BallinaFaktometerE PavërtetëFamiljet pa bonus qiraje rikthehen në pallatet e pabanueshme

Familjet pa bonus qiraje rikthehen në pallatet e pabanueshme

Të paktën 150 familje në Durrës janë rikthyer gati pesë vjet pas tërmetit, në dy pallate të shpallur të pabanueshëm dhe për t’u shembur. Në prag të vendimit ekstrem janë të tjera familje, nga 2500 gjithsej të cilat prej një viti kanë mbetur pa bonus qiraje. Urbanisti Artan Kaçani jep alarmin se tragjedia e 2019-s mund të ripërsëritet dhe këtë herë fatkeqësia s’do jetë natyrore, por nga papërgjegjshmëria e shtetit. A mund të konsiderohet një sukses Rindërtimi, siç deklaroi kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako?

Ervina Garo

Pallati 62, në rrugën “Neki Libohova” në Durrës është shpallur i pabanueshëm, me shkallë dëmtimi DS4, por rrobat e hapura në tel nëpër ballkonet e pallatit dëshmojnë rikthimin e familjeve në ndërtesën fantazmë. Gati 5 vjet pas tërmetit tragjik, ndërtesa nuk u riparua, banorët mbetën pa bonus qiraje  qiraje prej marsit 2023 dhe shumë prej tyre zgjodhën të rikthehen te gërmadhat, të ndërgjegjshëm se po rrezikojnë jetën, duke lidhur në heshtje pakt me vdekjen.  

Durrës, apartament i banuar në pallatin 62 me shkallë dëmtimi DS4

“Pallati është i pabanueshëm, çfarë bie jashtë, hyn brenda. Në vend të venë dorë, po bëhet më keq Ku të shkojmë?! Ja na thuaj ti! 11 muaj pa marrë bonusin. Me këto kohë nuk të mban njeri. Nuk dimë asgjë si do vejë halli ynë. Ikēn 4 vite dhe asgjë.”-thotë për Faktoje administratorja e pallatit, ndër të paktët njerëz që pranojnë të flasin.

Dhjetëra familje në Durrës marrin vendimin ekstrem

Vetëm në pallatin 62 në lagjen 17 në Durrës, janë rikthyer mbi 100 familje edhe pse banesat janë të parikonstruktuara dhe një gjysmë çatie mbi kokë sot, mund t’u kthehet në tragjedi nesër. Vjedhja e materialeve të ambienteve të përbashkëta si: aparateve matës të ujit apo të energjisë elektrike, kabllove apo edhe pajisjeve të tjera ka qenë një tjetër arsye që i ka çuar këto familje drejt vendimit ekstrem.

Ripopullimi i ndërtesave fantazmë ka disa muaj që ka nisur dhe pallati 62 është vetëm njëri prej tyre. Familjet që rikthehen të banojnë gërdhmadhat nga të cilat ikën nga sytë këmbët pas tërmetit, s’kanë të ardhura të mjaftueshme dhe prej gati një viti nuk marrin as bonus qiraje, ndaj kanë gjetur si të vetmen zgjidhje të bashkëjetojnë me rrezikun për jetën.

Edhe më dramatik është vendimi i rreth 50 familjeve të tjera për t’u rikthyer në pallatin 12, në lagjen numër 5 në Durrës, ndërtesë e shpallur për t’u shembur nga Instituti i Ndërtimit.

“Shtëpia është investimi i jetës. Edhe gjyshërit e mi janë kthyer. Nuk mund t’i lemë vetëm, prandaj kam ardhur të rri me ta. Nuk e dimë se kur do të fillojë riparimi i dëmeve.”-thotë për Faktoje Erion L. i cili tregon se shumica e familjeve në këtë pallat janë tē moshuar.

Alarmi i Urbanistit: Banorët në rrezik vdekje!

Urbanisti, Artan Kaçani e cilëson rikthimin në këto banesa të dëmtuara, një minë me sahat për të gjithë qytetin.

