BallinaFaktometerE PavërtetëSkeletet e “gjigandëve” rezultat i një konkursi për manipulimin e fotove

Skeletet e “gjigandëve” rezultat i një konkursi për manipulimin e fotove

Disa foto të skeleteve gjigande të zbuluara nga gërmime arkeologjike dhe të publikuara së fundi nga Alfred Cako, rezultojnë se janë rezultat i manipulimeve të fotografive. Këto fotografi qarkullojnë prej 20 vitesh online dhe për fat të keq përdoren për nxitjen e teorive konspirative.

—————

Publicisti Alfred Cako shpërndau në faqen e tij në Facebook dy foto skeletesh ‘gjigantë’ të shoqëruar me përshkrimin “këtë të vërtetë duhet ta mësojnë fëmijët në shkolla. Gjigantët ishin të vërtetë dhe illuminati e ka ndryshuar Historinë sa here që ka dashur.”

Imazhet duket sikur janë të gërmimeve arkeologjike që kanë zbuluar skelete të stërmëdhenj, krahasuar me gërmuesit përreth tyre. Kjo teori qarkullon nëpër internet për të paktën 18 vite. Disa versione të saj pretendojnë se këto zbulime të skeleteve gjigantë u bënë nga skuadra e “National Geographic” në Indi.

Vetë fotot janë më të vjetra. Ato e kanë origjinën në vitin 2002, kur faqja online “ëorth1000”, e cila mbante konkurse manipulimi dixhital fotosh, mbajti një konkurs të quajtur “Anomali Arkeologjike”, i cili i ftonte pjesëmarrësit të krijonin “një zbulim arekologjik të rremë (p.sh. Atlantis, një kanaçe Coca-Cola 2000 vjeçare ose kafkën e një gjiganti).” Rregullat e lojës përcaktojnë: “Detyra juaj është të tregoni foton e një zbulimi arkeologjik që duket kaq i vërtetë sa, nëse nuk do ishte shfaqur në “Worth1000”, njerëzit mund të ishin menduar dy herë.”

Fakti që, pas 20 vitesh, fotot e skeleteve gjigantë merren si provë që gjigantët kanë ekzistuar vërtet dëshmon për talentin e autorit të fotos së manipuluar, përdoruesit me pseudonimin IronKite.

Autori shpjegoi se ai përdori një foto të vërtetë të një gërmimi arkeologjik në Hyde Park, New York, që kishte zbuluar skeletin e një mastodoni. Ai zëvendësoi skeletin e mastodonit me atë të një njeriu, dhe shtoi figurën e një personi me lopatë në dorë.

Fotoja origjinale e gërmimit arkeologjik

Foto e dytë duket se është një tjetër manipulim. Në të njejtën mënyrë si IronKite, autori anonim duket se ka shtuar figurat e tre gërmuesve dixhitalisht, sipër një fotoje të një skeleti njerëzor. Fotoja në fjalë duket se është një foto ilustruese “stock” e marrë nga interneti dhe e pasqyruar.

Fotoja ilustruese e marrë nga interneti (djathtas) dhe fotoja e manipuluar (majtas)

Teoria e ekzistencës së gjigantëve, dhe sjellja e këtyre fotove si ‘provë’, është përgënjeshtruar edhe nga vetë National Geographic.

Për më tepër, ekzistenca e njerëzve gjigantë, ose të paktën gjigantëve që kanë fiziologjinë e qënieve njerëzore, është e pamundur shkencërisht. Kjo si pasojë e ligjit katror-kub, sipas së cilit me rritjen e një forme në dimensione (gjatësi, gjerësi dhe lartësi), volumi i një trupi rritet me shpejt se sipërfaqja e tij. Kjo është arsyeja pse kafshët e mëdha ndryshojnë në formimin fiziologjik nga kafshët e vogla, siç shkroi shkencëtari J. B. S. Haldane në vitin 1928. Një elefant nuk mund të ngatërrohet me një mi gjigant.

Kështu, një person 8,5 metra i gjatë, 5 herë sa mesatarja njerëzore 1,7 metër, do të peshonte sa pesha mesatare e një personi (70kg) shumëzuar për 5 (faktorin e rritjes) në kub. Pra, 70kg x 5 x 5 x 5 = 8,750 kg. Me hapin e parë që ky person do të hidhte, kockat e tij do të thyheshin.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img