BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookShkaktimi i tërmeteve në Greqi nga sistemin kërkimor HAARP, i pafaktuar

Shkaktimi i tërmeteve në Greqi nga sistemin kërkimor HAARP, i pafaktuar

Një transmetues me frekuencë të lartë në Alaskë, i quajtur sistemi HAARP, nuk është vërtetuar të jetë shkaktar i tërmeteve të fundit në Ballkan apo edhe shumë fenomeneve të tjera natyrore. Portalet kanë ndarë së fundi një teori konspirative të publikuar nga Alfred Cako, duke krijuar panik të panevojshëm tek publiku.

Jona Plumbi

Teoritë konspirative gjatë viteve të fundit kanë gjetur hapësira të gjera në televizionet shqiptare, duke ndihmuar në përhapjen e dizinformimit, si rezultat i shpërndarjes “copy-paste” me ritme eksponenciale në portale online. Një prej tyre është emisioni “Jashtë Matriksit” drejtuar nga analisti/konspiracionisti Alfred Cako. Deklarata e tij më e fundit, është shpërndarë nga medium të ndryshme në rrjet, pa “e vrarë” mendjen për të verifikuar më parë pretendimin e ngritur. Viktimë e joshjes së madhe të publikimit të lajmeve sensacionale me qëllim mbledhjen e klikimeve kanë rënë disa portale online si Ora News, Gazeta SOT, Korrieri dhe lajmeflesh.com.

Në 20 dhjetor, këto portale i bëjnë eko deklaratës së tij se “Të gjithë e kemi dëgjuar sistemin HAARP që është ngritur si një investim i ushtrisë amerikane dhe më vonë kaloi si një studim universitar në Alaskë. HAARP është një program për studimin e aurorës me frekuencë të lartë, duke studiuar jonosferën që ngacmohet në frekuenca të caktuara. ShBA-të me sistemin HAARP ndikuan në pllakat tektonike në Haitit dhe vala e tyre shkaktoi lëkundje dhe tërmetin në Haiti. Njëkohësisht tërmetet që ndodhën në Turqi dhe Greqi ka pasur hipoteza se mund të jetë shkaktuar nga sistemi HAARP. Po ashtu edhe shirat e pazakontë në Gjermani para 2 vitesh.”

Pasi japin pretendimin e tij, të cilën një pjesë e portaleve e japin në ligjëratë të zhdrejtë, pa e theksuar se ky është mendimi i pa vërtetuar i një drejtuesi emisioni, aspak ekspert i fushës për të cilën po flet.

Në fakt, HAARP (High-frequency Active Auroral Research Program) është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane në vitin 1993, dhe i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Për shkak të faktit që origjina e këtij projekti është ushtarak, HAARP ka qenë prej kohësh në krye të teorive konspirative. Këtu futet edhe deklarata e Alfred Cakos, i cili deklaron se ky sistem mund të shkaktojë tërmete, apo edhe të kontrollojë mendjen e njerëzve.

Për këtë ka folur edhe Robert Mçoy, drejtuesi i Institucionit gjeofizik në Universitetin e Alaskës, Fairbanks. Sipas tij, “HAARP është një transmetues me frekuencë të lartë (thënë thjeshtë, një radio me valë të shkurtra) dhe përdoret për të kryer eksperimente në një hapësirë 100 x 100 kilometra të jonosferës së sipërme. Transmetimet nga HAARP shkaktojnë vetëm efekte të vogla në jonosferë që zgjasin disa sekonda. Përveç kësaj, objekti funksionon vetëm disa orë çdo vit. Sasia e energjisë me frekuencë të lartë që vjen nga operatorët radio amatorë në mbarë botën pothuajse me siguri i tejkalojnë transmetimet që vijnë nga sistemi. HAARP nuk mund të ndikojë në asnjë nga fenomenet natyrore të përmendura në artikull, si tërmetet dhe stuhitë e borës, dhe nuk ka asnjë mënyrë që të ndërveprojë me njerëzit ose të ndikojë tek ata.”

Profesori Fred Menk, ekspert i jonosferës së tokës dhe magnetosferës në universitetin Newcastle i quajti pretendimet për pasoja shkatërruese si “çmenduri”.

Ai shpjegon se “Transmetimet e radios HF (Frekuenca e Lartë) kanë të bëjnë me ndërveprimin me grimcat e jonizuara – elektronet – në jonosferë, mbi 100 km lartësi. Moti në nivelin e tokës nxitet nga efektet gjeofizike, kryesisht ngrohja diellore, në atmosferën neutrale shumë më afër tokës. Nuk ka asnjë mundësi që ndonjë nga këto të ndikojë në motin e përditshëm. Çdo sugjerim i tillë është i pakuptimtë.

