BallinaAktualitetMarrëveshjet Shqipëri-Kosovë; sa prej tyre janë zbatuar

Marrëveshjet Shqipëri-Kosovë; sa prej tyre janë zbatuar

Dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës u takuan të premten e 2 tetorit në Tiranë, që për nga radha është takimi i gjashtë që prej vitit 2014. Pesë mbledhjet pararendëse të dy qeverive Shqipëri-Kosovë kanë sjellë një dyzinë marrëveshjesh të nënshkruara.  Por në çfarë niveli ka qenë zbatueshmëria e tyre dhe si vlerësohen në këndvështrimin e një diplomati takimet e përbashkëta Shqipëri-Kosovë?

Takimet e mëparshme ndërqeveritare

  1. Takimi i parë Shqipëri-Kosovë u mbajt në Prizren, në 11 janar 2014

U nënshkruan disa marrëveshje si dokumenti për bashkëpunim dhe partneritet strategjik midis dy vendeve, për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë, në fushat e transportit dhe infrastrukturës dhe në fushën e integrimit evropian.

  1. Takimi i dytë, në Tiranë në 23 mars 2015

Palët nënshkruan 5 marrëveshje, 4 memorandume dhe dy protokolle bashkëpunimi në fushat e sigurisë, arsimit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë e financave.

  1. Takimi i tretë në Prishtinë në 3 qershor 2016

U firmosën 7 marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

  1. Takimi i katërt në Korçë në 27 nëntor 2017

U nënshkruan 12 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fushat si procesi i integrimit euro-atlantik, diplomacia, ekonomia, tregtia, diaspora, kultura, infrastruktura etj.

  1. Takimi i pestë në Pejë në 26 nëntor 2018

Nënshkrimi i disa marrëveshjeve si psh heqja e tarifave të shërbimeve Roaming, kryerja e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën Morinë-Vërmicë, për njohjen reciproke të patentave të shoferëve etj.

 Zbatimi i marrëveshjeve për tregtinë

Shumica e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë.

Instituti GAP dhe Riinvest në Kosovë kanë identifikuar rreth 53 objektiva apo detyrime konkrete që dalin nga marrëveshjet tregtare Kosovë – Shqipëri që janë firmosur ndër vite.

Në bazë të gjetjeve të prezantuara në muajin mars të këtij viti, 49% e këtyre objektivave për tregtinë janë realizuar plotësisht, 36% janë realizuar pjesërisht, 9% nuk janë realizuar fare, ndërsa për tre objektiva nuk kanë mundur të marrin përgjigje.

Studimi i Institutit GAP rekomandoi ngritjen e një strukture dypalëshe të qëndrueshme, me përfaqësi politike dhe teknike, me mandat të qartë dhe me detyrë monitorimin dhe shpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve, heqje të barrierave dhe ndjekjen e hapave të tjerë drejt integrimit ekonomik.

Këto të dhëna i përkasin vetëm marrëveshjeve që kanë të bëjnë me tregtinë mes dy vendeve.

Faktoje u ka dërguar institucioneve shqiptare që në nëntor të vitit 2019 kërkesa për informacion për të marrë të dhëna për ecurinë e zbatueshmërisë së të gjitha marrëveshjeve me Kosovën që nga viti 2014.

 

       Një nga kërkesat

Shumica e institucioneve iu përgjigjën kërkesave zyrtare për informacion të Faktojes për disa nga marrëveshjet konkrete.

Disa nga marrëveshjet (e tjera) të zbatuara

  • Pika doganore e Kosovës në Portin e Durrësit

Në janar të vitit 2019 Dogana e Kosovës hapi pikën doganore në Portin e Durrësit. Kjo pikë doganore është mirëpritur nga bizneset kosovare.

  • Heqja e tarifave Roaming

Ka filluar zbatimi i marrëveshjes për heqjen e tarifave Roaming me Kosovën nga 15 qershori 2019.

  • Kryerja e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën Morinë-Vërmicë.

Në këtë pikë të kalimit kufitar kryhen procedurat e përbashkëta të kontrollit doganor në lidhje me udhëtarët, mallrat dhe mjetet e transportit me qëllim lehtësimin e procedurave doganore. Pavarësisht marrëveshjes, në kufirin Shqipëri-Kosovë ka pasur raportime se mjetet e transportit të rëndë kanë vijuar të presin me orë duke shkaktuar vonesa.

  • Njohja dypalëshe dhe unifikimi i modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare

Është konsideruar një arritje në fushën e Bujqësisë dhe Sigurisë Ushqimore.

  • Njohjen reciproke të patentave për drejtuesit e mjeteve

Ka hyrë në fuqi në datë 16 maj 2019 dhe kanë filluar efektet.

Disa nga marrëveshjet e zbatuara pjesërisht ose të pazbatuara

  • Krijimi i bursës shqiptare të energjisë elektrike

Janë marrë vendime që kanë plotësuar bazën ligjore për krijimin e bursës dhe sipas përgjigjes që mori Faktoje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke u punuar për përmbushjen e detyrimeve. Por megjithatë kjo mbetet ende një marrëveshje e pazbatuar.

  • Fondi Zhvillimor për Luginën e Preshevës

U adresua sërish në mbledhjen e gjashtë ndër-qeveritare dhe u diskutua fakti që vëmendja duhet rritur ndaj qytetarëve shqiptarë në Luginë.

  • Dhoma Ekonomike Shqipëri-Kosovë

Themelimi i “Dhomës Ekonomike Shqipëri-Kosovë” është vlerësuar si një nga nismat e rëndësishme për të fuqizuar bizneset shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

  • Qendra e Përbashkët Trajnuese

Është zyrtarizuar dhe themeluar si qendër në shtator të 2020 midis administratës tatimore të Kosovës dhe Shqipërisë ndërsa aktivitetet ende nuk kanë nisur

  • Shërbime të përbashkëta konsullore

Janë hapur disa konsullata të përbashkëta dhe është rënë dakort për pasjen edhe të ambasadave të përbashkëta me qëllim edhe reduktimin e kostove. Megjithatë kjo mund të quhet një pikë e zbatuar në mënyrë të pjesshme për sa kohë nuk kemi ende përfaqësi të përbashkëta në të gjithë vendet e botës ku Shqipëria dhe Kosova kanë momentalisht përfaqësi.

Agim Nesho, ish diplomat u shpreh me rezerva për Faktoje kur vjen fjala tek ndikimi i këtyre marrëveshjeve në interesat e qytetarëve.

Në fakt bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri ështe i vonuar dhe me përfitime të pakta ekonomike, sidomos në bujqësi, energjeitikë, arsim etj”-tha Nesho.

Sipas tij, burokracia është një nga arsyet e tjera të pengesës së zbatueshmërisë.

Shumë marrëveshje midis dy vendeve nuk kanë arritur të konkretizohen dhe ato janë lënë në vlerësimin e administratës burokratike sesa si një mision historik për të sjellë bashkimin e popullit shqiptar brenda integrimit të tyre në BE”- tha ai për Faktoje.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img