BallinaNë lupën e FakteveUji që rëndon xhepat e shqiptarëve

Uji që rëndon xhepat e shqiptarëve

Në Shqipëri shumë bashki vijojnë të mos kenë ujë 24 orë në ditë, edhe pse ky është një premtim gati 20-vjeçar. Por, veç mungesës së ujit të rrjedhshëm një problem edhe më i madh është cilësia e ujit të pijshëm. Shqiptarët blejnë çdo ditë ujë të pijshëm, një produkt i domosdoshëm, por që me rritjen e çmimeve rëndon edhe me shumë në buxhetin e tyre familjar. Faktoje ka udhëtuar në Krujë, ku pak muaj më parë qindra qytetarë u helmuan nga uji i pijshëm i rrjetit. Edhe sot gjendja vijon të mbetet problematike pasi ndërhyrjet në rrjet nuk kanë përfunduar ende dhe banorët detyrohen ta blejnë çdo ditë ujin për konsum. Gjithashtu bashkitë pranojnë se kanë hedhur lekë për investime në rrjet, por helmimet kanë qenë të vazhdueshme në disa qytete.  Nga ana tjetër, ekspertët tregojnë pasojat që ka në shëndet përdorimi i klorit dhe sugjerojnë metoda alternative për trajtimin e ujit të pijshëm.

—————————————-

“Unë nuk kam fol shumë për ujin e pijshëm. E dini pse nuk kam fol? Sepse më vjen turp. Më vjen turp me një histori 20 vjet, sa herë ka fushatë do t’u japim ujë për të pirë. Mbas 20 vjetësh, prapë ujë s’ka dhe 8 vjet në pushtet (ish-kryeministri Sali Berisha), të isha në vendin e tij do kisha ik, do ksha thënë më falni, nuk arrita dot, bëra sa munda, por meqë nuk u solla dot ujë, unë nuk e meritoj, Do të angazhohemi me shpirt ditë-natë që çdo shtëpi e këtij vendi të ketë ujë për të pirë dhe ujë për t’u larë, sepse kjo e ndan qytetërimin tonë nga mesjeta”, premtoi kryeministri Rama në vitin 2013.

Por, si është situata e furnizimit me ujë të pijshëm në vendin tonë 9 vite pas këtij zotimi të kryeministrit Edi Rama?

Faktoje iu drejtua fillimisht me kërkesë për informacion 4 prej Bashkive në vend, asaj të Krujës, Tiranës, Durrësit dhe Bulqizës.

Bashkia Krujë

Në muajin tetor të vitit që lamë pas, pati një helmim masiv të banorëve në Krujë për shkak të ujit të pijshëm. Nisur nga ky shqetësim madhor i qytetarëve dhe ndikimi i madh publik i kësaj çështje, ne kërkuam fillimisht informacion nga Bashkia Krujë nëse qyteti furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm, por edhe për investimet e kryera.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Krujë, 11 shkurt 2022

 Në përgjigjen zyrtare që mban datën 10 mars, Bashkia Krujë informon se aktualisht nuk ka furnizim 24 orë me ujë.

“Bashkia Krujë ofron shërbimin furnizimi me ujë në qytetin Krujë, Fushë-Krujë dhe Thumanë. Në njësitë Nikël dhe Cudhi nuk ofrohet si shërbim. Ndërsa në Njësinë Bubq ofrohet pjesërisht në fshatin Budull dhe Bubq. Qyteti i Krujës nuk ka furnizimi me ujë te pijshëm 24 orë përkohësisht.

Aktualisht nuk kemi zona të qytetit me furnizimi me 24 orë ujë, sidomos dhe për shkak të marrjes së masave për shkak të problematikave që ujësjellësi kishte gjate fundit te vitit 2021. Pjesa e qendres se qytetit ka furnizimin më të madh me ujë.

Për shkak të problemit të ndodhur nuk kemi një mbulim përkohësisht të një % të caktuar të popullsisë me 24 orë ujë të pijshëm”, sqaron zyrtarisht Bashkia e Krujës.

Më tej theksohet se ka pasur investime për të përmirësuar rrjetin e furnizimit me ujë në vitet 2019-2021.

