BallinaPertej15 kushtet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, as gjysma nuk janë përmbushur

15 kushtet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, as gjysma nuk janë përmbushur

Shqipëria do duhet të përmbush, si fillim 15 kushte, me qëllim avancimin e hapjes së kapitujve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Nga një verifikim i “Faktoje”, rezulton se 9 prej këtyre kushteve nuk janë përmbushur, ndërsa pjesa tjetër has në problematika të shumta në zbatueshmëri.


Shqipërisë iu çelën negociatat për anëtarësim më 24 mars 2020. Gjatë takimit virtual të Ministrave për Evropën, u dakordësua që ky proces për Shqipërinë të kushtezohej me shtimin e kushteve për plotësim, duke e çuar në 15 numrin e tyre.

15 kushte e BE-së për anëtarësimin e Shqipërisë:

1. Miratimi i reformës zgjedhore;
2. Funksionimi i Gjykates Kushtetuese;
3. Funksionimi i Gjykatës së Lartë;
4. Finalizimi i ngritjes se strukturave kundër krimit të organizuar dhe anti-korrupsionit/Funksionimi i SPAK;
5. Forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në bashkëpunim me vendet anëtare dhe nëpërmjet Plan Veprimit për adresimin e krimit financiar;
6. Ulje e numrit të azilkërkuesve;
7. Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecies;
8. Vazhdimi i Reformës në Drejtësi;
9. Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve;
10. Progres në reformën e administratës publike;
11. Zbatimi i reformës zgjedhore;
12. Vendimi për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale 2019;
13. Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare;
14. Miratimi i  Ligjit (të amenduar) të Censit;
15. Avancimi i procesit të regjistrimit të pronave.

Faktoje” bëri një verifikim të ecurisë së Shqipërisë në lidhje me 15 kushtet e vendosura me qëllim hapjen e kapitujeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.

Reforma Zgjedhore u dakordësua mes palëve politike në mbledhjen e Këshillit Politik më 5 qershor. Pas një sërë afatesh të shtyra  dhe ndërhyrjes së vazhdueshme të ndërkombëtarëve, katër anëtarët e Këshillit Politik, arritën në një marrëveshje. Por, edhe pse u miratua në parim, Refoma pritet të kundërshtohet nga opozita parlamentare. Siç edhe ata kanë paralajmëruar, votimi në Kuvend mbetet i pasigurt. (kusht ende i paplotësuar)

Analisti dhe politologu, Afrim Krasniqi, në një intervistë për A2CNN më 16 qershor e konsideroi “një kohë të çuar dëm” marrëveshjen në parim të Reformës Zgjedhore.

Kjo nuk ishte Reformë Zgjedhore, ishte një marrëveshje që të mos ketë reformë. Ky akord është në fuqi dhe nuk shoh vështirësi për kalimin e tij në Parlament. Ajo që po ndodh këto ditë është një lojë me maska e partive politike, është më shumë një përpjekje për të përfituar kredenciale nga situata dhe deri diku për të krijuar imazhin se me të vërtetë kemi një debat publik dhe marrëveshje midis palëve politike, argumentoi Krasniqi.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka arritur të konsituohet plotësisht me anëtarë. Fakt është që Kushtetuesja është jo funksionale, për aq kohë sa nuk plotësohet numri minimal prej 6 anëtarësh. Arsyeja qëndron tek konflikti institucional Kuvend-President-Qeveri. (kusht ende i paplotësuar)

Gjykata e Lartë sot është pa kryetar që prej shkarkimit nga detyra të Xhezair Zaganjorit vitin e kaluar gjatë procesit të vettingut. Ndërkohë gjyqtari Ardian Dvorani (të cilit i kishte përfunduar mandati prej disa vitesh) u shkarkua pak ditë më parë. Aktualisht gjykata drejtohet me kancelar, ndërsa tre gjyqtarët e rinj nuk plotësojnë kriterin ligjor të eksperiencës tre vjeçare si gjyqtar i lartë për të drejtuar këtë gjykatë. (kusht ende i paplotësuar)

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, që do të hetojë zyrtarët, prokurët dhe gjyqtarët e korruptuar u ngrit më 19 dhjetor 2019. Prokuroria e Posaçme u ngrit me një numër minimal nën nivelin kushtetues prej 8 prokurorësh, të cilët ia dolën të kalojnë me sukses të dyja shkallët e vetingut. Prokurorët janë Elida Kaçkini, Enkeleda Millonai, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani. Deri në këto momente, SPAK, duket se nuk ka prodhur ndryshim thelbësor në sistemin e drejtësisë. (kusht i plotësuar)

Ngritja e SPAK duket se gjithsesi nuk ka arritur të japë ende rezultate të prekshme që mund të përkthehen si përmbushje e kushtit të 7-të të Gjermanisë. Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit mbetet ende një sfidë, ndërsa paralelisht qeveria ka urdhëruar ngritjen e një tjetër strukture për këtë qëllim, OFL-së. (kusht i plotësuar, por në disa raste joefektiv)
Kërkesat e për azil të shtetasve shqiptarë në vendet e BE-së vijojnë të mbeten në shifra të larta. Sipas raportit të Agjencisë Evropiane për Azilin (EASO) Shqipëria vazhdoi të ishte mes dhjetë vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve në Evropë gjatë vitit 2019. Shqipëria u redit pas Irakut, Pakistanit, Turqisë, Iranit dhe Nigerisë për nga numri i kërkesave për azil. (kusht ende i paplotësuar)

