Fotoja ku Bill Clinton shfaqet nudo krah një vajze që i bën masazh është e rreme. Verifikimet e Faktoje tregojnë se imazhi, është thjesht një nga veprat e artistes kontroverse Alison Jackson.

Kejsi Leka

Ish-presidenti Bill Clinton është një ndër personalitetet më të njohura të përmendur në listën e fluturimeve të manjatit financiar të akuzuar për skandalin e abuzimit me të mitur, Jeffrey Epstein. Më 4 janar, nga një përdorues i Facebook-ut, janë publikuar disa foto të udhëtimeve në avionin e Epstein. Mes tyre, edhe një në të cilën shfaqet ish-presidenti amerikan Bill Clinton nudo, krah një vajze që po e masazhon. “Pedofilët Jeffrey Epstein dhe Bill Clinton.”- shkruhet në postimin që shoqëron foton.

Nga verifikimi nëpërjet motorrit të kërkimit TinEye, rezulton se foto është një nga krijimet e artistes britanike Alison Jackson.

Kjo foto është nën albumin “Clinton Message” dhe është prezantuar nga artistja në mënyrë të qartë si një krijim.  

Në facebook është publikuar vetëm një pjesë e fotos, kjo pasi në imazhin e plotë përballë ish-presidentit ndodhet një televizor në të cilin shfaqet gruaja e tij, Hillary Clinton, gjatë kohës kur ajo kandidonte për zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Fotografia është publikuar fill një vit pasi bashkëshortja e tij humbi zgjedhjet.

Alison Jackson është një figurë e njohur e artit në Amerikë, kjo edhe për shkak të konceptit që ajo ka mbi fotografinë, dhe mbi mënyrën se si ajo e inskenon atë, në mënyrë që të jetë sa më pranë realitetit.

Pjesë e artit të saj janë bërë edhe shumë figura të tjera të famshme të shfaqura gjatë momenteve intime, të cilat ndonëse të tilla mbeten goxha reale. Ja përse, shpeshherë kthehen në burim keqinformimi për audiencën në rrjetet sociale.

Foto e ish-presidentit Clinton u shpjegua si një krijim për herë të parë në shkurt të vitit 2020, nga eBaums World, një website dedikuar videove dhe fotove argëtuese, nën këtë përshkrim: “Nuk po themi se fotoja nuk është reale, por sigurisht situata në foto nuk është reale” – duke iu referuar pamjes të Hillary Clinton gjatë masazhit.

Gjatë asaj kohe fotoja po shpërndahej me ritme në shpejta në rrjetet sociale, kjo për shkak të bujës që po bënin edhe zbulimet e reja rreth ngjarjes Epstein.

Sot, emri i ish-presidentit Bill Clinton është një ndër më të njohurit deri më tani, të përfshirë në listën e fluturimeve të Epstein.

Sipas informacionit që ndodhen në dosjen e gjykatës, në fillim të viteve 2000, Clinton ka përdorur disa herë avionin privat të Epstein gjatë disa udhëtimeve me qëllim humanitar në Afrikë.

Edhe pse fakti që emri i tij ndodhet në listë nuk e bën fajtor, përfshirja në këtë ngjarje është bërë shkak i keqinformimit në rrjetet sociale përmes disa fotove të vjetra, të cilat të nxjerra jashtë kontekstit, janë vendosur në dispozicion të audiencës.

Në vitin 2019, pasi po qarkullonin lajmet rreth përfshirjes së mundshme të Clinton në ngjarjen e Epstein, zëdhënësja e tij mohoi pretendimet dhe i konsideroi ato të rreme. “Presidenti Clinton nuk di asgjë rreth krimeve të tmerrshme për të cilat Jeffrey Epstein është shpallur fajtor në Florida disa vite më parë, ashtu sikurse edhe kundër asaj çfarë po akuzohet tani në Neë York.”- tha ajo përmes një postimi në Twitter.

Sa i përket fotografisë, ajo vazhdon të jetë në shitje në Spring Break Art Show, një ekspozitë në Neë York.

Edhe pse kjo nuk është hera e parë që arti i saj keqinterpretohet, për Jackson kjo nuk përbën më një problem. “Jetojmë në një botë të rreme, ku nuk ndajmë dot të vërtetën nga jo e vërteta. Gjëja më e çmendur është që nuk na intereson. Është vetëm një lajm argëtues i ciklit 24 orësh, i cili do të harrohet.”- u shpreh ajo në një intervistë në dhjetor të vitit 2020.