Menk vijon duke shpjeguar se pjesa dërrmuese e motit që përjetojmë ne në sipërfaqen e tokës, ndodh në troposferë dhe stratosferë, deri në rreth 15 kilometra lartësi. Kjo është shumë më poshtë lartësisë minimale të jonosferës, ku funksionon sistemi HAARP.

Jonosfera gjendet në disa breza, të cilat zhvendosen dhe ndryshojnë madhësinë në varësi të një sërë faktorësh. Brezi më i ulët fillon në rreth 60-70 km lartësi nga niveli i tokës dhe shkon deri në 500 km.

Si përfundim, ka një hendek shumë të madh mes ajrit (motit të vëzhgueshëm) dhe jonosferës. Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës fluturon në 400 km lartësi, në jonosferë dhe të gjithë e dimë se nuk bie ndonjëherë shi atje lart.

Sa i përket pretendimit se edhe Bashkimi Europian është i shqetësuar lidhur me HAARP dhe se ka kërkuar shpjegime për këtë teknologji, “Faktoje” vërtetoi se ky shqetësim është ngritur në janar 1999 në Komisionin për Mjedisin, Shëndetin Publik dhe Mbrojtjen e Konsumatorit pranë Parlamentit Evropian. Është pikërisht kjo pikënisja e të gjitha teorive konspirative lidhur me këtë sistem.

Një raport i këtij komisioni, kërkon që të “konsiderojnë HAARP (Projektin e Kërkimit Auroral Aktive me Frekuencë të Lartë) për shkak të ndikimit të tij të gjerë në mjedis si një shqetësim global dhe kërkon që implikimet e tij ligjore, ekologjike dhe etike të shqyrtohen nga një organ i pavarur ndërkombëtar përpara çdo kërkimi dhe testimi të mëtejshëm.” Ky dyshim ka ardhur pas dëgjesës së 5 Shkurtit 1998 të Nën-komisionit Parlamentar mbi Sigurinë dhe Çarmatimin mbi sistemin HAARP, ku ishin të ftuar edhe NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u përfaqësuar në takim, por që zgjodhën të mos dërgonin askënd. Dyshimet gjatë këtij takimi kërkonin të sqarohej nëse “HAARP mund të japë miliona herë më shumë energji në një zonë të caktuar se çdo transmetues tjetër konvencional. Energjia gjithashtu mund të drejtohet në një objektiv lëvizës i cili duhet të përbëjë një sistem potencial antiraketë.

Në vitin 2003, politikani gjerman Hiltrud Breyer iu drejtua Parlamentit Europian me tre pyetje, lidhur me sistemin HAARP dhe efektet e tij. Në përgjigjen e saj BE-ja deklaron se “HAARP është një program ushtarak ndaj komisioni nuk ka kompentencën apo ekspertizën e duhur, për të kryer vlerësimin e kërkuar nga Raporti (i sipërcituar).

Asokohe, ky program ishte ende në duart e ushtrisë amerikane, e cila ia kaloi Universitetit të Alaskës në vitin 2005.

Situata nuk u përmirsua në 2015-ën, kur Parlamenti Europian merr një tjetër kërkesë për informacion lidhur me sistemin HAARP dhe vlerësimin që BE i bën asaj. Në përgjigjen e saj pa përgjigje, BE njofton se është në dijeni të raportit të Parlamentit të janarit 1999, por se çështja specifike e HAARP nuk është diskutuar kohët e fundit në organet kompetente të BE-së dhe se Komisioni nuk është në dijeni të ndonjë iniciative të fundit për të futur në rendin e ditës për diskutim këtë çështje.

Si duket edhe nga vetë deklaratat publike të Bashkimit Europian, unioni nuk është vënë në lëvizje për të marrë më shumë informacion lidhur me sistemin HAARP.

Fatkeqësisht një pjesë e mirë e teorive konspirative furnizohen pikërisht nga mungesa e informacionit publik dhe ndonjëherë kompleks për çështje të caktuara. Por për të ofruar një informacion të qartë dhe të paanshëm për lexuesit, mediat kanë detyrimin moral t’i ofrojnë atyre informacion të gjithëanshëm dhe të faktuar mbi situatën, në mënyrë që zgjedhja për t’i besuar njërës apo tjetrës teori të mbetet në gjykimin e lexuesit dhe jo të jetë rezultat i mungesës së informacionit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img