Rishikimi i ligjit të kosnideruar “Anti-shpifje”, është një tjetër kërkesë e BE-së, e cila për momentin “ka ngrirë”. Komisioni i Venecias, më 5 qershor i kërkoi Qeverisë së Shqipërisë të rishikojë paketën “Anti-Shpifje”. Në opinionin e saj Venecia vlerësoi se paketa “Anti-Shpifje” nuk është gati për t’u adoptuar dhe karakterizohet nga vakuum ligjor. Qeveria, deri më tani nuk ka dhënë ndonjë “shenjë” reflektimi mbi “Paketën AntiShpifje”. (kusht ende i paplotësuar)

Reforma në Drejtësi gjithashtu duket se “ka ngrirë”. Deri tani 90 gjykatës dhe prokurorë kanw dalë jashtë sistemit të drejtësisë nga vettingu. Në sitën e vettingut janë ende për të kaluar rreth 700 gjyqtarë dhe prokurorë.  Ndërkohë që procesi ende nuk ka përfunduar, institucionet e reja nuk janë ngritur të gjitha. Për politologun Afrim Krasniqi, Reforma në Drejtësi nuk është më prioritet. (kusht ende i paplotësuar)

Reforma në Drejtësi ka kaluar nga proritet kryesor në nivel të tretë apo katërt. Qeveria është munduar këto kohë ta pengojë zhvillimin e saj. Nuk ka asnjë forcw politike në Shqipëri që e përkrah Reformën në Drejtësi – shprehet Krasniqi.

Lidhur me prioritetin Track Records-Iniciimi dhe përfundimi i proceseve gjyqësore të shkallës së parë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve, Shqipëria ka miratuar një ligj për sinjalizimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve. (kusht i plotësuar, por joefektiv)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit e konsideron zbatimin e këtij ligji si tepër të ngadaltë: Legjislacioni po zbatohet me ritme tepër të ngadalta dhe ka shume pak sinjalizues që raportojnë korrupsionin në vendin e tyre të punës. Plani duhet të propozojë masa si të bëhet efektiv zbatimi i ketij legjislacioni, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë dhe ILDKPKI-në, argumenton KSHS.

Për sa i përket reformës në administratën publike, konstatohet dixhitalizim i pjesshëm i shërbimeve apo shtim i portaleve për ofrimin e shërbimeve “online”. Edhe Ligji për Statusin e Nëpunësit Civil i vitit 2011 duket se nuk ka sjellë rezultatet e pritshme në këtë kuadër. (kusht pjesërisht i plotësuar, por joefektiv)

Zbatimi i Reformës Zgjedhore gjithashtu mbetet në pikëpyetje. Dakordësimi i 5 qershorit mes palëve politike ka mbetur ende në diskutim. Madje edhe miratitimi i Reformës Zgjedhore, parashikon që implementimi të mos kryhet në zgjedhjet e vitit 2021, por në proceset vijuese. (kusht ende i paplotësuar)

Edhe kushti për dhënien e vendimit nga Kushtetuesja për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019 nuk është përmbushur, në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale. (kusht ende i paplotësuar)

Miratimi i Akteve nënligjore të Ligjit për Pakicat Kombëtare vijon të jetë i paplotë. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2019, thekson problematikat lidhur me zbatimin e të drejtave të minoriteteve. (kusht i plotësuar por, që has në problematika në zbatueshmëri)

Në tetor 2017 qeveria miratoi një ligj të ri për pakicat, por Kuvendi nuk miratoi ligjin dhe rregullat zbatuese. Qeveria përkufizoi grekët, maqedonasit, arumunët (vllehët), romët, egjiptianoballkanikët, malazezët, boshnjakët, serbët dhe bullgarët si pakica kombëtare. Pakica etnike greke u ankua për mungesën e vullnetit të qeverisë për të njohur komunitete etnike greke jashtë“zonave minoritare” të kohës së komunizmit, thuhet në raportin e DASh të vitit 2019

Miratimi i Ligjit (të amenduar) të Censusit vijon të jetë në diskutim, pasi në projekt duhet të përfshihen edhe pakicat kombëtare. Miratimi pritet të kryhet nga INSTAT brenda këtij viti. (kusht ende i paplotësuar)

Më 8 qershor, drejtori i ALUIZN-it, Artan Lame njoftoi nisjen e procesit të regjistrimit të pronave në jug të vendit.Lame deklaroi se ky proces do të trajtojë 16 mijë e 500 pasuri private, shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi dhe ato të privatizuara. Procesi ende është në zanafillë dhe për momentin nuk ka ende të dhëna mbi ecurinë. (kusht ende i paplotësuar)

Nga një “skanim” i theshtë i “Faktojes”, rezulton se  Shqipëria ndodhet relativisht larg përbushjes së 15 kushteve, pasi 9 prej tyre nuk mbeten ende të paplotësuara.

Lexo dhe: https://bit.ly/37B2m0P

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img