Masat shtrënguese gjatë pandemisë së COVID-19, patën efekt pozitiv në uljen e ndotjes së mjedisit. Këtë e provojnë matjet e kryera në Tiranë gjatë periudhës së karantinës. Këto kohë kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj kanë folur mbi idenë e fundjavave pa makina në Tiranë. Por çfarë e bën të vështirë realizimin e kësaj nisme?
—————————————————————————————————————————————-
Në 19 prill kryeministri Edi Rama shprehu dëshirën që fundjavat në Tiranë të jenë pa makina, ashtu siç ka qenë deri tani prej mbylljes nga COVID-19.
Kryebashkiaku Veliaj i shpërndau fjalët e kryeministrit dhe shkruajti: “Shumë dakord”.
Çfarë thonë ekspertët
Për ambjentalistin Lavdosh Feruni, kjo nismë duhet të konkretizohet.
“Në parim për Tiranën jam radikal për lëvizjet e mjeteve, duhet që njerëzit të lëvizin me biçikletë, 50% të mobilitetit, por duhen edhe shumë pedonale. Jam dakord, por që të bëhet realitet duhet menduar që tani, duhen investime, duhen korsi. Ku shkuan biçikletat me qira? Ishte iniciative e mire. U la përgjysmë”.
Arion Sauku i projektit GreenLungs që bën matje alternative të ajrit në Tiranë thotë po ashtu e nisma do të sjellë një mjedis më të pastër.
“Po të realizohet pozitive është si nismë. Do ndikojë direkt tek ulja e ndotjes në disa rrugë që janë problematike”.
Çfarë tregojnë matjet e GreenLungs për periudhën e karantinës
Arion Sauku i GreenLungs tregoi për “Faktoje” se gjatë periudhës së karantinës janë bërë matje të cilësisë së ajrit dhe rezultatet flasin për një ulje të madhe të ndotjes.
“Kemi bërë matje gjatë periudhës së karantinës dhe normat janë stabilizuar e janë shumë të ulta. Sidomos ditët e para kur u bllokua çdo gjë normat ishin shumë të ulta. Hera e parë që Tirana kishte ndryshuar për mirë”, tha Sauku.
Vlerat e Dioksidit të Azotit, PM 2.5 dhe PM 10 në Tiranë janë përgjysmuar gjatë periudhës 11 mars-16 prill.
A është kaq e thjeshtë të ndalosh automjetet?
Tirana mund të ndalojë qarkullimin e automjeteve në fundjavë, por ky me siguri nuk është fundi i kësaj historie.
Ndalimi i automjeteve nuk do të thotë që kryeqyteti nuk do të lëvizë, kjo do të thotë se nevojitet transport publik efektiv që plotëson nevojat e një qyteti prej afro 800-mijë banorësh i cili qarkullon edhe në fundjavë.
A e mundëson këtë Tirana?
Transporti publik ka probleme të shumta në kryeqytet duke nisur nga mbingarkesa dhe mungesa e kushteve, megjithë rritjen e çmimit të biletës me 30%.
Këtë shqetësim ngritën edhe qytetarët kur komentuan në profilin e kryebashkiakut Veliaj kur ai binte dakort me kryeministrin për fundjavën pa makina.
Faktoje pyeti edhe audiencën e saj në rrjetet sociale në lidhje me këtë çështje.
70% e ndjekësve në Facebook ishin dakort.
Edhe 66% e ndjekësve në Instagram dhe Twitter mendonin njësoj.
Foto cover: LSA