“Investimi për rritjen dhe përmirësimin e furnizmit me ujë të pijshëm të qytetit të Krujës ka nisur në Shtator 2019-2021, ku është bërë një pjesë e investimit, ku është investuar në burimet e reja për të shtuar sasine e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetit të Krujës dhe faza e 2 është akoma në proces pune që ka të bëjë me rikonstruksionin e linjës së shpërndarjes në qytet. Investimi në Krujë është në vlerën e 376.513.869 lekë me TVSH”, përfundon përgjigjen e saj Bashkia Krujë.

Duke qenë se Kruja aktualisht nuk ofron ujë për konsum, por vetëm për nevoja higjeno-sanitare, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim në terren më 17 mars, ku biseduam me banorë të zonave të ndryshme të qytetit për të mësuar më tepër si është aktualisht situata.

Qyteti i Krujës, 17 mars 2022

“Ne vetë nuk kemi bërë analiza të ujit, njëherë na thonë pihet, njëherë na thonë nuk pihet. Ne kemi merak ta pijmë dhe e blejmë ujin. Dy vetë jemi në familje dhe të paktën një bidon 5 litër e duam çdo ditë, sepse e përdorim dhe për gatim. Për t’u larë dhe për të larë rrobat përdorim ujin që na vjen në rrjet. Uji vjen 1-2 orë në ditë, ndërsa në verë nuk ka. Në verë vjen njëherë në dy ditë nga 20 minuta, maksimumi një orë. Tani në këtë periudhë vjen çdo ditë, të paktën 1-2 orë në ditë, zakonisht në mëngjës 08:00-10:00.  Kemi depozita, i mbushim, madje kemi nga dy që të kemi rezerva.

Vera është shumë problem, ke frikë të të vijë njeri në shtëpi për vizitë. Na vijnë fëmijët ose motrat nga jashtë dhe blejmë ujë çdo ditë në verë, ujë me bote, s’kemi rrugë tjetër. 12 mijë një bot me ujë, këtë vit se dimë se mund të ketë shkuar çmimi. Kur ndodhi helmimi nga uji, ne ishim në Itali, por kanë pasur të gjithë probleme. Goca dhe dy fëmijët që kishim këtu në Krujë u helmuan. Gjithë Kruja ka qenë nëpër spitale, i ka shpëtuar Zoti.

Lagjia jonë merrte ujë nga ujësjellësi i ri, ai ishte faktori kryesor. Tani gjasme ne furnizohemi nga i riu, por nuk dimë gjë, se kemi parë vetë. Të helmosh një qytet dhe të mos merret asnjë masë, vetëm në Shqipëri bën vaki. Kanë qenë mbushur spitalet plot dhe të mos mbajë askush përgjegjësi, është shumë e rëndë”, tregojnë një çift të moshuarish nga lagjia “Berbere”.

Qyteti i Krujës, 17 mars 2022

Një tjetër banore e qytetit të Krujës konfirmon se nuk e përdorin për konsum ujin që vjen në rrjet.

“Pas helmimeve ne nuk e pijmë atë ujë më. Blejmë ujë për të pirë, blejmë ujë për të gatuar. Për të larë përdorim ujin që na vjen në rrjet. Nuk është e përballueshme që të paguajmë tre herë për ujin, por çfarë të bëjmë. 100 lekë (të reja) bën një bidon 5 litra. Mua m’u helmua goca dhe fëmijët e saj nga uji, përfunduan në spital. Unë e kalova në shtëpi, me të vjella. Me ujësjellësin e vjetër kemi qenë shumë mirë, e pinim gjithë kohës. Tani një orë ujë na vjen në mëngjes dhe nuk na mjafton. Në verë nuk ka ujë, vjen njëherë në dy ditë”, tregon Lule Rroshi, banore e qytetit të Krujës.

Qyteti i Krujës, 17 mars 2022

Trauma e helmimit nga uji duke se është ende prezente dhe qytetarët nuk ngurrojnë ta shprehin shqetësimin.

“Uji vjen në orën 07:00 (mëngjes) deri në 10:00 maksimumi. Kemi depozita në shtëpi dhe i mbushim. Nuk e përdorim për të pirë, kemi frikë, vetëm për të larë. Gjithë Kruja është helmuar nga uji i pijshëm në fund të vitit. Të gjithë një për një përfunduam në spital”, tregon një banor nga lagjia “Berbere”.

