Në Vlorë u prezantuan rezultatet e raportit të monitorimit mbi transparencën dhe llogaridhënien e Bashkisë, në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, që Faktoje zhvillon për të katërtin vit radhazi në bashkëpunim me organizatën amerikane National Endowment for Democracy (NED).

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi këtë të premte, 1 Mars, përpara përfaqësuesve të   Bashkisë dhe  Këshillit Bashkiak, shoqërisë civile dhe gazetarëve lokalë gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer mbi punën e kësaj bashkie gjatë vitit 2023.

Raporti u bazua në verifkimin e dy komponentëve, atij të transparencës dhe mbajtjes së premtimeve. Transparenca e bashkisë u mat përmes 16 indikatorëve që rrjedhin nga detyrimet ligjore për funksionimin e pushtetit vendor dhe ai për të drejtën e informimit. Sa i përket premtimeve, Faktoje përzgjodhi dhe verifikoi 4 premtime elektorale të fushatës së Majit 2023.

Bashkitë e monitoruara gjatë kësaj periudhe janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Himarës.

Analiza tregoi se nga 40 premtime elektorale të fushatës së Majit 2023 në të dhjetë bashkitë, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht dhe 11 pjesërisht. Ndërkohë, 24 premtime ose rreth 70% e premtimeve të bëra nga bashkitë apo kryebashkiakët e tyre nuk janë mbajtur. Nisur nga ky monitorim, niveli i transparencës për Bashkinë Vlorë arrin në 75%.

Ky nivel transparence ka shënuar rënie krahasuar me dy vite të mëparshme, përkatësisht viti 2020 me 86,6% dhe viti 2021 me 86,6% nivel transparence të Bashkisë.

*Ecuria e nivelit të transparencës së Bashkisë Vlorë gjatë viteve të monitorimit nga Faktoje

Sa i takon mbajtjes së premtimeve, Bashkia e Vlorës ka rezultuar me 4 premtime të pambajtura dhe një premtim pjesërisht të mbajtur.

  1. Pastrimi i qytetit. – Premtim i pambajtur
  2. Ndërtimi i terminalit të autobusëve ndërqytetas – Premtim i pambajtur
  3. Ndërtimi i qendrave ditore për të moshuarit në çdo rajon të qytetit – Premtim i pambajtur
  4. Rikualifikimi i tregjeve të qytetit – Premtim i pambajtur

Kryetari i Bashkisë Vlorë Ermal Dredha theksoi se   Ladnfilli i Sherishtës pritet të vihet në punë brenda nisjes së sezonit turistim të rradhës. 

“Sa i përket pastrimit të qytetit kryetari Dredha

Kto 4-5 muaj ne jemi marre vetem me pasteimin. Nuk eshte me e mira e mundshme por qyteti sot eshte me i paster. Kosha të rinj janë vendosur, rreth 100 nëse nuk gaboj, dhe pak javë më pas disa prej tyre janë vjedhur.” – tha kryebashkiaku i Vlorës. 

Një tjetër faktor që sipas kryebashkiakut të Vlorës, Ermal Dredha ka ngadalsuar punën e bashkisë është buxheti i mëparshëm i Bashkisë. 

“Buxhetit të kaluar të Bashkise i kane munguar prpcedura të rëndësishme të cilat lodhen ngushtësisht me projektet dhe preventivet e tyre. Gjatë kësaj kohe që kemi qenë ne Bashki jemi detyruar të rishohim të gjitha projektet ekzistuese.” – tha kryebashkiaku Dredha. 

Për rikualifikimin e tregjeve, Dredha theksoi se Bashkia Vlorë ka disa projekte dhe se janë në pritje të gjetjes së formulës së financimit. 

Monitorimi i kryer nga gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile synon të masë nivelin e transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri si dhe të nxisë ndarjen e informacionit për publikun si dhe llogaridhënien publike lidhur me vendimmarrjen, por edhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve. 

Premtimet u monitoruan në bazë të një metodologjie që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik si dhe vëzhgimet në terren. Ndër indikatorët e transprancës ishin programi e transparencës, konsultimi publik si dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).