BallinaAktualitetMbetet pezull marrëveshja Rama - Meloni për emigrantët

Mbetet pezull marrëveshja Rama – Meloni për emigrantët

Ndërsa Gjykata Kushtetuese shtyu sërish shqyrtimin e marrëveshjes Rama-Meloni për akomodimin e emigrantëve në Shqipëri, në Itali dhoma e deputetëve e miratoi atë me 155 vota pro dhe 115 kundër. Hapi i radhës në shtetin fqinj është ai i votimit në senatin Italian. Faktoje sjell një kronologji të çështjes, nga promovimi i marrëveshjes nga Rama, kundërshtimi i saj nga opozita si antikushtetuese, deri tek përfitimet apo rreziqet e mundshme që shohin ekspertët. 

Jona Plumbi

Dy muaj më parë, në 6 nëntor në Romë, krerët e dy qeverive, asaj shqiptare dhe italiane, Rama dhe Meloni firmosën një Protokoll për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit. Qëllimi i marrëveshjes është ngritja e një kampi refugjatësh në Lezhë, ku Italia të dërgojë 36,000 emigrantë të paligjshëm në vit. Aty emigrantët do të presin përgjigjet e aplikimit për azil. Marrëveshja kërkon që 3000 emigrantët që priten në një muaj, të jenë të gjithë burra.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftimin për marrëveshjen e firmosur e bëri përmes rrjetit social Instagram, duke shpërndarë një video të homologes së tij italiane Meloni. Kryeministria shqiptare u mjaftua me këtë njoftim jo zyrtar të lajmit dhe shefi i qeverisë, Rama nuk e pa të arsyeshme të mbante një konferencë publike për marrëveshjen për të sqaruar detaje.

Pasi lajmi “zjeu” për rreth 24 orë në media, të cilat në mungesë të informacionit iu kthyen spekullimeve, kryeministria në 7 nëntor më në fund publikoi tekstin “e rëndësishëm” që Rama dhe Meloni firmosën në këmbë, shpejt e shpejt.

*firmosja e marrëveshjes mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologes së tij italiane Giorgia Meloni në 6 nëntor 2023

Vetë protokolli i dakordësuar nuk jep informacion të mjaftueshëm mbi me atë çfarë Rama dhe Meloni, sipas mediave italiane, kishin dakordësuar të paktën prej  tre muajsh, në Gusht gjatë vizitës verore që Meloni bëri në Vlorë, ku u prit nga kryeministri shqiptar.

*kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane Giorgia Meloni në Vlorë, gusht 2023

Por, ndërsa Ramës dhe Melonit iu deshën tre muaj të shkruanin protokollin me 14 nene, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa debate marrëveshjen në komisionet parlamentare të zhvilluara online, vetëm me praninë e mazhorancës. Në më pak se një muaj nga njoftimi i ekzistencës së saj, marrëveshja ishte gati për t’u votuar në Parlamentin Shqiptar.

Marrëveshja në Gjykatën Kushtetuese

Miratimi i këtij protokolli në parlament, që pritej të kalonte vetëm me votat e mazhorancës, u ndalua nga Gjykata Kushtetuese në 6 dhjetor 2023, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar të saj. Kjo pasi në Gjykatën Kushtetuese u depozitua kallëzim nga 30 deputetë të opozitës, për antikushtetutshmëri të kësaj marrëveshjeje.

Në 19 Janar Gjykata Kushtetuese mbajti seancën e parë për shqyrtimin e marrëveshjes, tashmë të njohur si “Rama – Meloni” por nuk doli me një vendim. Ajo i kërkoi qeverisë shqiptare dokumentin ku është bazuar kjo marrëveshje, Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes republikës së Shqipërisë dhe asaj të Iltaisë.

Marrëveshja në fjalë parashikon ngritjen e dy qendrave pritëse, në Shëngjin dhe Gjadër, për emigrantët e paligjshëm të gjinisë mashkull që kapen në ujërat ndërkombëtare nga autoritetet italiane. Në qendrën e parë pritet të bëhet verifikimi i të dhënave personale të emigrantëve, ndërsa në të dytën, ata duhet të qëndrojnë deri në përfundim të procedurave për azil. Të dy qendrat parashikohet të jenë nën juridiksionin italian dhe ndërtimi dhe funksionimi i tyre do mbulohet financiarisht nga pala italiane.

