BallinaFaktometerE Pavërtetë“Rindërtimi” promovon transparencën, por praktikon mosbindjen ndaj ligjit për të drejtën e informimit

“Rindërtimi” promovon transparencën, por praktikon mosbindjen ndaj ligjit për të drejtën e informimit

Gjatë prezantimit të modeleve të rindërtimit në muajin shkurt të këtij viti,  ministri Arben Ahmetaj theksoi transparencën si një nga parimet kryesore të procesit të rindërtimit pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Shtatë muaj pas kësaj deklarate, kur “Faktoje” numëron tetë kërkesa për informacion, pa përgjigje nga Ministria e Rindërtimit, është e pamundur të flitet për transparencë.


28 shkurt, ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj, së bashku me kryeministrin Rama dhe me ministren e Kulturës, zonjën Elva Margariti, shpalosën modelet e reja të rindërtimit. Gjatë këtij prezantimi, ministri Ahmetaj e vuri theksin tek rëndësia e transparencës.

“I gjithë kuadri i prezantimit ka të bëjë me një nga parimet kryesore të rindërtimit, transparenca.” – tha ai.

Faktoje ka shkruar shpesh përgjatë dy muajve të fundit mbi praktikën e përsëritur të Ministrisë së Rindërtimit për të mos i kthyer përgjigje kërkesave për informacion, një përpjekje e ligjëruar në favor të transparencës.

Më 18 gusht, ne i dërguam këtij institucioni një tjetër kërkesë për informacion, për të mësuar se në ç’fazë ishte procesi i shpërndarjes së granteve për objektet e dëmtuara në kategoritë DS1-DS3 për të cilat Ahmetaj kishte premtuar në mesin e qershorit:

“Të gjitha Bashkitë që do bëjnë vlerësimin final dhe kontraktimin, siç e ka bërë Bashkia e Shijakut, ne ju premtojmë që brenda korrikut, të gjitha familjet do të marrin paratë. Shuma totale mendohet të shkojë rreth 75 mln dollarë, vetëm programi i granteve.”

Kërkesa për informacion nga Faktoje dërguar Min. Rindërtimit më 18 gusht 2020

Pasi nuk morëm përgjigje brenda afateve ligjore nga Ministria e Rindërtimit, më 9 shtator iu drejtuam zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit me një ankesë.

Më 14 shtator morëm përgjigjen e zyrës së Komisionerit, e cila pas shyrtimit të ankesës, i vendosi afat Ministrisë së Rindërtimit për të dhënë informacionin e kërkuar brenda datës 17.09.2020.

Ministria e Rindërtimit vijon të mos kthejë përgjigje.

Më datë 17 shtator, ditë në të cilën skadoi afati i vendosur nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, vendosëm të ripërsëisim kërkesën tonë, nisur nga raportime të banorëve të prekur se ende nuk i kanë marrë pagesat e dëmshpërblimit për tërmetin.

Këtë herë, sapo dërguam kërkesën, na u kthye një përgjigje automatike nga sistemi i dërgimit të postës elektronike të Google Mail, se adresa në fjalë nuk mund të gjendej ose nuk mund të merrte mesazhe.

Me shpresën se do gjenim informacion në platformën online të rindërtimit, rindertimi.al, bëmë një kërkim për programin e transparencës.

Ky program sipas ligjit është pjesë e të gjitha institucioneve shtetërore, dhe në faqet përkatëse duhet të jepen edhe të dhënat e koordinatorit për të drejtën e informimit. Në faqen e rindërtimit nuk e gjetëm këtë program dhe motori i saj i kërkimit, na ktheu në faqen e parë.

Në fund të faqes së rindërtimit, ndër opsionet kryesore të klikueshme që shfaqen, figuron edhe “Transparenca”. Provuam ta klikonim, por edhe ajo na kthente sërish në faqen e parë.

Premtimin e ministrit Ahmetaj mbi shpërndarjen e granteve brenda korrikut, Faktoje arriti ta verifikojë ndër të tjera edhe përmes informacionit të siguruar nga bashkitë, verifikim që dëshmoi për një premtim të pambajtur.

Por duke iu rikthyer deklaratës së muajit shkurt të ministrit, mbi rëndësinë e transparencës si një nga parimet kryesore të rindërtimit, mund të themi se ky parim është shkelur në mënyrë të përsëritur nga vetë ministria e Rindërtimit.

Lexo edhe: Faktoje në ditën e të drejtës për informim, nga 510 kërkesa, as gjysma nuk kanë përgjigje


Përditësim

Edhe pse në datën 17 shtator, afati i vendosur nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, nuk patëm një përgjigje, ajo mbërriti thuajse një javë më vonë. Kjo është përgjigjja e parë e Ministrisë së Rindërtimit për “Faktoje”, pas 7 muajsh zvarritje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img