BallinaNë lupën e FakteveCilat janë mundësitë dhe sfidat për të përfituar ekonomikisht pas çeljes së negociatave me BE-në

Cilat janë mundësitë dhe sfidat për të përfituar ekonomikisht pas çeljes së negociatave me BE-në

Pas hapjes së negociatave, Shqipëria ka nisur një rrugë drejt Bashkimit Europian nga e cila mund të përfitojë shumë, veçanërisht në aspektin e ekonomisë. Mirëpo nga ana tjetër, ky rrugëtim për vendin e vogël të Ballkanit Perëndimor që synon Europën e ashpër kërkon sakrifica dhe kushte për të përmbushur. Katër ekspertë ekonomie tregojnë mundësitë dhe sfidat që do të shoqërojnë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Marjo Brakaj

Ulja në Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian më 19 korrik në Bruksel hap kapituj të rinj, të shtrirë në shumë drejtime për Shqipërinë. Aktualisht vendi është shteti i Ballkanit Perëndimor më pak i lidhur me “bllokun” në rrafshin ekonomik, por kjo mund të ndryshojë me çeljen e negociatave.

 Mundësi transformuese përpara

Ky pohim u parapri nga komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi gjatë konferencës së përbashkët me rastin e uljes së Shqipërisë në të njëjtën tryezë me vendet e unionit më 19 korrik.

Negociatat kanë një natyrë transformuese. Do të ketë një ndikim madhor, pozitiv tek popullsia, tek ekonomia. Ne duam që të gjithë të jenë pjesë e saj dhe të punojnë për të. Rruga e Shqipërisë për t’u bërë anëtare, sapo ka nisur dhe ne jemi gati të punojmë.” – paralajmëroi Varhelyi.

Të fituara pritet të dalin edhe sipërmarrjet shqiptare. Bujqësia, turizmi e tregtia janë edhe sektorët që potencialisht mund të përfitojnë më shumë.

Tashmë kalohet në një fazë tjetër dhe shtohet siguria. Ky hap shton besimin si të investitorëve, ashtu edhe të strukturave të Bashkimit Europian për të investuar apo ofruar ndihma ndaj Shqipërisë. Çelja e negociatave i shton vlerë edhe investitorëve shqiptarë. Unë them se kjo është një anë vërtetë pozitive e hapjes së negociatave.” – vlerëson eksperti i ekonomisë, Arjan Kadareja.

Baza ligjore dhe zbatushmëria e saj vlerëson pedagogia e ekonomisë, Teuta Nunaj do të shërbejë si “gur themeli” i rrugës së re të Shqipërisë në drejtim të bërjes ekonomi si vendet europiane.

Që nga momenti që u vendos hapja e negociatave, Shqipëria do të ketë një mënyrë të re të të bërit ekonomi në përgjithësi dhe biznes në veçanti. Kjo lidhet kryesisht me bazën ligjore, e cila tanimë nuk mund të ndërtohet vetëm nga përspektiva jonë, por ekziston detyrimi që të jetë e njehsuar me legjislacionin europian dhe kjo është gjëja e parë pozitive. Elementi i dytë, më themeltar është ai që lidhet me pjesën e zbatueshmërisë. Tashmë Bashkimi Europian do të jetë më shumë prezent për të monitoruar zbatimin ashtu siç duhet të legjislacionit që prek ekonominë dhe jo vetëm.” – thotë Nunaj.

Investimet e huaja dhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve pritet gjithashtu të marrin një tjetër hov zhvillimi si pasojë e avancimit të vendit drejt Bashkimit Europian, thonë ekspertët.

Procesi i hapjes së negociatave i jep përshpejtim ristrukturimit të ekonomisë shqiptare drejt kapjes së standardeve europiane. Natyrisht, firmat shqiptare kanë nisur ristrukturimin e tyre. Sekotorët e ekonomisë kanë nisur të ekspozohen, sepse Shqipëria ka pasur në vijim një marrëveshje të Stabilizim Asociimit, që ishte një marrëveshje e tregtisë së lirë dhe e thelluar në të gjithë sektorët”, – argumenton Kadareja.

Për eksperten Nunaj, përfitimet në plan afatmesëm do të shkojnë qindra milionë euro.

