BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëMbështetja për pensionistët 6 muaj më parë, riciklohet për klikime

Mbështetja për pensionistët 6 muaj më parë, riciklohet për klikime

Një deklaratë e Kryeministrit Edi Rama mbi mbështetjen që qeveria dha ndaj pensionistëve gjatë periudhës prill-qershor, si pjesë të Paketës së Parë të Rezistencës Sociale, është risjellë nga portali infospostmedia.com. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky lajm është riciklim i një deklarate që Kryeministri ka bërë më 14 mars 2022, por e  risjellë në muajin gusht si lajm të ri për të tërhequr klikime.

 

Një artikull nga infospostmedia.com që pretendon, në një tekst me gabime drejtshkrimore, se, më 22 gusht, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të rrisë me 3% pensionet, si dhe do të japë 3 mijë lekë për pensionistët dhe invalidët si përgjigje ndaj krizës së çmimeve është risjellë për publikun si një lajm i ri me këtë titull : “Rama Jep Lajmin E Bukur/Rriten Akoma Më Shumë Pensionet: Ja Sa Lekë Marrin…”

Lajmi i publikuar në 22 gusht në portalin infospostmedia.com

Sipas kërkimeve të Faktoje deklarata e kryeministrit Rama është bërë 6 muaj më parë, më 14 mars 2022. Gjatë një bashkëbisedimi me pensionistë të kategorive të ndryshme, Rama ndau detajet e Paketës së Parë të Rezistencës Sociale.

Konkretisht paketa parashikon: 3.3 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve në masë 3.3% për 673,813 pensionistë.

3 mijë lekë për 3 muaj, për:

-pensionistët që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale;

-pensionistët që trajtohen me pension invaliditeti;

-pensionistët që jetojnë vetëm;

-Personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër;

-Të gjitha familjet në skemë ekonomike.” – deklaronte kryeministri përballë një grupi pensionistësh nga Tirana.

Nga ky verifikim, rezulton se lajmi është riciklim i deklaratës së muajit mars, risjellë me titull sensacional në muajin gusht për të tërhequr klikime. Tituli i papërfunduar, “Rama Jep Lajmin E Bukur/ Rriten Akoma Më Shumë Pensionet: Ja Sa Lekë Marrin…”, përforcon përpjekjen për të përfituar sa më shumë klikime duke nxitur kuriozitetin e lexuesve.

Po ashtu, në mënyrë që klikimet të shtohen edhe më shumë, lajmi përfundon me këtë fjali: “Per la jmin e plo te kli ko ne re kla men me poshte”. Lexuesit ftohen të klikojnë mbi një reklamë për të lexuar lajmin e plotë, ndërkohë që të dyja linqet janë lajme të tjera të portalit infospostmedia.com. Edhe kjo një përpjekje tjetër për të mbledhur klikime.

Mbetet e vlefshme për të kujtuar edhe njëherë lexuesit se duhet të jenë më të vëmendshëm dhe dyshues përpara se të besojnë lajme të tilla në rrjet. Titujt bombastikë janë një tregues i mirë për të identifikuar lajmet e pavërteta, apo pjesërisht të pavërteta. Krahas tyre, gabimet drejtshkrimore, si në artikullin në fjalë, janë gjithashtu një tregues i besueshëm.

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img