BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBebja “me bisht” lindi përpara nisjes së Covid-19, asnjë lidhje me vaksinimin

Bebja “me bisht” lindi përpara nisjes së Covid-19, asnjë lidhje me vaksinimin

Një defekt fizik në një bebe të lindur, që nuk është i pari, por i rrallë në botë, është keqinterpretuar në një nga postimet e Alfred Çakos në Facebook si pasojë e fushataës së vaksinimit anti-Covid. Verifikimi i “Faktoje” rrëzon këtë pretendim të pabazë dhe të dëmshëm.

Nevila Gjata

Alfred Çako i përket botës së ashtuquajtur no-vax, i identifikuar ndjeshëm si i tillë në kohën e COVID-19. Në të njëjtën linjë, në 24 nëntor, ai ndau në profilin Facebook të tij foton e një foshnjeje, e bërë virale në mediat sociale për shkak të një zgjatimi në formë bishti në fundshpinën e saj. “Pasojat e genocidit te çpimeve”, shkruan Çako në postimin që shoqëron foton, duke ngritur dyshimin se deformimi është pasojë e fushatave të fundit të vaksinimit të ndërmarra nga qeveritë për të luftuar pandeminë e koronavirusit. 

Për shkak të numrit të madh të ndjekësve të këtij profili si dhe interesit që shkaktojnë online teoritë konspirative të zotit Çako, “Faktoje” vendosi të verifikojë më tej këtë postim. Në një kërkim të fotos nëpërmjet aplikacionit Tineye, zbulohet se ajo është publikuar për herë të parë nga një faqe online dhe paraqet rastin e një fëmije nga Bangladeshi. 

Sipas artikullit, bishti 16 centimetra i gjatë u hoq me sukses në spitalin e përgjithshëm Al-Karim në Dhaka. “Ky rast nuk është aq kritik sa është i rrallë. Bishti ishte pa nerv, kockë dhe nuk ishte i lidhur me palcën kurrizore,” citohet Dr. Nazrul Akash, kirurgu pediatër, i cili nuk përmend se rasti në fjalë ishte si pasojë e vaksinimit. 

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur në periudhën kur ka ndodhur ndërhyrja kirurgjikale, në qershor 2019, nuk ishte shfaqur ende pandemia e COVID-19. 

Bazuar në studimet e konsultuara nga “Faktoje”, lindja e fëmijëve me të tilla deformime (bisht) është shumë e rrallë, por jo e pahasur më parë. Deri më tani, janë regjistruar rreth 40 raste në të gjithë botën të raportuara në literaturën shkencore.

Ende sot ka konfuzion në lidhje me përkufizimin e bishtit të njeriut dhe klasifikimin e tij. Për herë të parë për këtë fenomen është folur që në vitin 1880 ndërsa rastet e para zyrtarisht janë raportuar nga viti 1960.

Shfaqja e bishtave tek njerëzit vazhdon të jetë një fenomen i rrallë që në literaturën zyrtare shkencore nuk i atribuohet vaksinimit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img