BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingLagjja në zonën e NSHU Elbasan, furnizohet pjesërisht me ujë, ankesa edhe për cilësinë e tij

Lagjja në zonën e NSHU Elbasan, furnizohet pjesërisht me ujë, ankesa edhe për cilësinë e tij

Në mars 2022, bashkia Elbasan njoftoi përfundimin e i investimit për rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe furnizimin me ujë të pijshëm në lagjen periferike “Dyli Haxhire“. Lajmi u mirëprit nga komuniteti rom-egjiptian, që përbën një pjesë të konsiderueshme të mbi 1000 banorëve të zonës. Në mars të këtij viti, verifikuam se lagjja furnizohet pjesërisht me ujë, një pjesë e banorëve po e blejnë ujin në dyqan, pasi ai në rubinet është i pakonsumueshëm, ndërsa familje të tjera, enden në dyert e fqinjëve ku mbushin ujin dhe e transportojnë me krahë për në banesat e tyre.

Bardha Nergjoni

Rreth 1000 banorët e lagjes në zonën e njohur si NSHU në Elbasan, ku bëjnë pjesë edhe pakica nga komuniteti rom dhe egjiptian, në mars të vitit të kaluar morën lajmin për përfundimin e investimit për rrjetin e ujërave të zeza dhe furnizimin e vazhdueshëm me ujë.

Kanalizimet në lagjen Dyli Haxhire, Elbasan, mars 2023

Pak ditë para përfundimit të punimeve, më 4 mars 2022 kryetari i Bashkisë Gledian Llatja i shoqëruar nga drejtuesi politik i PS Damian panë nga afër përfundimin e punimeve:  

“Tashmë lagjja ka një investim që e zgjidh problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Sot përfunduam me të gjitha lidhjet e ujit të pijshëm. Investimi që është bërë është përfundimtar” –theksoi ndër të tjera Llatja.

Ndërkohë Damian Gjiknuri, në rolin e drejtuesit politik të partisë socialiste për qarkun e Elbasanit, tha se qeveria po i trajton të gjitha komunitetet njëlloj.

Në vitin 2020 u shpall për herë të parë procedura e tenderimit për investim në këtë zonë dhe fitues u përzgjodh një bashkim subjektesh të përfaqësuar nga Bajrami N.

Screenshot i profilit të Kryebashkiakut të Elbasanit, Gledian Llatja, 4 mars 2022

Deklarata e publikuar në 4 mars 2022 bëri bujë pasi asnjë lagje në qytetin e Elbasanit veç atyre pallateve që kanë depozita qendrore, nuk furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm.

A u garantua frunizimi me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e lagjes?

Gjatë verifikimt në fillim të marsit 2023, të pyetur për Faktoje, banorët thonë se investimi në depo dhe në rrjetin e ujësjellësit në lagjen e tyre ka përmirësuar ndjeshëm furnizimin, por me ndërprerje.

“Është e vërtetë që ne, para se të ndërtohej depoja nuk kishim ujë të pijshëm. Madje na vinin faturat aforfe. Disa ndërtuan puse, disa gjetën zgjidhje të tjera duke mbushur ujë me mjete derisa erdhi ky investim. Ka vetëm një depozitë atje lart në ullishtë. Kur mbaron ajo mbetemi pa ujë. Presim të mbushet prapë depozita në darkë, që të kemi ujë”-thotë Marjeta, nga komuniteti egjiptian, banore në lagjen Dyli Haxhire, pranë rrugës “Kongresi i Përmetit“.

E kontaktuar për Faktoje, Dispeçeria e Shpërndarjes së ujësjellësit Elbasan konfirmon  se depoja e re që furnizon banorët e NSHU mbushet dy herë në ditë me ujë dhe zbrazet në pjesën tjetër të kohës nga 1000 banorët e kësaj zone.

Në projektin teknik të  Ujësjellësit është përcaktuar se volumi i depos 100 m3 do të furnizohet dy herë në ditë nga dy orë, paradite dhe pasdite. Objekti është i mbuluar si një dhomëz betoni e izoluar në një lartësi mbi 170 m në një sipërfaqe me ullinj.

Ndërkohë një tjetër banor në këtë zonë ankohet se uji vjen i ndotur. Aleksandër Krati tregon për Faktoje:

“Nuk qahemi për ujin që mungon. Ne kemi ujë jasht cilësie. Vjen erë dhe është i pakonsumueshëm.  Nuk e di ku e kanë lidhur e si, por uji që vjen tek ne është i ndotur.“

Aleksandër Krati, banor në lagjen “Dyli Haxhire“, Elbasan

Nga verifikimi në terren, uji në tubacionin e familjes Krati ka një ngjyrë dhe erë dhe sipas Aleksandrit diçka mund të jetë bërë gabim gjatë lidhjeve të reja për kanalizimet, gjë që ai pret të verifikohet nga institucionet vendore.

Këtë shqetësim e shfaqin edhe disa banorë të tjerë të lagjes.

“Ne detyrohemi ta blejmë ujin, pasi ky që vjen në çezmat tona nuk pihet. Askush nuk na ka garantuar gjë, po ne me njëri-tjetrin e kemi diskutuar që uji nuk pihet. Duam që ndonjë laborator higjiene të na garantojë që ujin mund ta pijmë, në të kundërt me varfërinë që kemi na shtohet edhe një kosto tjetër. Ka shumë familje tek kjo rruga që e blejnë ujin”-tregojnë ata.

