BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookIdentiteti i kardiologut përdoret online për shitjen e çajit çudibërës

Identiteti i kardiologut përdoret online për shitjen e çajit çudibërës

Ofrimi i këshillave nga pacientë të rremë dhe përdorimi i mjekëve specialistë pa dijeninë e tyre për të promovuar efektet “çudibërëse” të medikamenteve të shitura online, janë një nga format e reja të dizinformimit online. “Faktoje” verifikoi një rast të një medikamenti për trajtimin e problemeve me enët e gjakut, si këshilla e radhës e gënjeshtërt.

Në një artikull që mban datën 7 mars, portalet kanë ofruar një preparat që pretendohet se trajton problemet e enëve të gjakut. Për ta bërë të besueshëm lajmin, është përdorur një intervistë me një grua të moshuar, e cila rrëfen se sekreti i jetëgjatësisë së saj është përdorimi i një çaji që pastron enët e gjakut.

 “Unë dua të jem 150 vjeç!’ – Gruaja e famshme jetëgjatë nga Shqipëria tregon se si ajo zgjati jetën e saj”-shkruan portali që mban emrin “pieshalls.shop”.

Screenshot, lajmi i publikuar nga portali 

Që në hyrje artikulli ka pasaktësi, që të shtojnë dyshimet mbi vërtetësinë e tij. Së pari, në tekst thuhet që ka lindur në vitin 1896 dhe më tej shtohet që ka mbushur 120 vjeçe më 14 mars. Ndërkohë, po të bëjmë një llogaritje të tjeshtë referuar të dhënave në dukje fiktive të portalit rezulton se mosha e saj do të ishte 127 vjeçe. Përpos kësaj thuhet që ajo mbushi 120 vjeçe më 14 mars, ndërkohë që artikulli mban datën e publikimit, 7 mars 2023.

Një shqiptare e quajtur Suela J. lindi në Tiranë në 1896 dhe i mbijetoi revolucionit, dy luftërave botërore, komunizmit dhe të gjitha ish qeverive dhe presidentëve. Ajo është përfshirë në listën e njerëzve më të vjetër në Librin e Rekordeve të Shqipërisë – më 14 mars, ajo mbushi plot 120 vjeç”-shkruan ndër të tjera portali.

Ne bëmë një verifikim të fotos së përdorur në artikull dhe rezulton se e moshuara që përdoret si rast suksesi për të reklamuar çajin në fjalë, nuk është shqiptare. Kërkimet tona tregojnë se ajo quhet Tanzilya Bisembeeva dhe është nga Rusia. Bisembeeva është 123 vjeçe dhe sipas mediave të huaja rezulton gruaja më e vjetër në botë.

Për të promovuar preparatin, portali ka përdorur edhe emrin e një mjeku kardiolog, doktor Fatmir Sula. Në përshkrimin e bërë për mjekun portali shkruan se ai është: “kryemjek në Departamentin e Kirurgjisë Kardiovaskulare në Klinikën Universitare”.

Në përshkrimin e mjekut, portali thotë se Fatmir Sula është Kryemjek në Departamentin e Kirurgjisë Kardiovaskulare në Klinikën Universitare, por kërkimet tona tregojnë se prej vitit 2015, profesor Sula është pjesë e stafit të Spitalit Amerikan 2.

Fotografia që përdoret si imazh për intervistën me doktor Fatmir Sulën është shkëputur nga një video informuese mbi hipertensionin e shpërndarë nga Spitali Amerikan 2 më 11 shtator 2020.

Në këtë video, mjeku kardiolog Fatmir Sula nuk ka sugjeruar përdorimin e preparateve për trajtimin e problemeve të enëve të gjakut. Postime të tilla janë mashtrime për të shitur produkte. Ky nuk është rasti i parë që portalet përdorin emrat e mjekëve të njohur për të shitur produkte. Faktoje ka verifikuar më herët raste të ngjashme ku mjekët bien pre e marketingut të rremë. Më 13 mars, Faktoje raportoi se si ishte përdorur emri i mjekes Monika Dede për të shitur një product, të cilin ajo nuk e njihte fare.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img