Përllogaritet që në pesë vitet 2022-2026, sasia e shtuar e investimeve të huaja direkte nga vendet anëtare të BE-së të shkojë në 910 milionë euro. Kjo shumë i korrespondon rreth 23 mijë vendeve të reja të punës, të krijuara nga investimet e shtuara.  Nga ana tjetër, me perspektivën e anëtarësimit, interesi për eksportet shqiptare dhe respekti për eksportuesit tanë do të rritet. Vlerësohet që në pesë vitet e ardhshme, shtimi vetëm nga kjo perspektivë të jetë në nivelin e 720 milionë eurove. Edhe ky shtim të ardhurash përkthehet në të paktën 16 mijë vende pune të reja në ekonominë tonë.” – thotë Nunaj.

Koha për reforma strukturore

Që Shqipëria të përfitojë nga çelja e negociatave duhet të heqë dorë nga disa politika të gabuara ekonomike. Ndryshimi i shpeshtë i taksave apo ligjeve të tjera që prekin investimet janë disa nga vendimet që duhen parë sërish. Forcimi i organeve ligj-zbatuese me qëllim mbrojtjen e investimeve është një tjetër kusht që Shqipëria duhet të përmbushë për të thithur investime europiane thonë ekspertët.

Së pari lidhet me pjesën fiskale. Duhet të bëhet një harmonizim i kuadrit tonë fiskal me atë të Bashkimit Europian. Dhe kur themi këtë, një nga parimet kryesore është pasja e taksave stabël. Pra mosndryshimi i shpeshtë i taksave, i normativave fiskale”, thotë Igli Tola, ekspert për ekonominë.

Luftimi në mënyrë të pakompromis i korrupsionit, mitmarrjes, rregullimi i ligjit të pronave, është një nga problemet kyçe që pengon thithjen e investimeve në vendin tonë.”- argumenton Tola.

Krijimi i zonave të lira ekonomike është një tjetër detyrë që duhet përmbushur.

Duhet të bëhen zonat e lira ekonomike dhe parqet industriale, si dhe duhet të zgjidhet problemi i tokës që ne kemi, është një nga pikat kryesore për të thithur investimet e huaja. Bujqësia dhe turizmi janë 2 sektorët kryesorë të vendit, ku duhet fokus. Ne mund të shfrytëzojmë shumë mirë edhe pjesën e shërbimeve të teknologjisë dhe informacionit dhe ta kthejmë në një armë të fortë këtë sektor”, pohon eksperti.

Forcimi i organeve ligj-zbatuese me qëllim mbrojtjen e investimeve është një tjetër kusht që Shqipëria duhet të përmbushë për të thithur investime europiane thonë ekspertët.

Tani do të duhet të dëgjojmë pak më tepër cilat janë sugjerimet që Bashkimi Europian ka për ne. Që vërtetë këto ligje të jenë konform edhe për tregun tonë, por edhe për vendet e tjera europiane. Do të duhet që bizneset që investojnë nga jashtë, duhet të gjejnë seriozitet dhe qëndrueshmëri këtu”, thotë Selim Blliku, ekspert për ekonominë.

“Investitori duhet të ndihet i sigurt për paranë që hedh në Shqipëri. Atij duhet t’i garantohet se investimi i tij nuk do të cenohet nga interesa të palëve të tjera. Për të pasur investime të huaja të reja ne duhet të mësojmë si fillim se si të mbrojmë investimet aktuale. Ato kanë vlerë për vijimësinë ekonomike të vend.”, shton Blliku.

Sfida që duhen përmbushur

Kur flitet për integrimin europian, edhe pse kriteri politik merr vëmendjen kryesore, në fakt në këtë proces, ka po aq rëndësi edhe përmbushja e kriterit ekonomik, sipas parimeve të sanksionuara në dokumentet bazë të BE-së, që i kanë fillesat në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Në zemër të Komunitetit Europian, qëndron tregu i përbashkët dhe katër liritë themelore: liria e lëvizjes së personave, e mallrave, e shërbimeve, e kapitalit, por edhe rregullat mbi konkurrencën.

Procesi i integrimit europian për çdo vend kandidat, lidhet fillimisht me thellimin e bashkëpunimit ekonomik me fqinjët, deri në finalizimin e tregut të përbashkët rajonal, që konsiderohet si një paradhomë e BE-së. Më tej parashikohet integrimi gradual në Tregun e përbashkët të BE-së, përmes harmonizimit me strukturat e Komunitetit, sipas direktivave në fushat e standardeve, të certifikimit, administratës doganore, mbrojtjes së konkurrencës dhe të drejtave të pronësisë intelektuale

“Në këtë drejtim, Shqipëria e vogël që aspiron Europën e madhe duhet të punojë shumë dhe me ritme të shpejta”- vlerësojnë institucionet ndërkombëtare dhe ekspertët vendas.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img