Pretendimi: Kjo video tregon protesta antiglobaliste kritike ndaj Bashkimit Europian që kanë paralizuar Greqinë
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon protesta antiglobaliste kritike ndaj Bashkimit Europian që kanë paralizuar Greqinë në Shtator 2026.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar në rrjet që në Shkurt të vitit 2025. Një media greke e publikoi videon më 28 shkurt 2025, duke ia atribuar atë gazetarit Alexandros Litsardakis. Në përshkrim thuhej se ishte “nga Selaniku, për 57 viktimat e Tempit.”

Litsardakis tha për Reuters se e kishte filmuar videon në Selanik në vitin 2025, në përvjetorin e dytë të aksidenti më vdekjeprurës hekurudhor në Greqi. Ai shtoi se atë ditë kishte pasur protesta masive në mbarë vendin dhe se protesta të ngjashme u zhvilluan edhe këtë vit, në përvjetorin e 28 shkurtit, për të përkujtuar viktimat.
Më 28 shkurt 2025, demonstrata mbarëkombëtare përfshinë Greqinë, ndërsa qytetarët u mblodhën për të përkujtuar përplasjen e trenave që ndodhi jashtë fshatit Tempi, pranë qytetit të Larisës, në mbrëmjen e 28 shkurtit 2023. Përplasja e një treni pasagjerësh nga Athina për në Selanik me një tren mallrash u mori jetën 57 personave, ndër to edhe gjashtë shqiptarë. Dy trenat kishin udhëtuar drejt njëri-tjetrit për kilometra të tërë pa aktivizuar asnjë alarm.
Gjatë protestës së vitit 2025 në Selanik, pjesëmarrësit lëshuan dhjetëra tollumbace të zinj në qiell në kujtim të viktimave. Mediat vendase raportojnë se pati edhe trazira dhe përleshje mes protestuesve dhe policisë.






