BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookCentrali bërthamor në Shqipëri, një hipotezë në thatësirën e lajmeve

Centrali bërthamor në Shqipëri, një hipotezë në thatësirën e lajmeve

“Në Shqipëri do ndërtohet Central Bërthamor.” – ky është titulli i lajmit të shpërndarë nga Gazeta Impakt në datën 28 Gusht 2023. Shkrimi, në fakt, është marrë ‘copy-paste’ nga një tjetër media, por është shpërndarë me titull keqinformues me qëllim mbledhjen e klikimeve. Informacionet publike tregojnë se në fakt ky mbetet ende një pretendim i mediave italiane dhe se qeveria shqiptare e ka mohuar ndërtimin e centralit.

Jona Plumbi

Lajmi për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri me dakordësinë e saj dhe Italisë është kthyer në burim keqinformimi. Informacionet e publikuara nga mediat italiane, që pretendojnë se centrali do të ndërtohet në Shqipëri, janë riprodhuar nga mediat në Shqipëri si të ishin fakte të konfirmuara.

Kështu Gazeta Impakt ka shpërndarë në 28 gusht artikullin me titull “Në Shqipëri do ndërtohet Central Bërthamor.” Kushdo lexon këtë titull kupton se ky është një fakt i kryer tashmë. Por nëse lexon tekstin e lajmit, mund të zbulojë se nuk ka asnjë konfirmim apo burim të besueshëm për një proces që kërkon shumë aprovime paraprake e garanci për institucionet ndërkombëtare që rregullojnë këtë sektor të rëndësishëm. 

 “Ndërtimi i një centrali bërthamor, me kapacitet 1.500 Megavat, është dakortësia që Italia ka arritur me Shqipërinë me një investim i barabartë me 4 miliardë euro. Ky lajm zbulohet nga mediat italiane të cilat shprehen të bindura se ky central bërthamor do të ndërtohet në Shqipëri.” – shkruan artikulli.

Në fund të artikullit kupton se informacioni në fakt është publikuar fillimisht nga media online Dosja.al.

Por ndërsa Dosja.al ka njoftuar se po citon mediat italiane, duke ia ‘veshur’ atyre vërtetësinë e lajmit që në titull, Gazeta Impakt ka zgjedhur ta modifikojë titullin duke e kthyer ndërtimin e centralit në fakt.

Lajmi në gjuhën italiane në kanalin Milano Finanza, njofton se “qeveria italiane është duke punuar me atë shqiptare për një central bërthamor të mundshëm prej rreth 1500 megavat. Bëhet fjalë për një investim prej rreth 4 miliardë eurosh për t’u realizuar në Shqipëri. Projekti për realizimin e këtij centrali nuk është i ri, ishtë mbi tavolinë prej vitit 2009 – 2010. Kompanitë italiane që mund të mundësojnë konsulencë dhe kompetencë për realizimin e këtij centrali janë Eni, Enel dhe Edison”.

Pavarësisht se media italiane përdori togfjalëshin “central bërthamor i mundshëm”, lajmi në Shqipëri është raportuar si dakordësi e mbyllur mes dy qeverive, duke e nxjerrë jashtë konteksti informacionin e ofruar nga media italiane.

Në fakt lidhur me këtë aludim është shprehur më parë kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë pikërisht për një media italiane, La Stampa. Gjatë intervistës ai është pyetur mbi takimin që pati me kryeministren italiane në Vlorë, Giorga Meloni ku mendohet të jetë diskutuar mundësia e ndërtimit të centralit në fjalë.

Sipas kryeministrit Edi Rama pretendimi se ajo ka folur me të për ndërtimin e një centrali bërthamor është fantazi.

Kam parë kaq shumë fantazira për këtë [takim] dhe më shumë – si psh që ajo nuk erdhi me traget, por me një jaht luksoz, ose se ajo erdhi për një central bërthamor” – tha Rama për La Stampa në 18 gusht.

Por edhe pse ky qëndrim i qeverisë shqiptare është publikuar 10 ditë përpara lajmit të medias italiane të shpërndarë në shqip, përsëri ky informacion nuk është ofruar për lexuesit nga Gazeta Impakt.

Kujdesin që tregojnë mediat italiane për të mos e njoftuar ndërtimin e centralit bërthamor si një fakt të kryer, duke e quajtur hipotezë, si dhe duke përdorur fjalë si “ndërtimi i mundshëm” i centralit, apo kompanitë që “mund” të japin ndihmë, do duhej ta tregonin edhe mediat shqiptare. Edhe mohimi i këtij pretendimi nga kreu i qeverisë shqiptare nuk mund të mos i ofrohet lexuesit që kërkon të informohet mbi situatën pa krijuar një alarm të panevojshëm.

Ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri është lëshuar në publik më parë si ide edhe nga kryeministri Berisha në vitin 2009, duke krijuar jo pak shqetësim për fqinjët veriorë. Alarmi që ngjalli kjo deklaratë u shoqërua me përgënjeshtrimin nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), me qendër në Vjenë, e cila sqaroi në atë periudhë se procesi për lejimin e ndërtimit të një centrali bërthamor kërkon një periudhë përgatitjesh deri 15 vjeçare për ofrimin e garancive të nevojshme nga një vend aplikues. Kushti kryesor për aprovimin e një kërkese të tillë është gjithashtu pamundësia për të siguruar prodhimin e energjisë nga burime të tjera alternative. Me mbi 200 leje për ndërtimin e hidrocentraleve si dhe licencat për impiantet e prodhimit të energjisë diellore, Shqipëria është duke përballuar kënaqshëm konsumin aktual të energjisë dhe rritjen e mundshme të tij në vitet e ardhshme.  

Nisur nga këto informacione publike rezulton se informacioni i publikuar nga Gazeta Impakt është nxjerrë jashtë konteksti.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img