Në lidhje me këtë shqetësim, ne kontaktuam me telefon kryetarin e Bashkië Gledian Llatja, i cili konfirmon se uji monitorohet çdo ditë nga inspektoriati, megjithatë do të bëhet një verifikim nga ana e ujësjellësit. Llatja nuk dha një përgjigje shteruese, nëse uji me të cilin furnizohen banorët e kësj lagjeje është i konsumueshëm dhe pa probleme për banorët e zonës.

Nga informacioni që siguruam në rrugë jo zyrtare nga Inspektoriati i Higjienës në Elbasan, mësuam se uji monitorohet vetëm në një pikë në të gjithë lagjen dhe jo në rrugën specifike ku ka ankesa për cilësinë e tij.

Për të bërë një monitorim specifik duhet paraqitur një ankesë pranë ujësjellësit dhe ujësjellësi t’i kërkojë zyrtarisht Inspektoriatit të marrë mostra dhe të bëjë analiza të ujit. Nëse një qytetar apo grup qytetarësh do të nisej privatisht për analiza uji atëherë do të duhet të paguajë tarifat përkatëse.

Mbi 20 familje të lagjes “Dyli Haxhire“, ende pa ujë

Nga verifikimi në lagjen Dyli Haxhire, rezultojnë se të paktën 20 familje nuk kanë ende ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre, edhe pse ka kaluar një vit nga përfundimi i  investimit. Banorët tregojnë se u duhet të paguajnë me këste kontratën, e cila afërsisht shkon 20 mijë lekë të reja për familje, ndërkohë disa të tjera kanë pasur debi para se të ndërtohej ujësjellësi. Këto debi, banorët refuzojnë t’i paguajnë pasi sipas tyre janë fatura aforfe të vendosura në periudhën që ata nuk furnizoheshin me ujë.  

Nazmi Sejrani thotë se ai është pa ujë në shtëpi. “Unë nuk kam ujë pasi nuk kam kontratë. Ajo shkon 20 mijë lekë të reja dhe nuk kam mundësi ta paguaj. Po mbush me krahë tek njerëzit që njoh. Jam dakord që duhet paguar, por me marrëveshje, duke paguar nga pak se kështu s‘e paguaj dot. Janë 3400 lekë drita, 1 mijë lekë ujë, edhe debia. Ne jemi me ndihmë ekonomike”.

Nazmi Serjani, banor i lagje “Dyli Hahxire“, Elbasan

Edhe për këtë problematikë i kemi dërguar kërkesë për informacion bashkisë Elbasan, e cila deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkohë kryetari i bashkisë Llatja i kontaktuar nëpërmjet whatsup tha se familjet duhet t‘i drejtoheshin ujësjellësit dhe ky institucion të verifikonte rast pas rasti.

Drejtuesi i organizatës Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, Ervis Çota tha se investimi në rrjetin e ri të furnizmit me ujë në rrugën “Kongresi i Përmetit”, në lagjen e njohur si NSHU përmirësoi situatën, por nuk e zgjidhi problemin për disa prej familjeve në këtë zonë.

Lagjja “Dyli Haxhire“, Elbasan, mars 2023

“Ujësjellës Kanalizime Elbasan, ka ndërprerë furnizimin me ujë për  një numër të konsiderueshëm familjesh pasi rezultojnë debitorë, megjithëse për një pjesë të mirë uji është faturuar padrejtësisht. Për një kohë të gjatë kjo rrugë nuk kishte furnizim me ujë dhe situata pranohet nga autoritet. Për të bërë të mundur këto pagesa duhet të lidhen aktmarrveshje me institucionin dhe jo të gjitha e kanë bërë. Ndërkohë një pjesë e tyre po përballen me përmbarimin, edhe pse këto familje ishin në proces gjyqësor me kompaninë për shfuqizimin e faturave. Gjykata vendosi shlyerjen e faturave, edhe pse ekspertiza teknike e ka vlerësuar që kjo zonë nuk furnizohej fare me ujë”.

Ai gjithashtu theksoi se kjo lagje po furnizohet me ujë, por jo vazhdimisht dhe pa cilësi.

“Banorët po përballen me një tjetër sfidë, nëse ky ujë që vjen nga depo është i pijshëm apo jo. Një pjesë që kanë mundësi për ta blerë kanë filluar ta blejnë, ndërsa pjesa tjetër e konsumon edhe pse nuk ndihen të sigurtë nëse uji është i pijshëm. Institucionet duhet të garantojnë që uji është i konsumueshëm në këtë zonë, në të kundërt nuk do të jetë e largët dita kur banorët do të përballen me pasoja shëndetësore.”-përfundon Çota.

*Ky artikull publikohet në kuadër të thirrjes për 10 shkrime me profil fact checking, pjesë e projektit “Forcimi i Gazetarisë Fact Checking në Shqipëri” që po zbatohet nga organizata Faktoje, mbështetur nga Ambasada Hollandeze. Këto artikuj janë pjesë e konkursit kombëtar, për çmimin “Fatos Baxhaku”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img