Javët e fundit kryeministri Rama dhe përfaqësues të qeverisë janë shfaqur në zonat e kthyera në kantier ndërtimi, për ndërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Në pamjet e shfaqura nga kanali online i kryeministrit ERTV, në Derven dhe Marikaj pamë se punohej me ritme të larta dhe mjete të rënda. Kur shkuam në terren, pak ditë pas inspektimit realiteti ishte ndryshe.
Javën që lamë pas, kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj, lajmëruan nisjen e ndërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Lajmërimin Rama dhe Ahmetaj e dhanë nga Derveni i Fushë-Krujës dhe Marikaj në Vorë, ku planifikohet ndërtimi i shkollave 9-vjeçare dhe ambienteve për sistemin parashkollor.
Gjatë vizitës në kantierët e ndërtimit, kyreministri Edi Rama, u kërkoi firmave zbatuese të projektit, përfundimin e këtyre veprave deri më 26 nëntor 2020, ditë që përkon edhe me 1 vjetorin e fatkeqësisë natyrore.
Çfarë po ndodh me rindërtimin e shkollave?
Ajo që binte në sy gjatë vizitës së kryeministri Rama dhe ministrit Ahmetaj, ishte numri i lartë i punëtorëve dhe makinerive që ndodheshin në terren gjatë kohës së inspektimit, ndërsa pak orë pas largimit të tyre, një qytetar tha për “Faktoje” se bashkë me zyrtarët, nga kantieri janë larguar edhe makineritë dhe punonjësit.
Pak ditë më pas, ne shkuam në terren për të parë nëse punimet në kantierin e hapur në Derven dhe Marikaj vijonin intensivisht ashtu siç shfaqeshin në transmetimin e ERTV, kur kryeministri ishte në terren.
Në Derven të Fushë-krujës, disa ditë pas vizitës së kryeministrit, shfaqej një tjetër realitet. Nëse gjatë kohës që Rama ishte në terren kishte dhjetëra punonjës, gjatë vëzhgimit tonë nuk kishte asnjë punëtor dhe asnjë makineri ndërtimi.
Gjatë inspektimit të Edi Ramës në Derven, 11 qershor 2020
Gjatë inspektimit të “Faktoje” në Derven, 17 qershor 2020
Gjatë inspektimit të Edi Ramës në Derven, 11 qershor 2020
Gjatë inspektimit të “Faktoje”, 17 qershor 2020
I vetmi ndryshim që ishte bërë në territorin ku do të ndërtohet shkolla, ishte heqja e inerteve të ish-shkollës ekzistuese, ndërkohë që një javë pas këtij inspektimi, nuk konstatuam ndonjë shenjë për hapjen e kantierit dhe gërmime për ngritjen e ndërtesës së re.
Ndërkohë në Marikaj të Vorës, gjatë vëzhgimit tonë në terren ndeshëm makineri dhe punëtorët që po punonin pavarësisht rreshjeve të shiut, edhe pse me një numër të reduktuar, krahasuar me ata që shfaqeshin gjatë inspektimit të kryeministrit Edi Rama.
Gjatë inspektimit të kryeministrit Edi Rama në Marikaj, 12 qershor 2020
Gjatë inspektimit të “Faktoje” në Marikaj, 17 qershor 2020
Përveç shkollave në këto dy zona, në gjithë vendin janë 129 shkolla të tjera që planifikohen të rindërtohen për shkak të dëmtimeve të rënda që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.