BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBelind Këlliçi nuk e ndryshoi posterin me gishtin e mesit

Belind Këlliçi nuk e ndryshoi posterin me gishtin e mesit

Posteri me gishtin e mesit i kandidatit Belind Këlliçi, nuk është hequr pas reagimeve që ngjalli, ndryshe nga çfarë raportuan disa media. Faktoje verifikoi më tej ngjarjen më të debatueshme të ditëve të fundit.

Jona Plumbi

Nuk reziston as 24 orë: Belind Këlliçi ndryshon posterin e fushatës, pas kritikave të ashpra.” – Ky është titulli i lajmit të publikuar nga Gazeta Tema në datë 26 Prill. Sipas lajmit të publikuar në 26 prill, kandidati për bashkinë Tiranë i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ndryshoi posterin ku shfaqej me gishtin e mesit të dorës të ngitur dhe e ka zëvendësuar atë me një tjetër poster.

*imazh i lajmit të publikuar nga Gazeta Tema në 26 Prill 2023

Në brendësi të lajmit, theksohet se “…pavarësisht se e mbrojti publikisht posterin me gishtat e mesit, Këlliçi ka reflektuar dhe ka ndërruar mëndje, për shkak se ndaj posterit pati reagime kundër nga të gjithë”.

Nisur nga ky pretendim Faktoje verifikoi nëse posterat e vendosur në rrugët e qytetit janë ndërruar apo jo. Nga një verifikim i kryer në terren rezulton se posterat nuk janë hequr. Fotografia që shihni më poshtë është shkrepur në rrugën përballë ish-ekspozitës në datën 26 Prill.

*foto e shkrepur në zonën e ish-ekspozitës në mesditën e datës 27 prill. I njëjti poster ndodhet edhe në krahun tjetër të Lanës

Nisur nga kjo mospërputhje, “Faktoje” kërkoi informacion edhe nga stafi elektoral i kandidatit të opozitës, Belind Këlliçi.

Zëdhënësja për fushatën e Bashkisë Tiranë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Silvi Bardhi, e pyetur nga “Faktoje” lidhur me një vendimmarrje të ekipit për heqjen apo ndërrimin e posterit, e mohoi këtë pretendim.

Asnjë poster nuk është tërhequr. Mesazhi kundër korrupsionit do të fuqizohet edhe më shumë me denoncime, që po i bëjmë çdo ditë, u përgjigj zëdhënësja e fushatës së kandidatit Këlliçi.

Një vëzhgim i posterave të vendosur nëpër rrugët e qytetit tregon se fushata e Belind Këlliçit po përdor disa versione imazhesh, për të dhënë mesazhe të ndryshme.

Një prej tyre është edhe posteri ku duart e Belindit formojnë një çati shtëpie dhe mesazhi thotë se “duart e Belos do ta ulin koston e jetesës në Tiranë”, pra posterat nuk janë përjashtues dhe po përdoren disa njëkohësisht.

Nisur nga verifikimi në terren dhe vetë refuzimi që ekipi elektoral i Këlliçit i bën tërheqjes së posterave të debatueshme, “Faktoje” e kategorizon lajmin si të pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img