BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashTitulli shpërthyes për stërvitjen ruso-kineze

Titulli shpërthyes për stërvitjen ruso-kineze

Bashkëpunimi ushtarak Kinë-Rusi nuk ka rreshtur asnjëherë, por një stërvitje e përbashkët ushtarake e këtyre dy vendeve në fundin e muajit gusht po përdoret nga portalet shqiptare për të përfituar klikime. Verifikimi i Faktoje zbulon të vërtetën mbi titujt bombastikë që qarkullojnë online.

 

Aimona Vogli

Lajmi për pjesëmarrjen e trupave ushtarake kineze në një stërvitje të përbashkët me trupat ruse ka shërbyer për të krijuar një titull “shpërthyes” për disa portale në shqip. Titulli bombastik i FMImages si dhe lajmifundit.al, publikuar më 18 gusht, të cilat njoftojnë një rrezik potencial për një shkatërrim shumë të afërt të botës apo alarmim në nivel global, mbështeten mbi një lajm të publikuar në mediat ndërkombëtare për një stërvitje të përbashkët të trupave ruse dhe kineze.

Screenshot i lajmit të FMImages.net

Më konkretisht, Ministria Kineze e Mbrojtjes njoftoi në 17 gusht 2022 dërgimin e trupave ushtarake të saj në Rusi për të marrë pjesë në stërvitjen e përbashkët “Vostok-2022”, pjesë e së cilës janë dhe India, Bjellorusia, Taxhikistani dhe Mongolia.

Screenshot i njoftimit zyrtar të qeverisë kineze

Kjo lëvizje e fundit e Kinës është sigurisht një konfirmim i mëtejshëm i marrëdhënieve pragmatiste të Kinës dhe Rusisë të pandryshuara edhe pas agresionit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022. Megjithatë, titulli dhe informacioni i përdorur në brendësi të artikujve të publikuara nga këto portale mund të klasifikohet si keqinformuese bazuar mbi tonet dramatike që ato transmetojnë.

Duke iu referuar burimeve zyrtare të cituara nga REUTERS, Rusia ka njoftuar zhvillimin e stërvitjes ushtarake në datat 30 gusht-5 shtator 2022, në rajonin e Siberisë, pranë kufirit kinez, me pjesëmarrjen e trupave nga Kina dhe India si dhe ish-shteteve satelite sovjetike. Autoritetet kineze kanë konfirmuar se kjo stërvitje është pjesë e planit të përbashkët vjetor të stërvitjeve ushtarake të planifikuara përpara nisjes së konfliktit në Ukrainë. Reuteres kujton se një vit më parë, Kina dhe Rusia zhvilluan një stërvitje të përbashkët në territorin kinez me pjesëmarrjen e mbi 10 mijë trupave. Në tetorin e kaluar, të dyja vendet zhvilluan gjithashtu patrullime të përbashkëta të marinës në detin e Japonisë si dhe Pacifikun perëndimor.

Angazhimi i Kinës përkrah Rusisë në këtë periudhë bllokade diplomatike dhe sanksionesh ekonomike sigurisht që nuk është një lajm pozitiv për Ukrainën dhe aleatët e saj perëndimorë, por nuk mund të cilësohet si një rrezik evident për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës dhe tensionim global.

 

*Foto kryesore marrë nga FMImages.net

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit të Faktoje me Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img