BallinaFaktometerPa kategoriÇfarë ndodh me bujqësinë shqiptare në situatën e COVID-19

Çfarë ndodh me bujqësinë shqiptare në situatën e COVID-19

MERXHAN DACI & ANXHELA RUÇI

Pasojat e pandemisë së koronavirusit nuk po kursejnë as bujqësinë, mënyrë jetese për shumë fermerë në Shqipëri. Afro një muaj nga aplikimi i masave shtrënguese kundër COVID-19, fermerët, që përballen me sfida të mëdha edhe në kohë normale, ndihen edhe më të cënuar.

—————————————————————————————————————————————–

Këto kohë fermerët janë ankuar disa herë për dëmet që po u sjell situata me koronavirusin e ri në punën e tyre.

Në Berat u hodhën masivisht kastravecë. Në Korçë po ashtu fermerët u ankuan se nuk mund të shesin prodhimet e tyre bujqësore, për të cilat janë kujdesur gjithë vitin. Ndërkohë edhe raste të tjera ku fermerët kanë probleme janë raportuar.

Hedhja e kastravecave në Berat, foto: Screenshot nga Ervin Resuli, Facebook

Lëvizja e fermerëve

Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj i kërkoi qeverisë, në mes të muajit mars që të marrë masa në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, veterinarisë dhe mekanikës bujqësore, pas situatës së krijuar nga COVID-19. Këshilli kërkoi që blegtorët, bujqit dhe veterinerët të mos kufizohen në oraret e lëvizjes, për të shmangur kolapsin agroushqimor.

Veterinerët po ashtu i bënë një peticion qeverisë ku kërkonin që të ushtronin të lirë profesionin e tyre.

Fermerët nuk pengohen të punojnë”, tha në 31 mars ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi në një intervistë për Top Channel.

Ervin Resuli, ekspert i bujqësisë, i fokusuar kryesisht në zonën e Fierit, konfirmoi për “Faktoje” se situata e COVID-19 ka sjellë probleme për fermerët.

Ka pasur shumë probleme, sidomos brenda muajit mars, edhe tani ka por disi më e lehtë pasi asnjë fermer nuk mund të lëvizë pa autorizim. Duke marrë në konsideratë nivelin e qasjes së internetit të fermerve tanë, ata e kanë të vështirë të pajisen me autorizim elektronikisht”, tha Resuli.

Ai shtoi se fermerët janë përplasur me policinë pasi kanë menduar se mund të lëviznin lirisht.

Ministria e Bujqësisë duhet të dilte qartë me disa urdhëra ku të orientonte fermerët për mënyren se si mund ata të lëviznin në drejtim të tokave apo serave dhe tregjeve, apo pikave të grumbullimit. Duhet të ngrinte një task-forcë ku të lejonte lëvizjen e kamionëve të eksportit të fruta-perimeve dhe nje numër jeshil ku fermerët të merrnin zgjidhje për problemin e lëvizjes. Taksforca duhet të koordinonte punën midis Policisë, Bashkisë, Doganave dhe fermerëve për t’i orientuar si të sillen këto kohë për shitjen e produktit apo orientimin mbi çmimet e bursës”, tha ai.

Si mund të ndihmohet tani bujqësia

Në 5 prill, ministri i Bujqësisë Çuçi tha për Ora News:

“S’jemi ende në kushtet që do duhet një paketë e veçantë ndihmëse për bujqësinë për shkak të krizës së COVID-19”,- duke shtuar se kjo është një situatë dinamike që po monitorohet.

Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Industrialistëve Shqiptarë tha se COVID-19 ka sjellë një pengesë jo të vogël për sektorin e bujqësisë.

Ajo çfarë mund të bëhet sipas sugjerimeve të tij është:

1-Të zgjidhet problemi i TVSH-së së prodhimeve bujqësore siç ishte nga 2014-2018, pasi kjo është një pengesë që favorizon produktet e importit.

2-Bllokimi i përkohshëm në bazë të marreveshjeve të importit të produketeve sensitive, nëse kastraveci rezulton i pashitur duhet bllokuar importi, pas dy-tre javësh do fillojë të hidhet domatja, nëse qeveria nuk zgjidh problemin e TVSH, do vërshojë produkti i jashtëm. 

3-Të ulen në tryezë, prodhuesit e fermerët me industrialistët përpunues për të diskutuar se cili është çmimi minimal që prodhuesit mund ta japin produktin dhe sa e marrin përpunuesit. Këtu duhet të hyjë shteti duke dhënë subvencione.

Zusi po ashtu shtoi se situata me COVID-19 është totalisht disfavorizuese për bujqësinë, por nëse merren masat e duhura mund të kthehet në avantazhine fermerëve.

Ndërkaq eksperti Ervin Resuli i tha “Faktoje” se pasi qeveria nuk e përfshiu fshatin në shtatë pikat e saj, ajo duhet të dalë me urdhër urgjent ku të njoftojë dhënien apo shtimin e fondeve me 30 apo 40 % të totalit te subvencioneve, siç kanë bërë Italia apo Kosova.

Ndërkaq probleme kanë pasur edhe eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore.

Përfaqësuesit e Goga Eksport i thanë “Faktoje” se kërkesat për eksport janë ulur.

“Greqia, Bullgaria, Kosova, Maqedonia me të cilat kemi eksport kanë ulur kërkesat në minimum. Nëse ishte panifikuar të transportohej 100 ton, tani transportojmë 20 ton. Kjo do të ndikojë edhe në ekonominë e fermerëve”.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img