Bashkia Tiranë

Në lidhje me furnizimin 24 orë me ujë, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, si institucioni përgjegjësi në varësi të Bashkisë së Tiranës, për furnizimin e kryeqytetit.

Kërkesa për informacion dërguar UKT-së, 11 shkurt 2022

UKT bën me dije në përgjigjen e mbërritur elektronikisht më 23 shkurt se 70% e popullsisë në Tiranë furnizohet 24 orë me ujë.

“Qëllimi dhe synimi kryesor i Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. është që në të gjithë qytetin e Tiranës të mundësohet furnizmi me ujë të pijshëm 24/7.

Përmes investimeve të fundit që shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” ka kryer, është fakti që sot ne kemi në një pjesë të konsiderueshme të kryeqytetit, rreth 70 përqind furnizim me ujë 24 orë në ditë. Pjesa më problematike për furnizim të vazhdueshëm, është zona rurale dhe me distancë të largët nga qendrat e banuara”, sqaron UKT.

Zyrtarisht premtohet nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë se parashikohen një sërë investimesh që shumë shpejt të realizohet furnizimi më ujë 24 orë për të gjithë popullatës.

“Në vitet e ardhshme parashikojmë një sërë investimesh strategjike dhe të gjitha këto projekte madhore, krijojnë mundësinë e furnizimit në kushte optimale, në të gjitha njësitë në territorrin e Bashkisë Tiranë, me të njëjtën sasi uji, edhe në lagjet më fundore duke e bërë realitet furnizimin 24 orë ujë në ditë për të gjithë Tiranën.

Rritja e orëve të furnizimit me ujë ka ardhur si pasojë e disa investimeve madhore të kryera nga UKT në vitet e fundit, të cilat kanë patur si synin modernizimin e rrjetit të shpërndarjes, minimizimin e humbjeve, shtimin e linjave të reja si dhe shtimin e kapaciteteve trajtuese të ujit në Impiantin e Bovillës. Qëllimi dhe synimi kryesor i Ujësjëllës Kanalizime Tiranë është që në të gjithë Tiranën të mundësohet furnizimi me ujë të pijshëm 24/7”, thekson UKT.

Sipas tyre, ndër sfidat më të mëdha të shoqërisë së Ujësjellës Kanalizime Tiranë për vitet e ardhshme është modernizimi i rrjetit shpërndarës si dhe kryerja e investimeve të reja në zona ku mungon tërësisht rrjeti për t’i dhënë zgjidhje furnizimit me ujë të banorëve.

Sipas një akt-ekspertimi të kryer në qytetin e Tiranës për periudhën 2015-2017 rezulton se nga analiza e kryer, 3 treguesit e cilësisë së ujit që janë matur gjatë monitorimit të cilësisë në pjësën më të madhe të kohës rezultojnë të jenë tej normave të përcaktuara nga VKM nr. 379/2016.

“Rikthimi i këtyre standardeve brenda normave nuk mund të bëhet vetvetiu në sistemin e ujësjellësit (tubacionet) por normalizimi i tyre mund të arrihet duke kryer ndërhyrje neutralizuese me agjentë të jashtëm përmes proceseve të trajtimit. Vlen të theksohet se mjediset e sistemit të shpërndarjes nuk janë mjedise natyrore dhe rrjedhimisht kanë pak kontakte me agjentë të tillë neutralizues”, specifikohet në raportin e ekspertëve.

Kërkesa për informacion dërguar UKT-së, 11 shkurt 2022

UKT bën me dije në përgjigjen e mbërritur elektronikisht më 23 shkurt se 70% e popullsisë në Tiranë furnizohet 24 orë me ujë.

“Qëllimi dhe synimi kryesor i Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. është që në të gjithë qytetin e Tiranës të mundësohet furnizmi me ujë të pijshëm 24/7.

Përmes investimeve të fundit që shoqëria “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” ka kryer, është fakti që sot ne kemi në një pjesë të konsiderueshme të kryeqytetit, rreth 70 përqind furnizim me ujë 24 orë në ditë. Pjesa më problematike për furnizim të vazhdueshëm, është zona rurale dhe me distancë të largët nga qendrat e banuara”, sqaron UKT.

Zyrtarisht premtohet nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë se parashikohen një sërë investimesh që shumë shpejt të realizohet furnizimi më ujë 24 orë për të gjithë popullatës.

