në vit, por kjo sasi është e pamjaftueshme për të mbuluar kërkesën konsumatore, pasi në të njëjtën kohë importet rezultojnë 221 mijë ton grurë vitin që lamë pas, në një vlerë prej rreth 7 miliardë lekësh.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e ministres së Bujqësisë të kategorizojmë gjysmë të vërtetë.