BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookI arrestuari në Kosovë nuk ka lidhje me sulmin e 9 dhjetorit ndaj policisë

I arrestuari në Kosovë nuk ka lidhje me sulmin e 9 dhjetorit ndaj policisë

Më 9 dhjetor 2022, portal online IndeksOnline ka publikuar një artikull me titull: LAJMI I FUNDIT: Arrestohet i dyshuari që qëlloi zyrtarin policor në Veri. Artikulli më pas është marrë i gatshëm nga portale të tjera në Shqipëri dhe Kosovë, pa verifikuar vërtetësinë e informacionit. “Faktoje” vërtetoi se arrestimi i të dyshuarit, nuk ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur në komunën e Zveçanit.

Jona Plumbi

Ngjarja e ndodhur në veri të Kosovës ku një polic u lëndua pas një sulmi me armë zjarri në komunën e Zveçanit, ka zënë tituj kryesorë këtë fundjavë. Media onlinë në Kosovë, IndeksiOnline publikoi një artikull ku njoftonte “Arrestimin e të dyshuarit që qëlloi zyrtarin policor në Veri.”

Për vërtetësinë e pretendimit, IndeksiOnline ofronte një “burim” të paidentifikuar. Ky lajm më pas është ripublikuar nga media të ndryshme, pa verifikuar vërtetësinë e informacionit.

“Faktoje” vërtetoi se në fakt, në datën 8 dhjetor 2022, Policia e Kosovës ka arrestuar në Jarinje një të dyshuar me iniciale M.A. Por, sipas vetë njoftimit të policisë kosovare, “Personi i ndaluar është i dyshuar për përfshirje në sulm me armë zjarri ndaj personave zyrtarë, ‘vrasje e rëndë (në tentativë)’, rast ky i kryer kohë më pare”.

Vërtetimin e këtij informacioni e kanë bërë edhe në Kosovë kolegët tanë të “Kallxo.com” të cilët kanë kontaktuar policinë e Kosovës duke kofirmuar edhe njëherë faktin se i arrestuari nuk ka të bëjë me sulmin ndaj policisë të datës 9 dhjetor 2022.

E ndërsa një pjesë e mirë e portaleve online përhapin keqinformim duke kopjuar dhe publikuar informacione të paverifikuara, ka edhe nga ata të cilët përhapim informacione të gabuara qëllimisht. I tillë duket rasti i shqip.com, e cila ndryshe nga mediat e tjera, e ka përfshirë njoftimin e policisë së Kosovës në artikull, por duke dhënë informacion të rremë.

Sipas Policisë së Kosovës është arrestuar personi i dyshuar i cili ishte në kërkim për plagosjen e policit mbrëmë në Zveçan. – kështu e nis artikullin shqip.com duke vijuar me njoftimin e policisë ku thuhet qartë arsyeja e arrestimit të këtij personi, që nuk ka lidhje me sulmin e ndodhur në 8 dhjetor 2022.

Fatkeqësisht, praktika e shpërndarjes së informacioneve të marra të gatshme, pa u siguruar më parë për vërtetësinë e tyre, luan rol kyç në keqinformimin e qytetarëve. Tema “të nxehta” si kjo e marrëdhënies Kosovë – Serbi, të cilat duhet të trajtohen me kujdes të veçantë nga gazetarët e të gjithë mediumeve, pasi kanë edhe ndikimin më të madh tek publiku, në fakt kthehen në “karrem” për klikime dhe në burim keqinformimi.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

*imazhi i përdorur është marrë nga Radio Evropa e Lire
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img