BallinaBurokraciBashkia Durrës, informacioni për rindërtimin në “karantinë”

Bashkia Durrës, informacioni për rindërtimin në “karantinë”

Në fund të muajit maj duhet të kishte përfunduar rikonstruksioni i 1152 apartamenteve të dëmtuar nga tërmeti në Durrës. Ky premtim u dha nga kryetari i bashkisë Zhyljen Varfaj në fillim të shkurtit. “Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës mbi çfarë kishte ndodhur me këtë projekt. Por pas përfundimit të afatit ligjor për kthim përgjigjeje dhe justifikimeve të njëpasnjëshme, përfaqësues të institucionit na njoftuan se për dy javët e ardhshme nuk mund të na përgjigjen për shkak të karantinës nga COVID-19.


Në fillim të shkurtit të vitit 2020, kryetari i Bashkisë Durrës, zoti Zhyljen Varfaj, që zëvendësoi zonjën Valbona Sako pas dorëheqjes, pak ditë pas tërmetit, premtoi rikonstruksionin e 1152 apartamenteve të dëmtuara. Zoti Varfaj garantoi se kjo do të ndodhte në një periudhë prej 2-3 muajsh.

Gazeta “Panorama”, e diel 2 shkurt 2020

“Faktoje” iu drejtua më 29 maj Bashkisë Durrës me një kërkesë, bazuar në ligjin 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, nëse ky premtim ishte mbajtur pas skadimit të afatit të vendosur nga ish-kryetari i Bashkisë Durrës.

Më 12 qershor, datë në të cilën përfundoi afati ligjor prej 10 ditësh pune, “Faktoje” kontaktoi me përfaqësues të Bashkisë Durrës për t’i pyetur përse nuk kishte marrë një përgjigje.

Sipas përfaqësuesve të Bashkisë Durrës, e-maili nuk kishte mbërritur në adresën e koordinatorit të së drejtës për informim, adresë e cila është e listuar në faqen e kësaj bashkie nën siglën “Programi i Transparencës”. Megjithatë, na u sigurua që do të merrnim përgjigje brenda javës në vijim.

Të hënën me datë 15 qershor, Bashkia Durrës njoftoi se për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, një pjesë e administratës ishte në karantinë duke kufizuar shërbimin që ky institucion jep.

Të mërkurën më datë 17 qershor, “Faktoje” komunikoi me koordinatorin e të drejtës për informim pranë kësaj bashkie për ta pyetur se kur mund të kishim një përgjigje për kërkesën e dërguar që më 29 maj. Koordinatori tha për “Faktoje” se aktualisht ishte në karantinim dhe nuk mund të futej në zyrë dhe kërkesën e kishte deleguar tek departamenti i Urbanistikës, i cili ishte gjithashtu në karantinim.

Kur “Faktoje” u interesua për të disatën herë për fatin e kërkesës për informim, na u tha se për shkak të karantinës, kthimi i një përgjigjeje nuk ishte i mundur për të paktën 14 ditë  të tjera.

“Faktoje” kontaktoi gjatë të njëjtës ditë, me nënkryetarin e Bashkisë Durrës, zotin Florian Tahiri duke i parashtruar problemin, pyetjet e dërguara në kërkesën e datës 29 maj dhe kërkesën se kur mund ta merrnim nga ai këtë informacion.

Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, nuk kemi marrë përgjigje as nga zoti Tahiri.

Afati ligjor për kërkesën për informacion u tejkalua pa i dhënë përgjigje, ndërsa karantina e shtyn për të paktën edhe gjysmë muaji kthimin e një përgjigjeje në rastin më të mirë, sipas asaj që na u komunikua. Pandemia e Covid -19 në këtë mënyrë ka futur “në karantinë” disa shërbime të bashkisë Durrës, mes të cilëve edhe dhënien e informacionit, një e drejtë themelore e çdo qytetari.

JOEL ÇELA

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img