Financimi për arsimin, nga premtimi për 5% i PBB te projeksioni 2.1%

Premtimi i harruar i 5% dhe rënia e numrit të nxënësve

20

Nga Jona Cenameri

Katër ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor për nxënësit e arsimit parauniversitar, më 10 shtator 2026, deputeti demokrat Gazment Bardhi publikoi në Instagram një video kritike ndaj politikave të qeverisë në arsim.

“Mashtrimi dhe propaganda është oferta e vetme e Edi Ramës për shqiptarët”, shkroi Bardhi, duke shtuar se gjatë qeverisjes së kryeministrit socialist “janë 113 mijë nxënës më pak, më shumë se 300 shkolla janë mbyllur dhe financimi ndaj arsimit është ulur nga 5% në vetëm 2.1%”.

Përtej këtij përshkrimi të shkurtër, në video shfaqet Edi Rama përpara zgjedhjeve të vitit 2013, duke premtuar që financimi i arsimit të ishte jo më pak se 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Më pas shfaqet titulli i një artikulli të Monitor, “Shqipëria ul fondet për arsimin deri në vitin 2028, jo më shumë se 2.1% të PBB”, ndërsa videoja vijon me të dhëna për pakësimin e nxënësve dhe shkollave.

Por 5% dhe 2.1%, ndonëse janë shifra që mund të gjenden në dokumente apo deklarata reale, nuk përfaqësojnë dy pika të drejtpërdrejta. E para është një premtim politik për një nivel që duhej arritur. E dyta është një projeksion i Programit Buxhetor Afatmesëm për buxhetin e Ministrisë së Arsimit në një vit të ardhshëm.

5% 

Premtimi për 5% daton nga viti 2013.

Ai u formalizua në Programin Qeverisës 2013-2017, ku qeveria e re angazhohej që: “financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% e PBB me qëllim që të sigurohej arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike”. 

Edhe Strategjia e Zhvillimit të Arsimit 2014-2020 e trajtonte 5%-shin si një synim për t’u arritur. Dokumenti parashikonte rritje graduale të fondeve për ta arritur 5%-shin deri në 2018-2020. 

Këtë premtim e ka verifikuar edhe më herët Faktoje. Në vitin 2018, kur protestat studentore e rikthyen në vëmendje. Faktoje konstatoi se zotimi për ta çuar financimin në 5% të PBB-së nuk ishte realizuar. 

Të dhënat ndërkombëtarisht të krahasueshme tregojnë se Shqipëria ishte dukshëm poshtë kësaj shifre.

Sipas Bankës Botërore shpenzimet publike për arsimin në Shqipëri kanë qenë rreth 3.5% e PBB-së në vitin 2013. Më pas treguesi luhatet: 3.2% në 2014, 3.4% në 2015, 3.9% në 2016, 3.5% në 2017, 3.1% në 2018, 3.9% në 2019, 3.3% në 2020, 3.% në 2021, 2.7% në 2022 dhe 3.1% në 2023. Në këtë segment, 2016 është pika më e lartë dhe përsëri mbetet më shumë se një pikë përqindjeje larg objektivit 5%.

Premtimi për rritjen e buxhetit të arsimit vazhdoi 

Gjatë mandatit të parë, objektivi vazhdoi të shfaqej në dokumentet strategjike. Por me nisjen e mandatit të dytë ndryshoi edhe gjuha e qeverisë.

Programi qeverisës 2017-2021 nuk përsëriti më një objektiv numerik prej 5% të PBB-së. Angazhimi u formulua tashmë si rritje e buxhetit dhe investimeve në arsim dhe kërkim shkencor. 

Çfarë kishte ndodhur me objektivin e vitit 2013 e shpjegoi vetë Rama një vit më vonë, gjatë protestave studentore.

Në një takim me studentët e Universitetit Politeknik në dhjetor 2018, kryeministri pranoi:

“5%-shi i buxhetit ka qenë një angazhim i yni i vitit 2013, një ambicie e vitit 2013. Nuk e kemi realizuar dot…”

Rama sqaroi më tej se në programin e vitit 2017 objektivi nuk ishte përfshirë më, sepse konsiderohej “i pabëshëm” dhe “një objektiv shumë afatgjatë”.

Në një tjetër takim me studentët, Rama e përsëriti se 5%-shi kishte qenë një “aspiratë” e vendosur nga vetë socialistët në programin e vitit 2013 dhe pranoi se kishte “gjëra që nuk realizohen”. 

As Programi Qeverisës 2021-2025 nuk e riktheu financimin e arsimit në 5% të PBB-së si angazhim. Ai përmbante premtime për infrastrukturën shkollore, arsimin profesional, universitetet, kërkimin shkencor, digjitalizimin dhe paga, por jo rikthimin e objektivit të vitit 2013. 