“Në vitet e ardhshme parashikojmë një sërë investimesh strategjike dhe të gjitha këto projekte madhore, krijojnë mundësinë e furnizimit në kushte optimale, në të gjitha njësitë në territorrin e Bashkisë Tiranë, me të njëjtën sasi uji, edhe në lagjet më fundore duke e bërë realitet furnizimin 24 orë ujë në ditë për të gjithë Tiranën.

Rritja e orëve të furnizimit me ujë ka ardhur si pasojë e disa investimeve madhore të kryera nga UKT në vitet e fundit, të cilat kanë patur si synin modernizimin e rrjetit të shpërndarjes, minimizimin e humbjeve, shtimin e linjave të reja si dhe shtimin e kapaciteteve trajtuese të ujit në Impiantin e Bovillës. Qëllimi dhe synimi kryesor i Ujësjëllës Kanalizime Tiranë është që në të gjithë Tiranën të mundësohet furnizimi me ujë të pijshëm 24/7”, thekson UKT.

Sipas tyre, ndër sfidat më të mëdha të shoqërisë së Ujësjellës Kanalizime Tiranë për vitet e ardhshme është modernizimi i rrjetit shpërndarës si dhe kryerja e investimeve të reja në zona ku mungon tërësisht rrjeti për t’i dhënë zgjidhje furnizimit me ujë të banorëve.

Sipas një akt-ekspertimi të kryer në qytetin e Tiranës për periudhën 2015-2017 rezulton se nga analiza e kryer, 3 treguesit e cilësisë së ujit që janë matur gjatë monitorimit të cilësisë në pjësën më të madhe të kohës rezultojnë të jenë tej normave të përcaktuara nga VKM nr. 379/2016.

“Rikthimi i këtyre standardeve brenda normave nuk mund të bëhet vetvetiu në sistemin e ujësjellësit (tubacionet) por normalizimi i tyre mund të arrihet duke kryer ndërhyrje neutralizuese me agjentë të jashtëm përmes proceseve të trajtimit. Vlen të theksohet se mjediset e sistemit të shpërndarjes nuk janë mjedise natyrore dhe rrjedhimisht kanë pak kontakte me agjentë të tillë neutralizues”, specifikohet në raportin e ekspertëve.

Bashkia Durrës

 Bashkia Durrës mbulon vetëm 30% të popullatës me ujë 24 orë. Kjo konfirmohet zyrtarisht nga ky institucion, pas një kërkesë për informacion të dërguar nga Faktoje në adresë të Bashkisë së Durrësit.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Durrësit, 11 shkurt 2022

“30% e popullsisë ose rreth 110.000 banorë furnizohen 24 orë me ujë. Zonat të cilat furnizohen me ujë të pishëm janë 15 zona: 4 zona në ish-Kënetë, 2 zona në në L Nr,14, 2 zona në lagjen nr.13, Shënavlsh, Xhavzotaj, Katund I Ri, 2 zona në Fushë Kuqe”, njofton Bashkia.

Por, cilat zona nuk furnizohen 24 orë me ujë në qytetin bregdetar: “Janë 23 zona, të cilat ndodhen në: Nr. 1,2,3,4,5,6,7,8,9,10,11,12,13,15,16,17,18, Shijak Ishëm, Sukth, Manëz, Prezë.  Furnizimi i tyre varion nga 3 orë në 15 orë, më saktësisht këto zona furnizohen 8 orë ujë në ditë”.

Bashkia Bulqizë

Edhe Bashkia e Bulqizë bën me dije zyrtarisht se nuk ofron furnizim me ujë për të gjithë popullatën, duke specifikuar se sipas llogaritjeve të bëra vetëm 25.5% e banorëve kanë ujë të pijshëm 24 orë.

Përgjigjia e Bashkisë së Bulqizës, 18 shkurt 2022

Por, ashtu si në Bashkinë e Krujës, edhe në atë të Bulqizës ka pasur helmime masive të banorëve si pasojë e ujit të pijshëm që vjen nga rrjeti. Faktoje pyeti ndër të tjera Bashkinë nëse ka pasur investime për të përmirësuar rrjetin e furnizimit dhe sipas përgjigjes zyrare, ndërhyrjet janë bërë në mënyrë të vazhdueshme.

