I pabazë financimi i revistës TIME nga USAID

25

Pretendimi: USAID i pagoi revistës Time 4 milionë dollarë për ta nominuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si Personi i Vitit në 2022

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se Agjencia e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), i pagoi revistës Time 4 milionë dollarë për ta nominuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si Personi i Vitit në 2022.

Megjithatë, për të mbështetur këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.

Postimi shoqërohet me një video që mban logon e tabloidit amerikan New York Post dhe pretendon se USAID i transferoi 4 milionë dollarë revistës Time në vitin 2022, për ta detyruar organizatën mediatike që ta shpallte Zelenskyn si Personin e Vitit. Në të, pretendohet se u zbulua që revista ishte paguar nga USAID në saj të hetimit të Departamentit për Efiçencën Qeveritare (DOGE), të drejtuar nga biznesmeni dhe milioneri Elon Musk. Përveç pretendimeve lidhur me liderin ukrainas, thuhet se USAID dhuroi mbi 8 milionë dollarë për gazetën Politico, financoi mijëra gazetarë dhe devijoi fonde drejt Partisë Demokratike.

Megjithatë, asnjë video apo artikull i tillë nuk shfaqet në faqen e internetit të New York Post. Iva Benson, një zëdhënëse e tabloidit i tha AFP se video “nuk është e vërtetë.”

Ndërkohë, një zëdhënës i revistës Time i tha AFP se pretendimet e ngritura në video janë të pavërteta. “Time nuk është paguar nga USAID apo ndonjë entitet tjetër për ta shpallur Zelenskyn ‘Personin e Vitit’; ky vendim merret ekskluzivisht nga redaktorët e Time,” tha zëdhënësi.

Një kërkim në USAspending.gov, një burim zyrtar i të dhënave të hapura për shpenzimet federale, nuk tregon asnjë provë që revista të ketë përfituar fonde nga USAID.

Presidenti ukrainas Zelensky dhe “shpirti i Ukrainës” u shpallën “Personi i Vitit” nga revista Time në vitin 2022, pas nisjes së luftës me Rusinë në shkurt të atij viti. “Sepse dëshmoi se guximi mund të jetë po aq ngjitës sa frika, sepse lëvizi popuj dhe kombe për t’u bashkuar në mbrojtje të lirisë, sepse i kujtoi botës se sa e brishtë është demokracia – dhe paqja – Volodymyr Zelensky dhe shpirti i Ukrainës janë Njeriu i Vitit 2022,” shkruante Time në atë kohë.