BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDebunking: “Mjekët japin alarmin për gripin e domates, dhjetëra fëmijë të prekur”

Debunking: “Mjekët japin alarmin për gripin e domates, dhjetëra fëmijë të prekur”

Një lajm i publikuar për gripin e domates, nga Librazhdi News raportoi për 82 fëmijë nën pesë vjeç të prekur që nga maji dhe 26 të tjerë, deri në moshën 10 vjeç. Faktoje verifikoi se artikulli është çorientues për audiencën vendase pasi bëhet fjalë për raste të identifikuara në Indi, ndërsa autoritetet e shëndetësisë në Shqipëri konfirmojnë se nuk ka raste të shënuara në vendin tonë.

 

 

Ardi Pulaj

 

 

Në asnjë pjesë të tekstit të artikullit të publikuar nga Librazhdi News nuk përmendet se ku janë identifikuar dhjetëra rastet me gripin e domates, as në Shqipëri, as në botë. Artikulli jep numrin e të prekurve nga gripi i domates (82 fëmijë nën pesë vjeç nga maji) dhe 26 deri në dhjetë vjeç që janë prekur nga kjo sëmundje.

Nga një verifikim i lajmeve nga Faktoje në mediat ndërkombëtare, rezulton se bëhet fjalë për një raport dhe bilanc të prekurish që vjen nga India dhe jo nga Shqipëria.

Titulli I artikullit të “The Times of India”

 

 

The Times of India në një artikull me titullin: “Ethet e domates në Indi: 82 raste të raportuara te fëmijët nën 5 vjeç; njih simptomat” shkruan:

“Pikërisht kur vendi po ndjen ende pasojat nga pandemia COVID, një virus i ri që shkakton gripin e domates ose ethet e domates ka krijuar shqetësim serioz tek vëzhguesit e shëndetit. Rastet e etheve të domates janë raportuar në Kerala. Gjithsej 82 raste janë gjetur te fëmijët nën 5 vjeç.”

“Infeksioni i rrallë viral është në një gjendje endemike dhe konsiderohet jo-kërcënuese për jetën; megjithatë, për shkak të përvojës së tmerrshme të pandemisë COVID-19, menaxhimi vigjilent është i nevojshëm për të parandaluar shpërthime të mëtejshme,” thotë një studim i botuar në The Lancet.

 

Artikulli i The Hindu

 

Po ashtu edhe shifra e 26 fëmijëve deri në moshën dhjetë vjeç, të cilën e raporton Librazhdi News, vjen nga raportimet e mediave në Indi:

“… kjo sëmundje virale endemike shkaktoi një alarm në shtetet fqinje të Tamil Nadu dhe Karnataka. Për më tepër, 26 fëmijë (të moshës 1-9 vjeç) janë raportuar të kenë sëmundjen në Odisha nga Qendra Rajonale e Kërkimeve Mjekësore në Bhubanesëar,” shkruan The Hindu.

Ashtu si artikujt e The Times of India dhe The Hindu, edhe ai i shkruar nga Librazhdi News jep informacione mbi sëmundjen, simptomat dhe masat që duhen marrë kur prekesh nga virusi. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës dhe dhimbje të forta në kyçe. Ashtu si me infeksionet e tjera virale, simptoma të tjera përfshijnë lodhjen, të vjella, diarre, dehidratim, ënjtje të kyçeve, dhimbje trupi dhe simptoma të zakonshme të ngjashme me gripin.

“Fëmijët e vegjël janë të prirur ndaj infektimit përmes përdorimit të pelenave, prekjes së sipërfaqeve të papastra dhe vendosjes së gjërave direkt në gojë. Duke pasur parasysh ngjashmëritë me sëmundjet e duarve, këmbëve dhe gojës (hand, foot and mouth disease), nëse shpërthimi i gripit të domates tek fëmijët nuk kontrollohet dhe parandalohet, transmetimi mund të sjellë pasoja serioze duke u përhapur edhe tek të rriturit.”

Informaciont të dhënë nga Librazhdi News edhe me shifrat e të prekurve mbi gripin e domates i mungon pikërisht vendndodhja. Mungojnë të dhënat nëse këto raste janë në Shqipëri, siç mund të kuptohet nga publikimi i lajmit në një portal shqiptar, apo janë thjesht shifrat e publikuara nga mediat indiane dhe vendi është hequr për të çorientuar publikun shqiptar të mendojë se po ndodh në Shqipëri dhe e paraqitur si “lajm i fundit.”

Faktoje ju drejtua autoriteteve të shëndetësisë për të konfirmuar nëse në Shqipëri janë shënuar raste të gripit të domateve. Burime nga Instituti i Shëndetit Publik theksojnë se deri më tani nuk ka raste në Shqipëri të kësaj sëmundjeje.

 

 

 

*Në foton kryesore, lajmi i publikuar nga Librazhdi News

 

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img