.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookHieroglifi helikopter, vetëm një iluzion optik 

Hieroglifi helikopter, vetëm një iluzion optik 

Një figurë që i përngjason një helikopteri e gjetur në një pllakë hieroglifesh egjiptiane përdoret nga konspiracionistët si dëshmi se teknologjia moderne ka qenë përdorur nga njerëzit e lashtë. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se figura në fjalë është formuar në mënyrë rastësore nga mbivendosja e disa hieroglifeve mbi njëra tjetrën.

—————————————–

Publicisti Alfred Cako shpërndau në faqen e tij në Facebook foto të një hieroglifi egjiptian të famshëm mes konspiracionistëve që i përngjason një helikopteri. “Ne nuk kemi as 10% te diturise qe kishin Antiket e  lashte,” shkruan Cako në 13 prill. Postimet e Cakos kanë një ndjekje të konsiderueshme dhe ngjallin interes dhe komente në rrjetet sociale. Për këtë arsye Faktoje vendosi të verifikojë më tej këtë pretendim.

I ashtuquajturi “hieroglifi helikopter” ndodhet në Tempullin e Seti I në Abydos, një nga qytetet më të vjetra të Egjiptit të lashtë. Ai është bërë i famshëm në disa rrethe konspiracioniste ku përdoret si ‘provë’ se qenie inteligjente jashtëtokësore kanë patur kontakt me njerëzit e antikitetit, një teori pseudoshkencore e njohur si “astronautët e lashtë”. Disa syresh shikojnë në këtë mbishkrim të lashtë edhe formën e një nëndetëseje dhe një anijeje jashtëtokësorësh.

Sipas arkeologëve dhe egjiptologëve, interpretimi i këtij hieroglifi si një ‘helikopter i lashtë’ shpërfill krejtësisht kontekstin e tij historik.

Një praktikë e zakonshme në Egjiptin e lashtë ishte rigdhendja e hieroglifeve të reja mbi ato ekzistuese. Ajo që duket si figura e një helikopteri është në të vërtetë pasojë e një palimpsesti, mbishkrimi i një teksti mbi një tekst ekzistues.

Tempulli ku këto hieroglife gjenden u ndërtua fillimisht gjatë mbretërimit të Seti I, dhe u përdor më pas edhe gjatë mbretërimit të pasardhësit të tij, Ramesses II. 

Figura e ‘helikopterit’ është formuar si pasojë e mbishkrimit të hieroglifeve të emrit të Ramesses II mbi ato të emrit të Seti I, siç tregohet në figurën e mëposhtme, dhe erozionit që ka pësuar për mijëra vite sipërfaqja ku ato janë gdhendur.

Arkeologu Matt Peeples shpjegon se gdhendjet e mësipërme përkthehen në “ai që prapëson armiqtë e të nëntëve [Egjipti]”, titulli i Seti I, dhe “ai që mbron Egjiptin dhe përmbys vendet e huaja”, titulli i Ramesses II. 

“Faktoje” ka përgënjeshtruar dhe më parë teoritë konspirative të shpërndara nga Cako.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img