BallinaFaktometerPa kategoriMohohet paketa e tretë për biznesin e vogël

Mohohet paketa e tretë për biznesin e vogël

AURORA SHPATAJ

Një paketë e tretë financiare u artikulua nga përfaqësues të qeverisë gjatë mesit të muajit prill, kur ende ishin në fuqi masat kufizuese ndaj pandemisë së covid-19.  Që prej asaj kohe e deri më sot qeveria ka ndryshuar disa herë qëndrimin, në fillim duke e mohuar si premtim dhe së fundi duke e konsideruar të panevojshme.

Kryeministri Rama  deklaroi  me datë 5 të këtij muaji që nuk do ketë  një paketë të tretë ekonomike duke dhënë edhe argumentat që sipas tij e bënin atë të panevojshme.

“Për momentin nuk kemi parashikuar një paketë të tretë, nëse nuk do duhet të mbyllemi sërish. Ki besim që gjërat do të shkojnë mirë dhe më e mira është para nesh”, tha Rama.

A duhej ‘anuluar’ paketa e tretë sipas ekspertit?

Faktoje kërkoi opinionin e ekspertit të ekonomisë Zef Preçi mbi këtë çështje.

“Mendoj që qeveria ka nevojë përpara se të bëjë dekalarata të thellohet në gjendjen e sotme të biznesit, kur them gjendjen e sotme kam parasysh sa ky biznes ndikohet nga pandemia dhe sa i shërben vazhdimi i transaksioneve, i punës, i operacioneve nga biznesi,  mbajtja e qytetarëve të punësuar  në punë dhe  zgjerimit të punësimit. Në këtë këndvështrim mendoj që është një përgjigje e nxituar e kryeministrit që nuk pasqyron situatën reale  në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare sot.”-shprehet për Faktojen eksperti Zef  Preçi.

Por si ka precipituar ideja për një paketë të tretë që prej shpalljes së saj si ide për t’i ardhur në ndihmë kategorive të prekura nga kriza e pandemisë?

13 prill kryeministri Rama paralajmëroi një paketë të tretë ekonomike si ndihmë për të përballuar pasojat e pandemisë së COVID-19 që do t’i vinte në ndihmë kategorive që prekeshin më rëndë nga pasojat e saj.

“Në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj, duke parë gjithmonë dinamikën në të dyja frontet dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në atë moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës.” – tha ai.

Më datë 7 maj në emisionin Opinion, ministri Rindërtimit Ahmetaj deklaroi se paketa e tretë do të jetë tipologjikisht e ndryshme nga dy të parat, sepse do të ndihmojë sektorin e prodhimit dhe turizmit .

“Paketa e tretë është e ajo rimëkëmbjes ekonomike, me injektim në sektor. Investime publike dhe private, por nuk do të ketë paketa të tipologjisë 1 dhe 2. Po diskutohet instrumenti i tretë i garancisë për të ndihmuar prodhimin dhe turizmin”-tha Ahmetaj, ndërsa pohoi se kjo paketë parashikohej të zbatohej në muajin qershor.

Më datë 18 qershor ministrja e Financave, Anila Denaj e ftuar në emisionin “Open”, u shpreh qartësisht se nuk do të ketë një paketë të tretë ekonomike për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga COVID-19.

Paketa e tretë u zëvendësua edhe prej saj me termin plan rimëkëmbje.

“Nuk do të ketë paketë të tretë. Kemi zgjeruar paketën e dytë deri më datë 17 maj, duke përfshirë rreth 27 mijë punonjës. Kemi një plan rimëkëmbjeje, por nuk quhet paketë”- tha Denaj.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img