Në Bashkinë Lezhë u prezantuan rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që Faktoje zhvillon për të katërtin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endoëment for Democracy (NED). Raporti u bazua në verifkimin e 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit.

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi këtë të premte, 2 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Lezhë, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer mbi punën e kësaj bashkie gjatë vitit 2023.

Ky monitorim vjen në zbatim të Projektit “40 premtime, 10 bashki”, e mbështetur për të tretin vit radhazi nga organizata amerikane National Endoëment for Democracy (NED).

Bashkitë e monitoruara janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës.

Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Maj 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 11 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur.

Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Lezhë arrin në 100%, për të dytin vit me radhë. 

Elson Frroku, drejtor i projekteve strategjike, komunikimit dhe transparencës pranë Bashkisë Lezhë vlerësoi gjetjet e Faktoje.

” Është e dukshme që ju punoni me metoda të kryqëzuara kështu që e parë në këtë prizëm, unë do gjeja rastin që të sugjeroja që tek monitorimi i transparencës, vitin e ardhshëm të kemi zgjëroni gamën e indikatorëvë, sepse kemi shënuar përmirësim”, sugjeroi Frroku gjatë takimit. 

Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Lezhës ka përmbushur dy prej tyre ndërkohë që një rezulton pjesërisht dhe një tjetër i pambajtur.

Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. Premtimet u monitoruan në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik si dhe vëzhgimet në terren. Ndër indikatorët e transprancës ishin programi e transparencës, konsultimi publik si dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).