“Rreziku nuk është i lidhur vetëm me tërmetet, por nga çfarëdolloj tronditjeje. Mjedisi duhet të qëndrojë i paprekur, pasi çdo tronditje përbën rrezik, duke nisur nga makineritë e rënda që mund të kalojnë, punimet përreth, peshat e rënda. Me një fjalë, mjedisi nuk duhet të jetohet. Mjedisi i ndërtesës nuk duhet prekur fare.

Artan Kaçani, urbanist

Duhet të vendoset shirit, përreth pallateve me nivel dëmi DS4 dhe DS5.”-thotë i alarmur Kaçani, i cili ka pasqyruar në një hartë ndërtesat sipas shkallës së dëmtimit nga DS3 në DS5 në Durrës.

Hartë identifikuese e ndërtesave të dëmtuara DS1-DS5 (me lejla të errët banesat për shembje DS5)

Kur bëhet fjalë për nivele dëmi DS4 dhe DS5 është përgjegjësi e lartë rikthimi për të banuar, pasi është i barabartë me rrezik vdekjeje, jo vetëm për këta banorë, por të gjithë zonën.

Pa bonus qiraje, të tjera familje kërcënojnë rikthim në gërmadha

Anida Selimi mbeti e pastrehë pas tërmetit të nëntorit 2019. Së bashku me 15 familjet e tjera që banonin në pallatin pesëkatësh në këtë lagje, ajo shpreson në një zgjidhjeje nga autoriteti vendor.

“Kam dërguar shkresa në bashki për takim me kryetaren, por më duket se përfundojnë në koshin e plehrave. Kam bërë dy kërkesa personale. Unë jam pa punë, bashkëshorti invalid. Nuk kemi paguar qiranë. Çfarë t’i them? Prit buxhetin e shtetit për të marrë qiranë?”- thotë ajo.

“Askush nuk ka ardhur të na shohë. Jemi banorë të këtij qyteti dhe ne, megjithëse jetojmë në NISH Tulla.”- përfundon Anida, duke paralajmëruar se do të rikthehen në shtëpinë e dëmtuar, nëse situata nuk ndryshon.

Durrës, pallati 12 me shkallë dëmi DS5 i shpallur për t’u shembur

Referuar përgjigjes zyrtare të Bashkisë së Durrësit njësia administrative më e dëmtuar nga tërmeti rezulton njësia 5, ku përfshihen disa lagje të njohura si zona e plazhit dhe e Shkozetit.

Për ironi, edhe vetë ndërtesa e njësisë administrative numër 5 ka dëmtime nga tërmeti, por vijon të shërbejë edhe pse punonjësit konfirmojnë se janë në rrezik konstant për jetën. Kur bisedon me ta vështirë të dallosh nëse frikësohen më shumë nga ndërtesa që mund të shembet apo presioni për të mos folur me mediat.

Mjediset brenda Njësisë Administrative nr. 5 në Durrës

Çfarë tha kryebashkiakja për rindërtimin në Durrës

Nëse i referohemi deklaratave publike, afatet për finalizimin e procesit të rindërtimit janë shtyrë në mënyrë konstatnte.

Në prill 2023 në një intervistë për ABC News kryebashkiakja, Emiriana Sako, e cilësoi Rindërtimin një punë të kryer me sukses, që do të përfundonte në 2024.

Por vetë Bashkia Durrës, në një përgjigje zyrtare për Faktoje në muajt e parë të 2024-s konfirmon se janë ende 66 pallate për riforcim dhe 33 në proces rindërtimi. Nga ana tjetër, institucioni vendor mbetet i paaftë të përcaktojë numrin e familjeve të pastreha, ato që janë kthyer në banesat e dëmtuara dhe ato që janë në pritje të marrjes në dorëzim të apartamenteve të reja, duke dëshmuar neglizhencë për njohjen e situatës në terren.

Edlira Jakova, specialiste kontabël e konsideron kaotike mënyrën se si janë menaxhuar fondet e Rindërtimit.

