Shkollat e premtuara në Astir, ende në ndërtim

Punimet për shkollat në Astir vijojnë të jenë të papërfunduara

373
Shkolla e mesme në Astir, e cila nuk ka përfunduar ende

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, premtoi gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 se në zonën e Astirit do të ndërtoheshin pesë shkolla.

“Ne do të bëjmë 5 shkolla në Astir që do t’i ketë zili e gjithë dynjaja”, deklaroi Veliaj gjatë fushatës elektorale. Në fakt, premtimi për ndërtimin e shkollave në këtë zonë nuk ishte i ri, pasi është përsëritur në disa periudha elektorale.

Kështu, dy projekte për ndërtimin e institucioneve arsimore në zonën e Astirit vijojnë të jenë në proces zbatimi, ndërsa afatet për përfundimin e tyre lidhen me vitet shkollore 2026–2027 dhe 2027–2028.

Bëhet fjalë për projektin “Ndërtim i shkollës 9-vjeçare në rrugën Muharrem Caushi, NJ.A KA/253” dhe atë për “Ndërtim shkolle 9-vjeçare Tipi (2) dhe e Mesme Tipi (4), Njësia Strukturore KA 283, Rruga ‘3 Dëshmorët’”.

Çfarë ndodh sot në terren?

Një verifikim në terren, tregon se në zonën kufitare mes Astirit dhe Yzberishtit, në rrugën “3 Dëshmorët”, kanë nisur punimet për ndërtimin e vetëm dy (nga pesë) e institucioneve arsimore, një shkolle 9-vjeçare dhe një shkolle të mesme, brenda të njëjtit truall, që Faktoje po e ndjek nga viti në vit

Punimet për këto dy objekte janë ende në proces. 

Shkolla e 9-vjeçare ka avancuar më shumë: struktura e godinës është ngritur, ka marrë formë dhe është lyer, por punimet nuk kanë përfunduar, pasi pirgjet me dhera nuk janë hequr dhe objekti ende nuk është funksional.

Ndërkohë, për shkollën 9-vjeçare (Tipi 2) dhe të mesme (Tipi 4), punimet janë në një fazë më të hershme. Në terren është ngritur vetëm kati i parë i strukturës, me kolonat e betonit ende të ekspozuara, ndërsa puna vijon mes punëtorëve dhe makinerive të ndërtimit.

Autoritetet kanë deklaruar se kjo shkollë do të ketë kapacitet për rreth 900 nxënës.

Sipas të dhënave të projektit, investitori është Bashkia Tiranë, ndërsa vlera e kontratës për ndërtimin e dy objekteve është 431.540.207 lekë pa TVSH. 

Punimet po kryhen nga bashkimi i kompanive “NG Structures” SH.P.K. & “EPG Company” SH.P.K., ndërsa afati i zbatimit është parashikuar 24 muaj nga nisja e punimeve. 

Bashkia Tiranë

Pas kërkesës për informacion nga Faktoje, Bashkia Tiranë thotë se punimet për shkollën 9-vjeçare në rrugën “Muharrem Çaushi” përfundojnë brenda afateve kontraktuale, të cilat përkojnë me gushtin e vitit 2026.

Pas përfundimit të punimeve, sipas autoriteteve, po merren masa për lidhjen e kontratave të nevojshme për kolaudimin e objektit dhe mobilimin e plotë të tij.

“Përsa i përket kontratës së zbatimit për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në rrugën Muharrem Caushi, NJ. A KA/253, punimet përfundojnë brenda afateve kontraktuale, të cilat përkojnë në Gusht të vitit 2026 si dhe në vazhdim po merren masa për të realizuar lidhjen e kontratave për të bërë të mundur kolaudimin e objektit si dhe mobilimin e plotë të tij. Vlen  të theksojmë se në rastin kur objektet arsimore janë të reja, jo ekzistuese procedura kërkon një V.K.B për emërtimin si dhe të gjithë dokumentacionin përkatës për çertifikimin, hapjen e këtij objekti si dhe angazhimit të stafit mësimor Zyrës Vendore Arsimore Tiranë”, – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Tiranë.

Ndërkohë, për kompleksin arsimor në Njësinë Strukturore KA 283, në rrugën “3 Dëshmorët”, punimet vijojnë sipas grafikut të zbatimit me afat 24 muaj.

Sipas parashikimit të përcjellë, objekti pritet të përfundojë dhe të jetë gati për përdorim për vitin shkollor 2027–2028.

“Përsa i përket kontratës së zbatimit për ndërtimi shkolle 9-vjeçare Tipi (2) dhe e Mesme Tipi (4), Njësia Strukturore KA 283, Rruga “3 Dëshmorët punimet janë në proces sipas grafikut të zbatimit 24 mujor dhe priten të përfundojnë dhe të jenë gati për vitin shkollor 2027 – 2028”, – thekson Bashkia Tiranë në informacionin e saj zyrtar.

Premtimi

Në prill të vitit të kaluar, gjatë një inspektimi në zonë, kryeministri Edi Rama, ministrja e atëhershme e Arsimit, Ogerta Manastirliu, dhe kryetarja atë kohë  e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, prezantuan projektin si një ndërhyrje për të adresuar nevojën për shkolla në këtë zonë.

“Ajo shkollë, që ne shohim sot është sipas moduleve që ne kemi për shkollat e reja, ku e maksimizojmë hapësirën për të pasur sa më shumë klasa dhe kapacitet, planifikohet për 900 nxënës për ciklin 9-vjeçar”, tha Ristani  

Një vit më parë nga vëzhgimi në terren nga Faktoje rezultoi se shkolla ishte në fazën e ndërtimit të strukturës (karabina), ndonëse afati i përfundimit të të gjithë punimeve është parashikuar prilli i këtij viti.  

Përfundimi

Punimet për përfundimin e të paktën njërës prej shkollave, ajo 9-vjecare, sipas afateve të parashikuara nga një tjetër drejtuese në detyrë (ish-kryetarja e komanduar Anuela Ristani) nuk janë mbyllur ende.  

Verifikimi në terren konfirmon se punimet për dy shkollat kanë nisur dhe punimet kanë avancuar, duke kaluar nga fazat fillestare të kantierit në ngritjen e strukturave. 

Megjithatë, asnjë prej objekteve të verifikuara nuk është përfunduar dhe vënë në funksion.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.