“Investimet për të përmirësuar rrjetin e furnizimit me ujë janë bërë gjatë periudhës 2020-2021. Rikonstruksion total i rrjetit fumizim me ujë Qyteti Bulqizë Faza – I (346.560.000) lekë. Rikonstruksion total i rrjeti fumizim me ujë Qyteti Bulqizë Faza – II (182.849.000) lekë. Ndërtim rrjeti shpërndarës i fshatrave Gjoricë, ndërtim depo Faza II (232.404.000) lekë. Ndërtim rrjeti shpërndarës Ujësjellësi Allmete dhe ndërtim i rrjetit KUZ Lagjia e Vjetër (391.758.000) lekë. Ndërtim i linjës kryesore të ujësjellsit nga burimet e Ganiut, Tuçep-Çerenec (27.218.000) lekë”, argumenton Bashkia në përgjigjen zyrtare.

Pasojat e klorit në shëndet

Faktoje bisedoi me ekspertin Bilbil Daci, i cili tregoi disa nga pasojat e rëndë që ka në shëndet përdorimi i tepërt i klorit. Sipas tij, doza e klorit dhe kloriformet në trupin e njeriut shkaktojnë kancer, shterpësi, çrregullime hormonale, dëmtojnë sistemin imunitar, sistemin nervor, sistemin e qarkullimit te gjakut, sistemin tretes dhe organeve te tjera. Madje eksperti Daci shton se shkakton dëmtime edhe në embrionin e fëmijës që para lindjes, po ashtu edhe te fëmijët që janë në fazën e gjidhënies, si edhe shkakton anemi.

“Cilësia e ujit në vendin tonë lë për të dëshiruar, ka shumë probleme në cilësinë e ujit sidomos në periudha të ndryshme të vitit, që ndikon në shëndetin e popullatës. Përveç ndotjeve natyrore, ndotja më e madhe vjen nga keq menaxhimi i klorinimit që në fakt nuk eshte as klorinim, por dezinfektim. Problemi më i madh që dëmtonon rëndë shëndetin e popullatës është mbi doza e klorit. Gjatë reshjeve të shiut rriten prurjet e burimeve dhe i lëndës organike në ujë dhe në këto raste shtohet mbi doza e klorit. Mbi doza e klorit bashkëvepron me lëndën organike dhe krijohen komponime të klorit organik ose siç njihet ndryshe kloriforme.

Këto komponime në sasi shumë të vogla dëmtojnë rëndë shëndetin e konsumatorit. Këto perberje kimike merren edhe kur e konsumon, por edhe nga produktet ushqimore që përdorin këtë ujë edhe gjatë larjes që kalon nga lëkura në gjak.

Pjesa e mbi dozës se klorit që nuk është lidhur me lëndën organike kur kalon në temperaturat që gatuhen ushqimet si bukë, gjellë, kafe, çaj, ndodh se lënda kimike që përdoret në ujësjellës nga hipoklori kalon në kripëra hipoklorate një lëndë kjo e fundit më toksike se e para. Uji që dezinfektohet as nuk pihet as nuk hahet”, argumenton eksperti.

Gjithashtu, ai ngre shqetësimin se në insitutcionet tona mungojnë ekspertët që bëjnë certifikimin e ujit.

“Institucioni më i lartë shqiptar si ISHP nuk ka ekspertët e duhur për të bërë certifikimin e ujit, mungon kjo bërthamë shkencore. Përpara se të bëhet vlerësimi i parametrave të ujit, bëhet kontrolli i analizave të ujit a janë të sakta apo brenda vlerës së lejuar të gabimit dhe ky grup që kryen këtë kontroll në institucionin tonë mungon”, përfundon Daci.

Nga ana tjetër, një akt-ekspertim i realizuar në vitet 2015-2017 nga ekspertë sugjeron që të mos bëhet klorifikimi i ujit, por të përdoren metoda moderne si në vendet e Europës.

“Tashmë ka mënyra të tjera për të trajtuar bakteret në ujë, të tilla si me një dritë ultraviolet, ozonim etj. Sidoqoftë, trajtimi me klor është akoma opsioni me kosto më efektive për trajtimin në shkallë të gjerë, kështu që praktika e bashkive që shtojnë klor në ujë për të vrarë mikroorganizmat vazhdon. Kloramina, përdoret gjithashtu gjerësisht në trajtimin e ujit të pijshëm”, sugjerohet ndër të tjera në këtë raport.

 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img