Rritja e numrit të vdekjeve në vitin 2023 në Islandë shpjegohet nga disa mjekë anti-vaksinë si pasojë e përdorimit të vaksinave Moderna. Megjithatë, ata “harrojnë” që këto vaksina janë ndaluar në Islandë dhe disa vende të tjera që prej vitit 2021.

Kejsi Leka

Një video e pedagogut të infermierisë në pension britanik Dr. John Campbell është bërë virale në mediat sociale, si argument për rritjen e numrit të regjistruar të vdekjeve në vitin 2023. Campbell pretendon në këtë video ndalimin së fundmi të vaksinës Moderna për shkak të disa rasteve të konstatuara të miokarditit dhe perikarditit.

E njëjta video së bashku me disa materiale të tjera u postua në 7 dhjetor 2023 edhe nga një përdorues i Facebook, e shoqëruar me tekstin: “Krimi kundra njerezimit vazhdon e bëhet katastrofal. Të dhëna zyrtare vërtetojnë çdo krim që është bëë me vaksinën”.

Videoja e Campbell është publikuar prej tij në YouTube më 27 Nëntor 2023. Në të ai flet për rritjen e numrit të vdekjeve në shtete të kontinenteve të ndryshme, përgjatë muajve të ndryshëm të vitit që lamë pas.

Sipas grafikëve të shfaqur në video numri i vdekjeve rritet përgjatë muajve të verës, dhe kjo për Dr.Campbell konsiderohej shqetësuese. “Një nga faktet shqetësuese që ne po vëmë re këtu, është që numri i vdekjeve rritet përgjatë verës. Ja përse, nuk mund t’ia atribuojmë këtë, faktorëve sezonalë. Ka faktorë të tjerë që ndikojnë këtu në shtete të ndryshme.”-thotë ai. Sipas tij ekziston një faktor i përbashkët, dhe ky faktor i përbashkët për të është vaksina Moderna.

Moderna është një ndër vaksinat e prodhuara gjatë pandemisë. Për të mbështetur argumentin e tij, ai bazohet në një artikull të publikuar nga revista medicalxpress. “Islanda ndalon përdorimin e vaksinës Moderna, për shkak të frikës nga inflamacioni i zemrës”, – thuhet në krye të artikullit. Ndërkohë, ai nuk nguron të përmendë disa nga efektet anësore që kjo vaksinë mund të shkaktojë të publikuar nga CDC, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA.  

Në fakt, artikulli që lexohet prej tij është i vërtetë. Islanda, ashtu sikurse edhe disa vende të tjera, e kanë kufizuar përdorimin e vaksinës Moderna, kjo për shkak të pasojave të përmendura prej tij në video.

Ajo që doktori ka lënë pa përmendur është periudha në të cilën artikulli u publikua. Artikulli është publikuar më 8 tetor të vitit 2021. Vaksina Moderna filloi të përdorej masivisht në shkurt të vitit 2020, për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Por, një vit më vonë, në tetor të vitit 2021, përdorimi i këtyre vaksinave u kufizua, kjo për shkak të rrezikut të lehtë të miokarditit (inflamacion i muskujve të zemrës) dhe perikarditit (inflamacion rreth zemrës).

Islanda gjithashtu mori këtë vendoi sepse kishte siguruar një furnizim të mjaftueshëm të vaksinës Pfizer. Ky lajm u pasua nga vendet e tjera nordike, të cilat pezulluan përdorimin e vaksinës Moderna në shkallë të ndryshme.

Kolegët tanë të “Logically Facts” kontaktuan Drejtorinë Islandeze të Shëndetësisë, e cila konfirmoi se Islanda nuk e ka përdorur vaksinën Moderna për COVID-19 që nga tetori 2021.

Miokarditi dhe perikarditi janë përcaktuar si efekte të rralla anësore të vaksinave kundër COVID-19. Megjithatë, rreziku është vërtetuar të jetë më i ulët se ai i lidhur me infeksionin COVID-19. Për më tepër, hulumtime e deritanishme kanë treguar se infeksioni COVID-19 ka një gjasë më të lartë për të shkaktuar miokardit sesa vetë vaksina.