Reagimet ndërkombëtare

Por ndërsa në Shqipëri situata është e përqëndruar në vlerësimin nëse marrëveshja e thyen apo jo kushtetutën e Shqipërisë, në Itali situata është e ndryshme. Në shtetin fqinj kjo marrëveshje morri dritën jeshile në dhomën e deputetëve që në 24 janar i dha 155 vota pro zbatimit të saj. 115 deputetë të tjerë votuan kundër dhe 2 abstenuan.

Nga viti 2022, Parlamenti italian funksionon me dy organe përfaqësuese: dhoma e deputetëve (400 anëtarë) dhe senati (200 anëtarë) të cilët zgjidhen me votën e qytetarëve. Të dy këto organe kanë kompetenca të njëjta sipas Kushtetutës Italiane.

Pas miratimit në Dhomën e deputetëve të Italisë, pason votimi në senatin Italian.

Amnesty International që më herët e ka quajtur marrëveshjen “jo ligjore, të pazbatueshme dhe që duhet anuluar”, i kërkoi shprehimisht votën kundër deputetëve italianë për këtë marrëveshje, duke theksuar rrezikun që i kanoset të drejtave të njeriut nga kjo marëveshje.

Zbatimi i protokollit do të ketë pasoja të panumërta negative në të drejtat e njeriut. Në veçanti, për sistemin e kërkim-shpëtimit në det, për të drejtën për azil dhe për garancitë procedurale për të mbrojtur njerëzit në kushte të cenueshme, si dhe për lirinë personale të azilkërkuesve dhe emigrantëve”, deklaroi Anneliese Baldaçini, menaxhere e marrëdhënieve institucionale të Amnesty International Itali.

Reagimi i vetëm zyrtar i Bashkimit Europian derimë sot është ai i zëdhënëses së Komisionit Europian, Anita Hipper e cila tha për gazetarët se ‘janë në kontakt me autoritetet italiane, të cilëve u kanë kërkuar detaje për marrëveshjen për emigracionin me Shqipërinë’.

“Duhet të dimë ç’përmban, para se të komentojmë”. – deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian duke lënë të kuptohet se unioni nuk ka qenë në dijeni të saj.

Përfitimet e panjohura të marrëveshjes

Por ndërsa marrëveshja në fjalë përputhet plotësisht me premtimet që sollën Melonin dhe partinë e saj “Fratelli d’Italia” në pushtet, duke “frenuar” flukset emigratore në brigjet e Italisë, mbetet ende për t’u kuptuar se çfarë përfitimi i sjell Shqipërisë kjo marrëveshje.

Deri tani kryeministri Rama ka luajtur “bllofin” me kartën e detyrimit moral. Fillimisht ai pretendoi se shqipëria “ja ka për borxh Italisë” një ndihmë të tillë, për shkak të mikpritjes që shteti fqinj i ka bërë emigrantëve shqiptare. Teza u rrëzua shpejt nga vetë qytetarët.

Në një deklaratë përpara kongresit të partisë në pushtet “Fratelli d’Italia”, Rama e quajti marrëveshjen në përputhje me Kushtetutën dhe si “marrëveshje me dakordësi dhe përfitim të përbashkët”.

Në mungesë të një raporti analitik prej qeverisë, Eduart Gjokutaj, ekonomist dhe ish këshilltar i Ministrisë së Infrastrukturës të Shqipërisë thekson nevojën për transparencë edhe sepse marrëveshja parashikon kosto për buxhetin e shtetit në raste emergjencash.

Asnjë para nuk u kërkua nga qeveria shqiptare për këtë marrëveshje dhe në këtë rast, marrëveshjet nëse nuk kanë të përfshirë elementin e përfitimit konsiderohen si marrëveshje që nuk kanë transparencën e duhur, pasi çdo syresh ka edhe detajet e kostos së secilën palë. Të humburit janë qytetarët, që nuk janë të informuar për të gjitha detajet e lidhura me taksat e tyre. Pra, me detyrimet dhe përfitimet bashkë me pasoja afatgjata që mund të vijnë si efekte dytësore nga mungesa e transparencës.” – Eduard Gjokutaj, ish këshilltar i Ministrisë së Infrastrukturës.