“Shtrirja në kohë e procesit është shumë e gjatë dhe kjo ka pasur ndikim negativ qoftë për familjarët, të cilët enden akoma pa shtëpitë e tyre, ashtu edhe për bizneset, që kanë pasur në katet e para të këtyre pallateve bizneset dhe kjo ka bërë që të ndërpresin aktivitetin dhe si rrjedhojë të mos sigurojnë të ardhura për familjet e tyre.

Dhjetëra shkolla nuk janë përfunduar duke bërë që nxënësit të vazhdojnë mësimin me turne. Supozohej që procesi i Rindërtimit duhej të përfundonte në 2024-n. Por, si qytetarë të këtij qyteti ne jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk mund të ndodhë.” – thotë ajo.

Edlira Jakova, specialiste kontabël

Mungesa e transparencës së këtij procesi mbetet thembra e Akilit sipas specialistes, e cila sjell në vëmendje edhe shkelje të tjera.

“Në zonën e plazhit, familjet kanë marrë dëmshpërblimin për DS2. Më pas u rivlerësua pallati i tyre dhe niveli kaloi në DS3. Diferenca nuk është marrë nga këto familje, megjithëse aplikuan dhe dorëzuan dokumentacionin e kërkuar.”

Nga ana tjetër, buxheti i miratuar në fundvitin e 2023 tregon se ky proces do të zvarritet të paktën edhe dy vite.

“Në pasqyrat e buxhetit të miratuar ka shuma të konsiderueshme që i përkasin Rindërtimit për afatin kohor 2024-2026. Kjo do të thotë që Rindërtimi do të zgjatet edhe të paktën dy vite.”-thekson Jakova.

Bashkia Durrës, përgjigje kontradiktore për afatet e rindërtimit

Në përgjigjen zyrtare Bashkia e Durrësit nuk përcakton një afat për përmbylljen e Rindërtimit, duke e justifikuar me faktin se procesi nuk varet vetëm prej saj.

Të gjitha bashkitë janë njoftuar se pas muajit mars 2023 subvencionimi i qirasë nuk do të financohet më nga ministria e Financave dhe e Ekonomisë, por do të parashikohet nga buxheti i bashkisë.

Përgjigjja de juro e autoritetit vendor nuk përcakton de facto se kur do të marrin bonusin e qirasë 2500 familjet, të cilat janë në pritje thuajse prej një viti, duke u detyruar të kthehen në banesat e dëmtuara nga tërmeti.

“Duke qenë se ka ende objekte të Rindërtimit që kanë nevojë për financim Bashkia Durrës në buxhetin e vitit 2024 ka marrë masa t’i japë prioritet investimeve”- thuhet në shkresën zyrtare të institucionit që lë pa shpjegim se çfarë zgjidhjeje do t’u jepet familjeve të pastreha dhe të patrajtuara me bonus qiraje.

Në përgjigjen e saj ‘pa përgjigje’ Bashkia Durrës bie në kotradiktë kur thotë se e ka të pamundur të përcaktojë afatin e përfundimit të Rindërtimit, si një proces që nuk varet vetëm prej saj, por nga ana tjetër konfirmon se ky proces është drejt përmbylljes.

Përfundim

Zvarritja e procesit të rindërtimit në Durrës dhe lënia e 2500 familjeve të pastreha, pa bonus qiraje prej gati një viti i ka detyruar shumë prej tyre të rikthehen në pallatet e shkatërruara. Rikthimi në ndërtesat me shkallë dëmtimi DS 4 dhe DS5, sipas ekspertit është një përgjegjësi e madhe dhe me shumë gjasa ripopullimi i tyre mund të kthehet në një tragjedi të dytë pas tërmetit të nëntorit 2019. Ndaj deklarata e kryebashkiakes së Durrësit Emirjana Sako, se procesi i rindërtimit është një punë e kryer me sukses dhe procesi do të mbyllet brenda 2024-s është e pavërtetë dhe në kufijtë e sarkazmës.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img