BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëKruja dhe Fushë-Kruja nuk furnizohen 16 orë në ditë me ujë të pijshëm

Kruja dhe Fushë-Kruja nuk furnizohen 16 orë në ditë me ujë të pijshëm

Investimet e kryera në projektin e ujësjellësit në Krujë dhe Fushë-Krujë nuk e kanë garantuar furnizimin me më shumë se 16 orë ujë të pijshëm, siç premtoi 3 vite më pare kryebashkiaku Artur Bushi. Faktoje verifikoi se në këto zona, ashtu siç konfirmojnë edhe banorët, furnzimimi nga rrjeti nuk është më shumë se 4 orë në ditë gjatë dimrit. Gjatë verës situata është edhe më problematike dhe ata detyrohen ta blejnë ujin për konsum, sidomos pas disa episodeve të helmimit kolektiv nga uji i pijshëm, konfirmuar edhe nga autoritetet zyrtare.

——————————————————————————————

Në nëntor të vitit 2019, kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi premtoi një sërë investimesh publike në këtë qytet. Zoti Bushi u zotua se pas investimeve në ujësjellës, Kruja dhe Fushë-Kruja do të kenë furnzimim me ujë më shumë se 16 orë në ditë.

“Një nga investimet e shumëpritura për qytetin e Krujës është projekti i ujësjellësit, që parashikon shtimin e sasisë së ujit ndaj asaj që kemi aktualisht, me + 16 orë furnizim për konsumatorët familjar dhe bizneset turistike…Të njëjtin problem ka edhe Fushë Kruja, ku furnizimi me ujë të pijshëm është me orar të kufizuar. Dy projektet e ujësjellësit për të dy zonat urbane të Bashkisë Krujë, mundësojnë zgjidhjen e problemit për më shumë se 44.000 banorë”, deklaroi kryebashkiaku i Krujës.

Në lidhje me këtë premtim, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Krujës, ku e pyetëm ndër të tjera si është aktualisht situata e furnizimit me ujë të pijshëm. Mirëpo, deri në momentin e publikimit të artikullit, nuk kemi marrë një përgjigje nga institucioni në fjalë edhe pas ankimimit të bërë në adresë të Komisionerit Për Të Drejtën e Informimit.

Kërkesa për informacion derguar Bashkisë Krujë, 22 nëntor 2022

Faktoje bëri një verifikim në Krujë dhe në Fushë-Krujë më 12 dhjetor, ku biseduam me banorë, si është situata aktuale e furnizimit me ujë të pijshëm në këto zona. Ata shprehen se ujin e rrjetit nuk e përdorin për konsum, pasi herëpas’herë vjen i turbullt dhe nuk ka informacion nga institucionet përkatëse mbi cilësinë e tij.

“Tani sikur ështe pastruar uji, por ne nuk e pijmë. Herë dalin mirë analizat, herë jo. Unë e blej ujin për të pirë, sepse kam parë që vjen i turbull, ka shumë klor dhe kemi merak ta përdorim për konsum. Të gjithë në Krujë e blejnë ujin për të pirë dhe gatuar. Uji vjen me orar, por shyqyr që kemi cisterna dhe tani në dimër nuk e përdorim aq shumë ujin sa në verë”, tha një 45-vjeçare për Faktoje.

Një pensioniste, familja e së cilës u helmua vitin e kaluar nga përdorimi i ujit të rrjetit, shprehet se në lagjen e saj furnizimi me ujë bëhet vetëm 2 orë në ditë.

Depozitat në Krujë, 12 dhjetor 2022

“Unë i kam pasur me serum nipërit dhe djalin kur ndodhi helmimi në Krujë, nuk kishe vend ku të futeshe në spital. Që atëherë nuk e pijmë më, e blejmë me bote. Paguajmë dy herë ujë, atë që na vjen në rrjet për të larë dhe këto me bote për ta pirë. Uji vjen 2 orë në ditë, por shyqyr kemi depozitat. Pra, në 24 orë, ne kemi vetëm 2 orë ujë. Shyqyr të paktën që uji që na vjen me bote është i mirë dhe nuk paguajmë shumë për të, 10 litra 50 lekë të reja.

Në verë pastaj jemi shume keq, vjen një ditë po, një ditë jo dhe kemi raste edhe dy ditë që nuk na vjen uji”, shprehet një 60-vjeçare, banore e lagjes “Hoxhaj” në Krujë.

Depozitat në Krujë, 12 dhjetor 2022

Një tjetër banor i zonës thotë: “Nuk e pi ujin që vjen në rrjet, më dhemb stomaku po ta përdor. E blej, si të gjithë këtu në Krujë”.

E njëjta situatë ishte edhe në Fushë-Krujë. Në pallate shihje që depozitat ishin kudo, si një mënyrë për të shpëtuar nga mungesa e ujit.

Depozitat në Fushë-Krujë, 12 dhjetor 2022

“Uji vjen 2 orë në mëngjes dhe 2 orë në darkë. Nuk e përdorim për të pirë, është shumë gëlqeror, blejmë ujë me bote. Para 4-5 muajsh futën tubacione të reja, por asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket furnizimit me ujë, Fushë-Kruja nuk ka ujë të vazhdueshëm. Asgjë nuk ka ndryshuar me tre vite më parë, përveç premtimit që nuk e kanë mbajtur”, tha një banor i Fushë-Krujës.

Depozitat në Fushë-Krujë, 12 dhjetor 2022

Në tetor të vitit 2021, Faktoje raportoi se qindra qytetarë përfunduan në spitalin e Krujës, me shqetësime, të cilat përkonin me shenja helmimi. Edhe pse ujësjellësi i ri u përurua në vitin 2021, burime nga bashkia thanë në atë kohë Faktojes, se ujësjellësi ishte jashtë funksionit.

Në muajin mars të këtij viti, Bashkia Krujë sqaronte për Faktoje se kishte bërë investime për të përmirësuar rrjetin e furnizimit me ujë në vitet 2019-2021.

“Investimi për rritjen dhe përmirësimin e furnizmit me ujë të pijshëm të qytetit të Krujës ka nisur në shtator 2019-2021, ku është bërë një pjesë e investimit, ku është investuar në burimet e reja për të shtuar sasine e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Krujës dhe faza e 2 është akoma në proces pune që ka të bëjë me rikonstruksionin e linjës së shpërndarjes në qytet. Investimi në Krujë është në vlerën e 376.513.869 lekë me TVSH”, njoftonte zyrtarisht Bashkia Krujë.

Ndërsa, në shtator të vitit 2020, nisi investimi për ujësjellësin në Fushë-Krujë, i cii sipas kryeministrit Edi Rama “do të mbyllte sagën e mungesës së furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.” Mirëpo, pavarësisht investimeve, banorët vazhdojnë të paguajnë për ujin e pijshëm, ndërsa furnizimi nga ujësjellësi nuk është 16 orë në ditë siç u premtua nga kryebashkiaku.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img