Por për ekonomistin Selami Xhepa për sa kohë që kostot merren përsipër nga Italia, s’ka vend për të diskutuar çështje ekonomike apo financiare për Shqipërinë.

Çështja shtrohet më shumë në kuptimin e sigurisë, ose më mirë të themi pasigurisë që mund të krijojë për të ardhmen [marrëveshja]. Në gjykimin tim duhet parë edhe çështja e demokracisë sepse implikime të tilla kërkojnë një konsultim më të gjerë publik. Por në kuptimin ekonomik nuk ka ndonjë domethënie.” – Selami Xhepa, Doktor i Shkencave Ekonomike në Universitetin e Tiranës, 24 janar 2024.

Të njëjtin mendim ndan edhe ekonomisti Zef Preçi, i cili e sheh mundësinë për rrezik shumë herë më të madhe se atë për përfitim real.

“Mendoj që vendi nuk ka ndonjë përfitim real, përveç pushtetit që e përdor si kolateral në marrëdhëniet ndërkombëtare. E përdor si garanci për të vazhduar qeverisjen. Por edhe mafia që përfiton financiarisht, në mënyrë të ligjshme oligarkia dhe në mënyrë të paligjshme ajo e trafiqeve. Ekziston dhe rreziku që ky precedent të zgjerohet më tej në të ardhmen duke nxitur kështu largimin e qytetarëve shqiptar nga vendi. Pra, i shërben vetëm imazhit të keq të Shqipërisë dhe humbjes së shpresës.” – Zef Preçi, ekspert ekonomie.

Në mungesë të përfitimeve ekonomike, mundësia e vetme mbetet ajo e përfitimeve politike.

Arjan Dyrmishi, hulumtues i çështjeve të demokracisë dhe qeverisjes, përfitimin e vetëm të marrëveshjes e sheh në fushën e diplomacisë publike, për të krijuar përshtypjen se Shqipëria po jep kontribut aktiv për menaxhimin e emigrantëve në Europë.

“Por menaxhimi i emigrantëve në Europë është kompleks dhe kjo zgjidhje mendoj se nuk jep ndonjë kontribut thelbësor në zgjidhjen afatgjatë të problemit. Ajo që dihet është se qytetarët marrin koston e të panjohurave që ka akumulimi i një numri të tillë emigrantësh, në një vend që ka probleme që dihen. Madje edhe kostot që kanë lidhje me ndikimin në rajonet respektive që janë edhe zona turistike.” – Arjan Dyrmishi, studiues i demokracisë, qeverisjes dhe partive politike.

Përfitim politik të kryeministrit Rama, e vlerëson marrëveshjen Ermal Hasimja, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Natyrisht që edhe vetë Rama përfiton nga kjo marrëveshje më tepër kapital politik. Gjatë gjithë këtyre viteve ai ka bërë të pamundurën për t’i krijuar vetes një dimension rajonal e ndërkombëtar të cilin me shumë gjasa e sheh si të përkthyeshëm edhe në kapital politik vendor. Ironia qëndron në faktin se ndërsa Shqipëria ofron strehim për mijëra emigrantë të huaj një pjesë e mirë e shqiptarëve janë në të njëjtën pozitë me ta në Perëndim, pavarësisht se jo nëpër kampe.” – Ermal Hasimja, pedagog, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Politologu Ilir Kalemaj vlerëson se marrëveshja është në interes personal të dy kryeministrave, por ndërsa përfitimi elektoral i Giorgia Melonit është i qartë, ai i kryeministrit shqiptar jo dhe aq.

“Po kundërshtohet nga thuajse kushdo me përjashtim të Melonit që ka interesa elektorale dhe Ramës që ende nuk dimë çfarë interesash ka. Partitë Socialiste Evropiane njëzëri e kanë dënuar, po ashtu UNHCR, Amnesty International, Human Rights Watch dhe grupime të të drejtave të njeriut. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim se është në kundërshtim me të drejtën e migracionit dhe për azilin. Natyrisht e kundërshton dhe opozita dhe pjesa më e madhe e opinionit publik në Itali dhe Shqipëri.” – Ilir Kalemaj, studiues i çështjeve ndërkombëtare.

Ajo çka mban pezull ujdinë Rama-Meloni është Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e cila shtyu për të dytën herë, në datën 29 janar, seancën për shqyrtimin e marrëveshjes Rama – Meloni, këtë herë për arsye proceduriale.

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img