BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në ShqipëriA kanë përfunduar punimet për ndërtimin e aeroportit turistiko-sportiv në Korçë?

A kanë përfunduar punimet për ndërtimin e aeroportit turistiko-sportiv në Korçë?

Mes projekteve për ngritjen e aeroporteve, në vitin 2017 u ideua edhe ai i Korçës me vendndodhje fshatin Lumalas. Për studimin e fizibilitetit u dhanë po atë vit, rreth 8 milionë lekë ndërsa në gusht 2022 u premtua se fluturimet e para turistike-sportive nga disa shtete do kryheshin në vjeshtë. Por verifikimi i Faktoje tregon se pista e këtij aeroporti është vetëm një zonë e rrethuar, pa asnjë sinjalistikë, ku nuk po kryhen punime edhe pse projekti parashikon disa faza, ndërsa fluturimet e premtuara ende nuk janë kryer.

Rovena Kallço

Me përmbylljen e fazës së parë të këtyre punimeve, do të kemi mundësi, mbase nga fundi i muajit shtator, fillimi i muajit tetor, të organizojmë këtu edhe eventin e parë turistiko sportiv me avionë që siç thashë vijnë për të realizuar fluturimet dhe uljet e para. Ambicja jonë nuk përfundon këtu, kjo do të jetë faza e parë, pastaj në varësi të interesit që do të kemi mundësinë e upgradimit të këtij aeroporti edhe për qëllime të tjera. Është shumë e rëndësishme të them që një prej përdorimeve të aeroportit, (Prandaj edhe kemi bashkëpunuar me Ministrinë e Mbrojtjes) do të jetë edhe në rastet e emergjencave ku këtu mund të ulen mjete të ndryshme ajrore që do të kryejnë operacione në fushën e emergjencave civile.”-tha kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo në gusht 2022, ndërsa inspektonte punimet në fshatin Lumalas.

Premtimi për ndërtimin e një aeroporti turistiko-sportiv është bërë më herët edhe nga deputeti i qarkut Korçë, njëhrësh ministër i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Ndërkohë në vitin 2017 në edicionin informativ në Klan raportohej se qeveria kishte hapur një thirrje për studim fizibiliteti për ndërtimin e aeroportit të Korçës, me vlerë rreth 8 milionë lekë të reja. Data e lidhjes së kontratës i përket 24 marsit 2017, me kontraktor “IDRA” shpk.

Por çfarë ka ndodhur prej asaj kohe me ndërtimin e aeropoirtit të Korçës? Nga një verifikim në muajin shkurt të këtij viti në fshatin Lumalas, aty ku ndodhet zona e planifikuar për aeroport, jo vetëm që nuk kishte përfunduar, por nuk kishin ecur as punimet. Ndryshimi i vetëm me gushtin e vitit 2022 ishte vendosja e telave rrethues dhe nivelimi i sipërfaqes. Ndërkohë mungonte tabela e punimeve dhe çdo informacion orientues në lidhje me një aeroport. Më shumë sesa një pistë për fluturim, zona dukej një tokë bujqësore që priste të punohej.

Zona e rrethuar në Lumalas, vendi i projektuar për aeroport, Korçë shkurt 2023
Zona e rrethuar në Lumalas, vendi i projektuar për aeroport, Korçë shkurt 2023

Duke qenë se premtimi për kryerjen e fluturimeve të para do ishte në shtator ose tetor 2022, ne iu drejtuam me anë kërkese për informacion Bashkisë Korçë se në çfarë faze janë punimet për ndërtimin e aeroportit të Korçës, kur parashikohet të përfundojë ky projekt etj.

Kërkesa për informacion dërguar në 23 janar 2023

Bashkia Korçë u përgjigj se ka përfunduar faza e parë e punimeve të aerodromit dhe se ai është gati për fluturimet e para turistiko-sportive.

“Vlera e projektit është 7, 209, 600 lekë , ky projekt po zbatohet nga Bashkia Korçë në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes  dhe projekti do të shërbejë për zhvillimin e turizmit të aventurës.“-thuhet ndër të tjera në përgjigjen zyrtare.

Përgjigjia e kërkesës për informim nga Bashkia Korçë

Projekti për aeroportin turistiko-sportiv parashikonte në fazën e parë rehabilitimin, nivelimin, sheshimin e pistës në të gjithë gjatësinë e saj, fillimisht në 1600 m, pastaj në 800 m, sepse e gjithë gjatësia e pistës është 2,4 km. Fillimish aeroporti do shërbejë për fluturime turistike dhe sportive në një pistë me bar ku mund të ulen avionë deri në 12 vendësh. Fluturimet, siç ka konfirmuar kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo do të bëhen me vendet fqinje Greqinë, Italinë, Maqedonë dhe deri me Izraelin. Por nga verifikimi i kryer rezulton se nisja e fluturimeve në muajin shtator-tetor 2022 dhe vijimi i fazës jetër të punimeve, është një premtim i pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img