BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookKujdes nga lajmet e rreme si ky që pretendon se limoni është më i fuqishëm se kimioterapia!

Kujdes nga lajmet e rreme si ky që pretendon se limoni është më i fuqishëm se kimioterapia!

Portale të shumta në internet japin këshilla mjekësore të cilat përveçse janë të pavërtetuara shkencërisht, synojnë të çorientojnë publikun dhe sidomos të prekurit nga sëmundje të rënda. Faktoje sjell rastin e lajmit me titullin “Limoni i ngrirë është më i fuqishëm se kimioterapia dhe ndihmon në humbjen e peshës, diabetin, tumorin – ja se si përdoret”. Ndaj lajmeve të tilla, lexuesi duhet të jetë shumë i kujdesshëm dhe të mos i marrë të mirëqena, pa u konsultuar më parë me mjekun.

 

Ardi Pulaj

 

“… Sipas disa burimeve, limoni i ngrirë është më i fuqishëm se kimioterapia kur bëhet fjalë për luftimin e kancerit. Sipas hulumtimit të kryer në Universitetin e Stanfordit, limoni, dhe veçanërisht lëvorja e tij, është jashtëzakonisht e shëndetshme. Studimi tregoi që përbërësit që përmbahen në lëvoren e limonit mund të vrasin qelizat kancerogjene të 12 llojeve të kancerit, përfshirë ato më vdekjeprurëse – kanceri i prostatës, kanceri i zorrës së trashë, kanceri i mushkërive,” shkruan portali thelajme.co.

 

Teksa artikulli, duke përmendur edhe Universitetin e Stanfordit, tenton të çorientojë publikun, vetë studimi i universitetit në asnjë rast nuk përmend faktin se limoni i grirë është më i fuqishëm se kimioterapia. Në fakt studimi që analizoi Faktoje thotë se përbërja në vajin e agrumeve (ku bën pjesë edhe limoni) mund të zvogëlojë tharjen e gojës në pacientët me kancer në kokë dhe qafë.

 

Studimi thotë: “Një përbërës i gjetur në vajrat e agrumeve mund të ndihmojë në përmirësimin e gojës së thatë të shkaktuar nga terapia me rrezatim te pacientët me kancer në kokë dhe qafë, sipas një studimi të ri nga studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Stanford. Komponenti, i quajtur d-limonene, mbronte qelizat që prodhojnë pështymë tek minjtë e ekspozuar ndaj terapisë me rrezatim – pa ulur efektet e rrezatimit kundër tumorit. Studiuesit, të udhëhequr nga studentja e diplomuar Julie Saiki, treguan gjithashtu se d-limoneni i marrë nga goja transportohet në gjëndrën e pështymës tek njerëzit.

Studimi nga Universiteti i Stanfordit

Rreth 40 për qind e pacientëve me kancer në kokë dhe qafë, që bëjnë terapi rrezatimi kanë tharje të gojës, e njohur klinikisht si xerostomia. Është më shumë se e pakëndshme: pacientët kanë vështirësi të flasin dhe të gëlltiten dhe kanë më shumë gjasa të kenë dhimbje në gojë ose kavitetet dentare dhe gjendja mund të arrijë deri në heqjen e dhëmbëve në disa raste, tha Quynh-Thu Le, bashkëautore e studimit, profesore dhe kryetare e departamentit të onkologjisë së rrezatimit. Megjithëse njëfarë rikuperimi mund të ndodhë në vitet e para pas terapisë, pasi prodhimi i pështymës është dëmtuar, zakonisht zhduket për gjithë jetën.

 

Shtohen lajmet dizinformuese për kurime të rreme

 

“Ilaçi i kancerit ekziston edhe jo vetëm një, por ekziston një varg i ilaçeve bimore që me sukses e shërojnë kancerin. Por, kjo bimë, pelini i ëmbël, në fakt është zbulim i jashtëzakonshëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Edhe pse studimi ekziston, dyshohet që industria farmaceutike do ta pranojnë ndonjëherë që një bimë mundet të bëjë atë që nuk do të mund ta bëjnë mijëra ilaçe sintetike. Pra sipas hulumtimeve të bëra para pak kohësh, të cilat janë botuar në revistën shkencore ‘Life Science’, artemisinina, derivat i bimës ‘Sweet worm-wood’ (Artemisia Annua L., përkthim nga anglishtja pelini i ëmbël), e i cili përdoret në mjekësinë kineze, mundet të shkatërrojë 98 për qind të qelizave të kancerit të gjirit për më pak se 16 orë,” është lajmi që është publikuar nga sot.com.al, që madje jep edhe afatin prej më pak se 16 orësh.

 

Por një lajm i publikuar në 2008 nga portali i Universitetit të Uashingtonit, thekson:

 

“Studiuesit në Universitetin e Uashingtonit kanë përditësuar një mjekim tradicional kinez për të krijuar një përbërje që është më shumë se 1200 herë më specifike në vrasjen e llojeve të caktuara të qelizave kancerogjene sesa ilaçet e disponueshme aktualisht, duke paralajmëruar mundësinë e një ilaçi kimioterapie më efektiv me efekte anësore minimale. Në studim, ata testuan përbërjen e bazuar në artemisinin në qelizat e leuçemisë. Ishte shumë selektiv në vrasjen e qelizave kancerogjene. Studiuesit gjithashtu kanë rezultate paraprake që tregojnë se përbërja është në mënyrë të ngjashme selektive dhe efektive për qelizat e kancerit të gjirit dhe prostatës dhe se në mënyrë efektive dhe të sigurt e vret kancerin e gjirit te minjtë, tha Tomikazu Sasaki, profesor i kimisë në Universitetin e Uashingtonit dhe autor i studimit.”

 

Në asnjë rast nuk përmendet shkatërrimi i 98% i qelizave të kancerit të gjirit për më pak se 16 orë.

Lajmi i publikuar nga Bota Sot

 

“Shumë forma të kancerit mund të shërohen pjesërisht, e disa të tjera plotësisht. Te shërimi i kancerit ndihmojnë ushqimet e caktuar që në vete përmbajnë proteina, substanca dhe yndyra të caktuara bimore,” shkruan Bota Sot në artikullin me titull: “A e shëron kancerin receta me arra?”

 

Artikulli më tej vijon thjesht me recetën se si të bëjmë një kek. Nuk ka asnjë fakt shkencor apo studim, që mbështet tezën se kjo recetë e shëron kancerin, pjesërisht apo plotësisht. Titulli i artikullit në mënyrë speculative, duke përdorur fjalët “shërim dhe kancer”, bën lexuesin të besojë se një recetë e thjeshtë me arra mund t’i ndihmojë në luftën e kancerit.

 

Kujdes, konsultohuni me mjekun!

 

Teksa kurat popullore apo recetat mund të duken si një shpresë për shërimin e sëmundjes te një pacient me kancer, ato mund të ndikojnë disi në përmirësimin e gjendjes shendetësore të pacientit, mund të lehtësojnë dhimbjet dhe jetën e përditshme. Lexuesi duhet të ketë parasysh, që çdo lajm që gjendet në internet mbi shërimin e sëmundjeve, nuk duhet të merret si i mirëqenë. Gjithnjë, duhet konsultimi me mjekun dhe burimet zyrtare që lidhen me shëndetësinë.

 

*Në foton kryesore, lajmi i publikuar nga thelajme.co

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit që Faktoje a me Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img