Manastirliu dhe Kumbaro

Në vitet e mëvonshme, edhe komunikimi i ministrave të Arsimit u zhvendos nga objektivi për një përqindje të caktuar të PBB-së te rritja e shumave nominale. Në nëntor 2024, ministrja e atëhershme e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cilësoi projektbuxhetin 2025 si “më të lartin historik për arsimin”. Sipas saj, buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit arrinte në 62.02 miliardë lekë, ose 18.8% më shumë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2024. 

Të njëjtën qasje ndoqi edhe ministrja Mirela Kumbaro kur prezantoi projektbuxhetin 2026. Ajo e quajti atë “buxheti më i lartë nominal ndonjëherë” për arsimin, me 64.865 miliardë lekë për Ministrinë e Arsimit, ose 4.6% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2025. Në këtë rast, vetë Kumbaro bëri edhe dallimin mes buxhetit të ministrisë dhe financimit më të gjerë të sektorit, duke argumentuar se me fondet e aktorëve të tjerë financimi i arsimit arrinte në rreth 90 miliardë lekë. 

Buxheti është rritur, por nuk ka shkuar drejt 5%

Një buxhet mund të rritet në lekë dhe njëkohësisht të zvogëlohet si përqindje e PBB-së. Kjo ndodh kur ekonomia rritet më shpejt sesa fondet që i caktohen një sektori.

UNESCO e ka evidentuar këtë problem për Shqipërinë. Në analizën e sektorit të arsimit, të cituar edhe në verifikimin e mëparshëm të Faktoje, organizata konstatonte se shpenzimet për arsimin ishin rritur gjatë dekadës, por me ritëm më të ngadaltë se buxheti i përgjithshëm i qeverisë dhe PBB-ja. 

Në janar 2025, Faktoje analizoi pikërisht këtë prirje dhe konstatoi se buxheti i arsimit në 2024 në raport me PBB-në kishte zbritur në nivelin më të ulët të 11 viteve të analizuara. Verifikimi tregonte gjithashtu se gjatë vitit 2024 financimi nuk mbeti i pandryshuar: akti normativ i dhjetorit uli me rreth 753 milionë lekë fondet e llogaritura në analizë për arsimin. 

Shuma që miratohet në fillim të vitit nuk është domosdoshmërisht ajo që mbetet deri në fund. Buxheti mund të ndryshohet me akte normative, rialokime dhe shtesa fondesh.

E kundërta ka ndodhur në vitin 2026. Në rishikimin e buxhetit gjatë verës, Ministria e Financave i shtoi Ministrisë së Arsimit rreth 750 milionë lekë, prej të cilave 500 milionë për arsimin bazë, tekstet dhe mbështetjen e studentëve dhe 250 milionë për infrastrukturën shkollore dhe universitare.

2.1%-shi nuk është buxheti aktual

Shifra 2.1% që deputeti Bardhi i referohet përmes videos së publikuar është  e pasqyruar tek Programi Buxhetor Afatmesëm 2026-2028.

Në Fazën II të atij programi, tabela për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit parashikonte që pesha e buxhetit të ministrisë të shkonte nga 2.4% e PBB-së në 2025, në 2.3% në 2026, 2.2% në 2027 dhe 2.1% në 2028.

Ndërkohë, dokumentet e fundit shqiptare vazhdojnë ta vendosin financimin total të sektorit rreth 3% të PBB-së. Për vitin 2024 buxheti faktik ka qenë 3.1% e PBB, për vitin 2025 3.2%, dhe për vitin 2026 Ministria e Financave e projekton në 3.2%. 

Minus 113 nxënës dhe 300 shkolla

Dy treguesit e tjerë të përdorur nga Bardhi gjejnë mbështetje në statistikat zyrtare, por kërkojnë një saktësim mbi kategorinë që matin. Vjetari Statistikor i Ministrisë së Arsimit tregon se në vitin shkollor 2014-2015 në arsimin bazë publik ishin të regjistruar 342,765 nxënës, ndërsa në 2023-2024 numri kishte zbritur në 228,833.

Brenda kësaj periudhe, arsimi 9-vjeçar publik ka humbur kështu 113,932 nxënës, ose rreth një të tretën e tyre.

Në të njëjtën periudhë, numri i institucioneve publike të arsimit bazë ka rënë nga 1,317 në 1,014, një diferencë prej 303 institucionesh. Megjithatë, statistika zyrtare evidenton rënien e numrit të institucioneve dhe jo domosdoshmërisht mbylljen administrative të secilës prej tyre. 

Rënia ka vijuar edhe më pas. Sipas INSTAT, në vitin shkollor 2025-2026 në arsimin 9-vjeçar u regjistruan 243,764 nxënës, 2.7% më pak se një vit më parë, ndërsa numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin parauniversitar zbriti në 399,258. 

Artikulli paraprakI rrezikshëm ky përdorim i Ivermectinës si kurë universale
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.